E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha ben betimin, ja pikat e programit

26/07/2011  Konstituohet Këshilli Bashkiak i Tiranës, e djathta merr postin drejtues të kryetarit dhe nënkryetarit.

Basha, nis zyrtarisht punën, si kryebashkiaku i ri i Tiranës.

Pranvera Kola

Menjëherë pas zgjedhjes së strukturave drejtuese dhe konstituimit të këshillit kryebashkiaku i ri i Tiranës, Lulzim Basha, ka bërë betimin para anëtarëve të këshillit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, ku ishin të pranishëm ambasadori i OSBE-së në vendin tonë Eugen Volfart, zëvendësambasadorja amerikane Deborah Jones, zëvendësambasadori i BE-së si dhe zëvendësambasadorja e Polonisë, duke detajuar disa nga pikat më të rëndësishme mbi të cilat do të nisë puna për zhvillimin e kryeqytetit. Në mesazhin e tij të parë Basha ka deklaruar se do të punohet fortë pa bërë dallime ndërmjet forcave politike, duke i dhënë prioritet zërit dhe problemeve të qytetarit. Në fjalën e mbajtur para 55 anëtarëve të këshillit të ri bashkiak Basha është shprehur se bashkëpunimi mes të gjitha forcave politike që përfaqësojnë këtë institucion do të çojë përpara realizimin e të gjitha projekteve që kanë në fokus qytetarët, si dhe ka shtuar se konfliktet politike duhet të marrin fund, duke çuar kështu në krijimin e një administrate gjithëpërfshirëse. “Administrata ime do të jetë gjithëpërfshirëse, ku çdo parti politike do të gjejë përfaqësinë, duke pasqyruar në këtë mënyrë vetë familjen tonë të përbashkët, Tiranën. Është koha për të qeverisur dhe jo për fushatë. Është koha t’i përvishemi punës, është koha t’i përkushtohemi zhvillimit të gjithanshëm që Tirana meriton”, - ka deklaruar Basha. Pas betimit Bashka ka pohuar se duke filluar nga dita e nesërme ky institucion do të çelë dyert për të gjithë qytetarët. Sipas tij, do të përcaktohen orare zyrtare për takimet që do të zhvillohen çdo javë me qytetarët në lidhje me problemet që ata kanë. Mbledhja e këshillit bashkiak ka nisur rreth orës dhjetë të mëngjesit të djeshëm, ku fillimisht është bërë verifikimi dhe mandatimi i 55 përfaqësuesve të rinj të këshillit bashkiak të kryeqytetit. Më pas është vijuar me procedurat e përzgjedhjes së kryetarit të këshillit dhe nënkryetarit, ku të dyja postet janë kryesuar nga përfaqësuesit e së djathtës në këshill.

Megjithatë, edhe gjatë kësaj mbledhjeje të parë nuk kanë munguar replikat dhe debatet ndërmjet përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së lidhur me udhëzimin paraqitur kohë më parë nga Ministria e Brendshme mbi përcaktimin e procedurave për punimet e këshillit.

Strukturat drejtuese të këshillit

I propozuar nga mazhoranca, Njazi Kosovrasti arrin të mbledhë votat e duhura për të qenë kreu i këshillit bashkiak të kryeqytetit. Pas votimit të fshehtë të bërë nga 55 anëtarët e këshillit, Kosovrasti është shpallur fitues me 28 vota kundrejt kundërshtares së tij Mimoza Hafizi. Pas zgjedhjes së kryetarit procedura e votimeve ka vijuar edhe për strukturat e tjera drejtuese, ku është caktuar në postin e nënkryetarit Zamir Ndroqi. Në këtë votim Ndroqi ka marrë detyrën e nënkryetarit me 29 vota të marra në favor të tij, duke rrëmbyer kështu edhe një votë nga krahu i këshilltarëve të majtë. Pas zgjedhjes së strukturave drejtuese këshilli ka vijuar mbledhjen për rendin e ditës, ku nuk kanë munguar edhe debatet ndërmjet dy forcave më të mëdha politike, përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së, mbi udhëzimin e Ministrisë së Brendshme për procedurat që duhej të ndiqte këshilli gjatë mbledhjes së tij të parë.

Kryetari i ri prezanton programin për 100 ditët e para të qeverisjes

“Çfarë do bëj për Tiranën në 3 muajt e parë”

Basha premton heqjen e 60 taksave, si dhe përmirësimin e trafikut nw kryeqytet

Pranvera Kola

Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve kryebashkiaku Lulzim Basha ka detajuar edhe planin e punës që do të ndiqet nga administrata në 100 ditët e para të qeverisjes për zhvillimin dhe përmirësimin e imazhit të kryeqytetit. Për këtë në programin e hartuar për ditët e para të qeverisjes përfshihen një sërë projektesh për transformimin e kryeqytetit. Sipas përcaktimeve të bëra, fillimisht do të punohet për ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit, më pas do të vijohet më planet e tjera, nxitjen e investimeve të biznesit e të punësimit, zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës, adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara, eliminimin e një sërë taksash dhe tarifave, si dhe do të punohet edhe për përgatitjen e paketës fiskale. “Për këtë arsye, unë do të nis menjëherë punën, për çka kam hartuar edhe një program ambicioz për 100 ditët e para të qeverisjes, nga i cili do të veçoja: ngritjen e strukturave të posaçme për mbrojtjen e konsumatorit; nxitjen e investimeve, të biznesit, të punësimit si dhe të strukturave që garantojnë konsultim të vazhdueshëm me qytetarët dhe grupet e interesit; nisjen e procesit të përgatitjes dhe konsultimit të planit urbanistik të qytetit dhe ndërhyrjet e para urbane; zgjidhjen e çështjes së trafikut në qendrën e Tiranës; adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara; hedhjen e bazave për një sistem të ri të financave të bashkisë, që bazohet tek taksat dhe tarifat e reduktuara, shpenzime produktive dhe transparent”, - ka deklaruar Basha. Po gjatë kësaj periudhe do të punohet edhe për eliminimin e 60 llojeve të taksave dhe tarifave, si dhe do të merren masat e duhura për përgatitjen e paketës fiskale dhe asaj të shpenzimeve për vitin 2012, ndryshime të cilat do të pasqyrohen edhe në faqen zyrtare të shpenzimeve të bashkisë. Po në këtë linjë, sipas Bashës, do të punohet edhe për emetimin e kartës së studentit, me tarifa zero ose të reduktuara lidhur me shërbimet bashkiake që ata duhet të përfitojnë. “Më tej do të punohet për përgatitjen e platformës së decentralizimit të kompetencave dhe burimeve drejt njësive bashkiake dhe përfaqësive të komuniteteve të lagjeve”, - ka deklaruar Basha, i cili ka shtuar më tej se Tirana nuk do të ndryshojë brenda ditës, ndaj përkushtimi do të jetë i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm, i shtrirë në të tashmen dhe të ardhmen. Gjithashtu në planin e punës është përcaktuar dhe ngritja e parqeve dhe shkollave, shtrimi i rrugëve dhe trotuareve. Do t’i jepet përparësi dhe ndërtimit të unazës së madhe dhe tramvajit, që do të ndihmojnë në eliminimin e trafikut të rënduar në kryeqytet. Do të zhvillohet më tej prona private si dhe rritja e mundësive të strehimit nëpërmjet zgjerimit të hapësirave në programet sociale për kategoritë në nevojë. “Do të investojmë në art, kulturë dhe sport, do të pastrojmë ajrin dhe rrugët tona, do të tërheqim investime dhe turizëm dhe do ta trajtojmë çdo qytetar me respekt dhe dinjitet. Së bashku ne do ta ndërtojmë Tiranën që meritojmë.” Më tej kryebashkiaku Basha ka shtuar se për të gjitha problemet që do të shfaqen gjatë rrugës nuk do të hidhen përgjegjësitë sa në njërin krah politik apo në tjetrin, sikundër ka ndodhur deri më sot, çka ka sjell dëmtimin e zhvillimit të kryeqytetit. “Për tepër gjatë në këtë qytet topi i përgjegjësisë është hedhur sa andej-këndej dhe gishtat e politikës kanë fajësuar njëri-tjetrin për problemet tona në vend të marrjes së përgjegjësive dhe ofrimit të zgjidhjeve. Administrata ime do të bëjë gjithçka për të hapur vende të reja pune, për të ndërtuar një Tiranë moderne dhe evropiane, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit të ofruar dhe që qytetarët të kenë zërin e tyre në vendimmarrje, pasi zhvillimi i mirëfillte kërkon që ne të punojmë të gjithë së bashku.”

Pas betimit të Bashës, të majtët

braktisin mbledhjen e këshillit

Pak minuta pas betimit të kryebashkiakut të ri të kryeqytetit përfaqësuesit e së majtës në këshill kanë braktisur mbledhjen, e cila do të përcaktonte më pas emrat e rinj drejtues për këshillat në qarqe. Sipas përfaqësuesit të së majtës Aldrin Dalipi, betimi u zhvillua kundër procedurave, pasi në këtë proces nuk u dëgjua zëri i qytetarëve, por zëri i disa këshilltarëve. “Por ne, si dhe të gjithë ata që janë jashtë kësaj salle, qytetarët e kryeqytetit, por dhe të gjithë Shqipërisë, e njohin tashmë vizionin e zotit Basha, një vizion që është tërësisht i përputhur me grabitjen dhe aktin korruptiv të rrugës Durrës–Kukës, me shitjen e interesave kombëtare, me shitjen e detit, deri dhe te vrasjet e 21 janarit. Ne ndenjëm këtu në këtë sallë sepse përfaqësuam zërin e të gjithë atyre qytetarëve që refuzuan Bashën dhe përfaqësojmë zërin e atyre që kërkojnë respektimin e ligjeve dhe institucioneve”, - ka pohuar Dalipi. Më pas këshilltarët e së majtës janë ngritur një e nga një dhe janë larguar nga mbledhja. Megjithatë, debatet e replikat kanë nisur që në minutat e para të mbledhjes së këshillit. Pas betimit të anëtarëve të këshillit dhe zgjedhjes së kreut drejtues, Dalipi ka kundërshtuar procedurat mbi aprovimin e rendit të ditës që është zhvilluar në këshill. Kundrejt kësaj situate Dalipi ka kërkuar përgjigje për udhëzimin e ministrit të Brendshëm mbi përcaktimet e bëra, duke propozuar zgjedhjen e anëtarëve të qarkut, çka sipas tij është në kundërshtim me ligjin. Lidhur me këtë shqetësim të ngritur nga përfaqësuesit e së majtës këshilltari i “Aleancës për Qytetarin” Ferdinand Pone ka kërkuar procesimin me rendin e ditës, duke e cilësuar jo të drejtë qëndrimin e këshilltarëve të majtë. “Duhet të jemi të gjithë së bashku në këtë mbledhje solemne. Kryetari do të vijë të vërtetojë vlefshmërinë e mandatit dhe të marrë detyrën”, - u shpreh Pone. E menjëhershme ka qenë replika nga këshilltarit socialist Alfred Dalipi, duke iu drejtuar këshilltarit të djathtë me fjalët: “I them zotit Pone të ketë parasysh se grupi i ‘Aleancës për të Ardhmen’ përfaqëson një shumicë të qytetarëve dhe për këtë shkak duhet të jetë i kujdesshëm kur flet si dhe të shmangë gjuhën e gangsterit.”

Basha, do të dëgjohet zëri i çdo qytetari

Nga nesër bashkia hap dyert për qytetarët

Pritet caktimi i orareve zyrtare për takimet e përjavshme

Duke filluar nga dita e nesërme bashkia do të hapë dyert për pritjen e qytetarëve të saj. Ky është një ndër premtimet e dhëna nga kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili ka shpjeguar se si do të vijojë puna për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. “Sepse që në krye të herës kjo fushatë nuk ishte për mua apo për kundërshtarin tim, kjo fushatë ishte vetëm dhe vetëm për ju. Unë dëgjova problemet dhe idetë tuaja dhe mund të them se mësova prej jush gjëra që nuk do t’i harroj kurrë. Ju siguroj se me të njëjtin përkushtim do të vazhdoj t’ju dëgjoj edhe ne këtë rrugëtim të ri që na pret. Sepse unë besoj se pa dëgjuar zërin tuaj, askush nuk mund t’u shërbejë e aq më pak t’ju bëjë ju pjesë të bashkëqeverisjes, tek e cila unë besoj fort. Ndaj këtë të mërkurë pasdite unë do të hap dyert e Bashkisë së Tiranës për të gjithë qytetaret që dëshirojnë të vijnë në bashkinë e tyre dhe do të qëndroj aty derisa të jem takuar me të gjithë ju, pasi ky institucion ju përket të gjithë qytetarëve të saj dhe jo një apo disa prej partive politike dhe çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në bashkëqeverisje”, - ka pohuar Basha. Ndërkohë, duke filluar nga e premtja tjetër do të nisë nga zbatimi edhe një tjetër premtim i dhënë gjatë fushatës elektorale për të përcaktuar orare zyrtare të takimit me qytetarët, në mënyrë që ata të takojnë kryebashkiakun e tyre dhe të bisedojnë me të lidhur me problemet që kanë. Po ashtu gjatë këtyre takimeve do të merren edhe idetë e mendimet që qytetarët do të japin në lidhje me zhvillimin e komunitetit tuaj. “Gjatë administratës sime Bashkia e Tiranës do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët dhe të gjithë janë shumë të mirëpritur. Nëse je i ri apo i moshuar, jeton në qendër apo në periferi, banor i vjetër apo i porsaardhur, rom, egjiptian apo çdo komuniteti tjetër, nëse bindjet e tua politike janë më pranë Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, LSI-së, PR-së, PDIU-së, Legalitetit, PDS-së, LZHK-së apo çdo partie tjetër, kjo nuk ka aspak rendësi. Bashkia e Tiranës do të punojë dhe angazhohet me të njëjtin zell dhe përkushtim njësoj për të gjithë ju”, - ka konfirmuar gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve të këshillit kuakuashkiaku Basha.

Trupi diplomatik zbarkon në zyrën e Bashës

Pas ceremonisë së betimit kryebashkiaku Basha ka vijuar punën në detyrën e tij të re, duke u takuar fillimisht me përfaqësuesit e trupit diplomatik. Menjëherë pas mbarimit të ceremonisë së betimit Basha ka zhvilluar takimin e tij të parë zyrtar, duke pritur në zyrën e tij përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Konkretisht pjesë e këtij takimi ishin ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart, ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzynska, vendi i së cilës tashmë mban presidencën e radhës së BE-së, zëvendësambasadorja SHBA-ve Deborah Jones dhe i dërguari i delegacionit të KE-së Luigi Brusa, të cilët kanë uruar kryebashkiakun për detyrën e re mbi administrimin e kryeqytetit. Megjithatë, trupi diplomatik ka mbërritur më herët në Bashkinë e Tiranës, ku fillimisht kanë ndjekur një pjesë të procedurave të zhvilluara mbi caktimin e drejtuesve të këshillit e më pas ceremoninë e betimit të kryebashkiakut Lulzim Basha. Pas betimit mbledhja e këshillit ka vijuar me procedurat e tjera, të cilat janë kryer në shumicë nga përfaqësuesit e së djathtës, duke qenë se pothuajse të gjithë këshilltarët e majtë braktisën mbledhjen.

Administrata lokale

Sot priten e emrat e nënkryetarëve të Bashkisë

Sot pritet që kryetari i ri i Bashkisë Lulzim Basha të prezantojë dhe nënkryetarët e institucionit dhe administratorin. Sipas ligjit, nënkryetarët emërohen nga titullari i institucionit dhe nuk kalojnë në procedurën e votimit në këshill bashkiak. Burime nga shtabi i Bashës shprehen se në ditët në vijim do të emërohen një nga një më së pari dhe drejtorët e dorëhequr dhe më parë do të shikohet për zëvendësimet e tjera. Gjithsesi, të njëjtat burime nuk dinë të thonë ndonjë emër të ekzakt, megjithëse brenda PD-së përfliten shumë të tillë. Gjithsesi, duket se në emërimet në bashki Basha do ketë një pavarësi më të madhe sesa ministrat e qeverisë “Berisha”. Nga ana tjetër, burimet shprehen se në përzgjedhje nga ana e Bashës nuk është parë vetëm kriteri i partishmërisë, por dhe ai i aftësisë, pasi dhe vetë programi ambicioz që ka paraqitur kreu i Bashkisë kërkon njerëz të aftë dhe të përkushtuar në punë. Vetëm pak ditë para marrjes së detyrës 21 drejtorë të lartë të Bashkisë së Tiranës dhanë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra nën pretendimin se ishin shkelur parimet e votës nga ana e gjykatës dhe nuk mund të punonin me kryetarin e sapozgjedhur. Në fakt, kjo krijon një situatë paksa kaotike në institucion, sepse në rast se do të ishte zbatuar parimi i rotacionit të butë, atëherë të sapoemëruarit e Bashës do të kishin një panoramë më të qartë mbi atë se ç’ka ndodh me administrimin e qytetit. Kështu që atyre që do marrin detyrat u duhet ta nisin gjithçka nga e para, megjithëse në Bashki vazhdojnë ende të punojnë specialistët e institucionit. Nga ana e tij Basha ka deklaruar se si parim të punës së tij në drejtimin e Bashkisë do të ketë përkushtimin e gjithsecilit në detyrë, duke lënë në plan të dytë përkatësinë partiake. Duhet theksuar se në Bashkinë e Tiranës ka dhe personel që e ka fituar vendin e punës me konkurs dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje me kreun e partisë ose të qenit ose jo anëtarë të Partisë Socialiste.

Rrjedhje votash nga majta në zgjedhjen e nënkryetarit të këshillit

Votimi për nënkryetarin në këshillin bashkiak solli dhe rrjedhje votash nga ana e të majtëve. Zamir Ndroqi, i propozuar nga PD-ja, arriti të marrë 29 vota, ndërkohë që këshilltarë bashkiakë të “Aleancës për Qytetarin” janë vetëm 28. Burime nga këshilli shprehen se më i mundshmi që të ketë votuar për Ndroqin është këshilltari i kandiduar nga PSV-ja Enver Reçi. Ky i fundit u vu re se nuk ishte dhe aq i bindur ndaj urdhrave të kreut të PS-së. Në çastin e hyrjes së Lulzim Bashës në sallë ishte i vetmi nga këshilltarët e majtë që u ngrit më këmbë, ndërkohë që edhe duartrokiti herë pas here gjatë fjalës së tij, gjë që nuk ka ndodhur me këshilltarët e tjerë socialistë. Dhe në çastin që u braktis salla nga ana e këshilltarëve ky ishte i vetmi që së bashku me Lorenc Vangjelin nuk ndoqën urdhrin për të bojkotuar mbledhjen. Nga ana tjetër, burime në PS shprehen se Reçi jo pak herë e ka shfaqur hapur kundërshtinë e tij ndaj kreut socialist Rama. Gjithsesi, në rast se vazhdon kështu, pra me votat e Reçit zbutet paksa situata delikate që ekziston në këshillin bashkiak, ku të dyja kampet i ndan vetëm një votë. Partia Socialiste në këshill ka 27 vota, kundrejt 28 votave që ka Partia Demokratike

Pika të programit

Adoptimin dhe zbatimin e masave për mundësimin e hipotekimit të banesave të pahipotekuara.

Hedhjen e bazave për një sistem të ri të financave të Bashkisë, që bazohet tek taksat dhe tarifat e reduktuara, shpenzime produktive dhe transparente.

Eliminimin e 60 llojeve të taksave/tarifave si dhe përgatitjen e paketës fiskale dhe të shpenzimeve për 2012

Ngritjen e sistemit informatik për pasqyrimin në faqen zyrtare të shpenzimeve të bashkisë

Përgatitjet për emetimin e kartës së studentit me tarifë zero dhe/ose të reduktuar lidhur me shërbimet bashkiake.

Përgatitjen e platformës së decentralizimit të kompetencave dhe burimeve drejt njësive bashkiake dhe përfaqësive të komuniteteve të lagjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›