Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako i kërkon Gjykatës së Lartë lirimin nga burgu

Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta hedhë poshtë vendimin e Apelit të Posaçëm për burgosjen e tij për “shpërdorim detyre”.
Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vijon të qëndrojë në burg që prej arrestimit më 6 qershor me urdhër të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.
Vendimi u mor më 18 korrik nga Apeli i GJKKO-së dhe atë pritet ta shqyrtojë tani gjyqtari Ilir Panda.
Arrestimet për shpërdorim detyre
Ish-kryebashkiaku Dako arrestua me akuzën për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet përfshinë procedurat e ndjekura në dhënien e një tenderi për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, si dhe lejen për ndërtimin e një pallati që përfundoi me 4 kate shtesë.
Bashkë me Dakon, SPAK lëshoi në qershor edhe 8 urdhërarreste të tjera për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe ndërtuesin e pallatit që u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Në rastin e tenderit, gabimi me një presje dhjetore në llogaritjen e sipërfaqes u bë shkak për 10-fishimin e vlerës së fondit limit nga 21 milionë lekë në 210 milionë lekë, me dëm 18 milionë lekë në buxhetin e shtetit.
/rtsh.al/