E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kryeministri: Për albanofobët, një bluzë me stemën e UÇK-së, më keq sesa fotoja e Hitlerit

19-09-2013 / Gazeta 55

Berisha: Klubi i PAOK-ut, klub albanofobësh – ndëshkimi i futbollistit Kaçe, një standard mesjetar

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ka marrë në mbrojtje futbollistin e talentuar të Kombëtares sonë Ergys Kaçe, i cili u bë viktimë e sulmeve mediatike greke dhe tifozërisë së ekipit grek për të cilin luan pas publikimit të fotografisë së tij me bluzën me inicialet e UÇK-së në Facebook. Duke e vlerësuar si viktimën e fundit të albanofobisë, Berisha shprehet se mjerisht, drejtues të klubit sportiv PAOK nga trysnia e nazistëve apo albanofobia e tyre, duan të ndëshkojnë me një standard mesjetar futbollistin. “O sa mirë me qenë shqiptar! Për albanofobët, një bluzë e kuqe me germat e UÇK-së, më keq sesa foto e Hitlerit. Të dashur miq, prej disa javësh viktima e fundit e albanofobisë është bërë futbollisti i talentuar shqiptar që luan në ekipin e klubit PAOK të Selanikut dhe në kombëtaren tonë, 20 vjeçari Ergys Kaçe. Shkak i stuhisë raciste mesjetare kundër yllit të futbollit është bërë postimi prej tij në Facebook i një fotoje personale, në të cilën ai ka dalë me një bluzë të kuqe ku shkruhet UÇK. Këtë betejë e nisën nazistët grek, dhe dihet se racizmi është ideologjia e tyre. Por mjerisht, drejtues të klubit sportiv PAOK nga trysnia e nazistëve apo albanofobia e tyre, duan të ndëshkojnë me një standard mesjetar futbollistin”- shkruan Berisha. Në vijim të komentit të tij, Berisha thekson se një bluzë e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë kërcënim për asnjeri. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova janë të përcaktuar qartë për respektim të plotë të kufijve ekzistues. “Në rast se vendimi i tyre është rezultat i trysnisë së nazistëve kjo është një fatkeqësi jo vetëm për këtë klub me emër, por edhe për qytetin e hapur të Selanikut. Në rast se qëndrimi i tyre ka në bazë urrejtjen për UÇK-në, atëherë eksponentët e Agimit të Artë duhen konsideruar më të civilizuar pasi së paku janë të hapur. Një bluzë e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë kërcënim për asnjeri. Shqipëria dhe Kosova janë të përcaktuar qartë për respektim të plotë të kufijve ekzistues, por për çdo shqiptar ajo përfaqëson djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, qe me sakrificën e tyre sublime iu rikthyen shqiptarëve të pushtuar, lirinë dhe dinjitetin e munguar dhe bënë edhe Ballkanin më të lirë, më të drejtë”- përfundon reagimin e tij, Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›