Ish-kryeprokurori i Beratit diskreditoi figurën e prokurorisë
Procedimi disiplinor
Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme ka filluar procedimin disiplinor ndaj ish-kryeprokurorit të Beratit, Xhemal Saliasi. Objekti i këtij procedimi është dalja publike e Saliasit kundër sistemit të prokurorisë. Sipas ligjit Për prokurorinë një prokuror nuk lejohet të japë konferenca apo deklarata shtypi pa marrë më parë leje në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Burime nga Këshilli pohojnë për gazetën Shqip se kanë filluar verifikimet e para dhe së shpejti Saliasi, që tashmë është prokuror i thjeshtë po në Berat, do të japë shpjegimet rreth këtij procedimi. Konflikti mes Saliasit dhe prokurorisë ka ardhur pas një çështjeje në Prokurorinë e Beratit, ku i implikuar ishte shoferi i Saliasit. Akuza qendrore vlerësoi se delegimi i çështjes së shoferit të Xhemal Saliasit në Prokurorinë e Lushnjës ishte i gabuar. Me një vendim të Kryeprokurores Ina Rama, Saliasi u largua si drejtues në Berat, ndërsa i proceduari doli në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë duke akuzuar krerët e Prokurorisë së Përgjithshme. Madje, depozitoi edhe një padi në Gjykatën e Tiranës, ku akuza qendrore, sipas Saliasit, kishte vepruar gabim me një urdhër. s.ç
Ish-kryeprokurori i Beratit diskreditoi figurën e prokurorisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip