Tre vëllezër vrasin kryeplakun sa del nga zyrat e shtetit
Gjakmarrja
Viktima doli nga burgu dy vjet më parë, por nuk u ngujua
Prita
Lulash Qarri, kryeplak i Malit të Jushit u qëllua me gjashtë plumba në qendër të Bushatit
Ardi Hoti
Duke vrarë për babanë, e vrarë, e duke vuajtur dënimin për krimin e kryer, Lulash Qarri kishte menduar se hesapet ishin larë me familjen Qosja në Bushat të Shkodrës, me të cilin ishte në gjak prej 20 vitesh. Për këtë, 40-vjeçari, i cili kishte dy vjet që kishte dalë nga burgu, as vetë dhe as djali i tij 14-vjeçar, nuk ishin ngujuar asnjë ditë brenda, madje ishte zgjedhur edhe kryeplak i Malit të Jushit. Por, duket se tre fëmijët e viktimës së vitit 2001, i vrarë nga Qarri, nuk ia kanë falur gjakun, duke e ekzekutuar me gjashtë plumba pistolete pranë makinës së tij. Bëhet fjalë për ngjarjen që ka tronditur edhe një herë Shkodrën, kur vetëm dy net më parë, në emër të Marias së vrarë, pati një tubim kundër gjakmarrjes. Ndërsa policisë, si përherë, pasi nuk ka mundur ta parandalojë këtë gangrenë, i ka mbetur të shpallë në kërkim tre personat e dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në banesë.
40-vjeçari Lulash Qarri, kryeplak i fshatit Mali i Jushit, i cili kishte dy vite që kishte dalë nga burgu për një vrasje të kryer 11 vite më parë, është qëlluar për vdekje paraditen e djeshme në qendër të komunës Bushat. Viktima ka qenë i vetëm dhe është qëlluar nga një distancë e afërt me gjashtë plumba pistolete në trup në momentin që po futej në makinë. Në tentativë për ti shpëtuar plumbave, viktima ka përfunduar në një kanal buzë rrugës, pranë automjetit të tij. 40-vjeçari ka gjetur vdekjen në vend për shkak të plumbave të shumtë dhe hemorragjisë së shkaktuar. Viktima, pak minuta para se të qëllohej, ndodhej në komunën Bushat, ku po zhvillohej një mbledhje me gjithë kryepleqtë e komunës Bushat. Sapo ka mbaruar mbledhja, viktima ka dalë në pritë dhe është qëlluar për vdekje. Autorët e ngjarjes, sipas burimeve nga policia, kanë qëndruar në ndjekje të viktimës që në orët e para të mëngjesit, pikërisht nga momenti kur ka dalë nga banesa derisa është qëlluar.
Një bashkëfshatar i viktimës, duke folur për gazetën shprehet se viktima, që në kohën kur ka dalë nga burgu, nuk ka qëndruar i ngujuar. Në kanun thuhet se gjaku lahet me gjak. Kur të kanë vrarë dikë, kanuni thotë se duhet të vrasësh një të gjakësit. Pasi e ke vrarë, gjakmarrja mund të mbyllet, por kjo nuk ndodh gjithmonë, e kështu gjaku të ndjek edhe me shekuj, tregon i moshuari, i cili shprehet se e njihte mirë historinë e dy fiseve. Por, sipas tij, Qarri mendonte se familja tjetër e kishte mbyllur këtë gjakmarrje, pasi të atin ia kishin vrarë kot dhe ky ishte hakmarrë pikërisht në kryefamiljarin e familjes Qosja. Madje, për këtë ishte dorëzuar në polici dhe kishte vuajtur dënimin sipas ligjeve në fuqi. Por, që nga momenti që ka dalë nga burgu, diku dy vjet më parë, ai nuk është ngujuar. Mbase mendonte se gjakun ia kishin falur. Mbase mendonte se më mirë të vrisnin atë se djalin e tij, i cili është 14 vjeç dhe me kanun mund të merret gjak në të, shpjegon bashkëfshatari i zonës, i cili shton se e ka lexuar disa herë kanunin.
Historia e gjakmarrjes fillon në vitin 1992, ku, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, vritet me armë zjarri kryefamiljari i familjes Qarri dhe për këtë vrasje, viktima e djeshme, Lulash Qarri, 11 vite më parë vrau në shenjë gjakmarrje kryefamiljarin Qosja. Autori Lulash Qarri arrestohet nga policia në vitin 2001, kur ka bërë vrasjen dhe për këtë krim është dënuar me 13 vite burg. Pasi ka kryer më shumë se nëntë vite burg, është liruar, ndërkohë që dje u qëllua për vdekje.
Shoqërimet
Policia e Shkodrës deklaroi për Shqip se dje janë shoqëruar pesë persona që dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen dhe mund të ndihmojnë në dokumentimin e saj
Dyshimet
Shpallen në kërkim tre vëllezër të familjes Qosja
Pas vrasjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje, duke mbajtur të rrethuar gjithë zonën në fjalë, të cilët kanë mundur të identifikojnë tre të dyshuar dhe ti shpallin në kërkim. Gjithashtu, janë ngritur disa postblloqe të lëvizshme, ndërkohë që forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës kanë zhvilluar disa aksione, si krehje të zonës malore, ku banojnë autorët e ngjarjes dhe kontrolle banesash. Mësohet se në kontrollet e banesave të familjes Qosja, në Mal të Jushit, policia nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë. Autorët e ngjarjes, që sipas policisë janë identifikuar, janë shpallur në kërkim e po punohet për kapjen e tyre. Ata janë tre vëllezërit e familjes me iniciale G. Qosja A. Qosja dhe N. Qosja, ndërkohë që janë shoqëruar pesë persona që dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.
Avokati i Popullit
Reagon Totozani për gjakmarrjen
Avokati i Popullit, Igli Totozani reagoi dje në lidhje me vrasjet e kohëve të fundit me motiv gjakmarrjen. Ky institucion e konsideron luftën kundër fenomenit të gjakmarrjes dhe deviacioneve kriminale me të njëjtin motiv, si një nga prioritetet më të rëndësishme të punës së tij. Avokati i Popullit po ndërmerr ditët e fundit disa iniciativa për sensibilizimin e shoqërisë mbi problematikën e rëndë e të shtuar të gjakmarrjes, iniciativa këto që do jenë pjesë e axhendës në muajt në vijim.
Policia
Alarmi, shifrat për familjet e ngujuara
Policia e Shtetit ka të evidentuara 200 familje në hasmëri për Qarkun e Shkodrës, Pukës dhe Malësisë së Madhe, prej të cilave rezultojnë 116 persona të ngujuar. Pak kohë më parë, Policia e Shtetit prodhoi një dokument zyrtar, të tillë për të treguar situatën që vjen për shkak të konflikteve dhe gjakmarrjes. Ky dokument, sipas informacioneve të mbledhura në rrugë operative nga agjentët e policisë kriminale, evidenton se për Qarkun e Shkodrës ndodhen të ngujuara 48 familje, me 116 pjesëtarë, prej të cilëve 21 fëmijë nuk shkojnë në shkollë për shkak të ngujimit.
Tre vëllezër vrasin kryeplakun sa del nga zyrat e shtetit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip