Ish-kryetari Edi Rama do mbetet vetëm me shalësat
Kreu i qeverisë deklaroi dje se numri i shqiptarëve që do të mbështesin Edi Ramën, do shkojë vazhdimisht në ulje, duke e katandisur atë në një vorbull të ngushtë, të rrethuar vetëm nga shalësat dhe i braktisur nga shqiptarët. Sipas kreut të qeverisë, shqiptarët votëbesuan alternativën e integrimit, ndërsa flakën doktrinën e mashtrimeve, shpifjeve dhe trillimeve, të ish kryetarit Edi Rama.
TIRANE - Në kuadër të turit post elektoral, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në periferi të kryeqytetit, në Kamëz, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, financime të buxhetit të shtetit. Gjatë këtij turi inaugurimesh, Berisha falënderoi banorët e komunës Ballagat, bashkisë Kamëz dhe qytetarët e të gjithë Shqipërisë, për besimin që i dhanë Partisë Demokratike dhe personalisht kreut të PD dhe njëherazi vetë kryeministrit Berisha, duke vendosur një ndryshim të madh në këtë mes, pasi vlerësuan programin e kësaj qeverie dhe flakën doktrinën e mashtrimeve të ish kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.
“Këtu nga Kamza, edhe një herë dua të ndalem në fitoren në komunën e Ballagatit. Ajo është një fitore që ka ngrohur zemrat e të gjithë shqiptarëve. Ajo është dëshmi e një ndryshimi të madh, në vlerësimin e programit të kësaj qeverie. Por nga ana tjetër është edhe një flakje e doktrinës së mashtrimeve, shpifjeve dhe trillimeve, me të cilën ish-kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u paraqit para shqiptarëve për vite të tëra. Shprehem këtu për ish-kryetarin, jo se atij i është ndërprerë mandati nga statuti i tij, se çështjet e statutit të partisë së tij nuk më interesojnë mua, por e vërteta është se me leksionin e madh që i dhanë shqiptarët më 28 qershor, ai mund të rrijë të shpifë, të trillojë, të mashtrojë, por çdo ditë numri i shqiptarëve që do i besojnë atij do të pakësohet, deri sa ta lenë vetëm me shalsat e tij”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit garanton të gjithë shqiptarët se katër vitet në vijim do të jenë vitet e ndryshimeve të mëdha, vitet e një Shqipërie me standarde bashkëkohore dhe të integruar.
“Ndaj edhe unë ju ftoj që të vazhdojmë të festojmë fitoren me vepra konkrete, të festojmë fitoren duke lënë mbrapa një prapambetje të madhe që nuk e meritonim; duke lënë mbrapa një problematikë të madh që trashëguam. Ju jeni dëshmitarë se në çfarë kushtesh ndërtuat shtëpitë tuaja në këtë zonë dhe cilat janë ndryshimet e kësaj zone gjatë këtyre 4 viteve. Unë ju garantoj ju, se 4 vitet që vijnë, do të jenë vitet e ndryshimit më të madh pozitiv të këtij qyteti dhe të mbarë qyteteve dhe të fshatrave të vendit. Në këto 4 vite, Shqipëria që po ndryshon, do të jetë një Shqipëri krejt tjetër, do të jetë një Shqipëri e standardeve të reja, një Shqipëri gjenerator i fuqishëm punësimi; një Shqipëri në të cilën, shkollimi cilësor, shërbimi shëndetësor cilësor, infrastruktura moderne, do të bëhen një realitet për të gjithë vendin”, u shpreh Berisha.