E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat aktuale do të dalin jashtë përdorimit në janar të vitit 2011

Pasaportat biometrike, 2200 aplikime në ditë, deri tani 80 mijë shtetas janë pajisur

TIRANE – Pajisja e qytetarëve shqiptar me pasaporta biometrike, si një nga kushtet kryesor që Shqipëria duhet të përmbushur për të marrë një vendim pozitiv nga Brukseli për liberalizimin e vizave, po ecën në rrugë të mbarë. Autoritetet shqiptare, duke parë numrin në rritje të aplikimeve, menjëherë pas zgjedhjeve, besojnë se deri në fund të vitit do të kenë një shifër bindëse për zyrtarët evropianë që monitorojnë plotësimin e kushteve nga Shqipëria.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti, deri më tani kanë aplikuar për pasaporta biometrike rreth 80 mijë shtetas shqiptare dhe gjatë muajit korrik fluksi llogaritet në 2000-2200 aplikime në ditë.
Duke iu referuar përvojës së vendeve të rajonit që kanë marrë vendimin e liberalizimit të vizave nga Brukseli, Teliti nxit qytetarët të bëjnë aplikimin për të pasur një përfitim konkret.
“Me një vendim të pritshëm në 6-mujorin e parë, nëse BE liberalizon vizat, çdo qytetar me pasaportat biometrike lëviz i lirë në Evropë”, u shpreh Teliti.
Për ato që kanë një vizë në pasaportën aktuale, duhen të kenë kujdes, sepse me të marrë pasaportën biometrike, dokumenti aktual, del menjëherë jashtë përdorimit.
Megjithatë një rrugëdalje për të mos djegur vizën dhe njëkohësisht të aplikosh për pasaportën biometrike ekziston.
Personat që kanë një vizë të vlefshme në pasaportë mund të aplikojnë dhe ta tërheqin pasaportën biometrike atëherë kur viza skadon.
Megjithatë kjo nuk mund të vazhdojë gjatë pasi pasaportat aktuale do të dalin jashtë përdorimit në janar të vitit 2011 dhe kjo duket se do të jetë e vetmja masë shtrënguese që qeveria do të ndërmarrë për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, ndryshe nga sa veproi me kartat e identiteti.
“Karta është dokumenti i detyrueshëm për t’u pajisur, ndërsa pasaporta është në interesin e qytetarit që ta ketë. Qeveria nuk duhet të marrë masa shtrënguese, pasi procesi do të vijë natyrshëm”, u shpreh Teliti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›