E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pirati, yll global i ditës

Për trembëdhjetë muaj rresht, nga shkurti i vitit 2002 deri në mars të vitit 2003, një hackers, emri me të cilin quhen piratët informatikë, ishte futur në rrjetin e kompjuterëve të Forcave të Armatosura Amerikane dhe të NASA-s, duke shkaktuar atë që u quajt nga prokurori amerikan si “vjedhja dhe manipulimi më i madh kompjuterik i të gjitha kohërave”. Pseudonimi i hackersit ishte “Solo”, ndërsa emri i vërtetë i përputhej skocezit Gary McKinnon, që sot është 44 vjeç dhe pret ekstradimin në Shtetet e Bashkuara.

Shkatërrim password-esh, muresh mbrojtëse, publikim dokumentesh tepër sekret, janë vetëm disa nga dëmet për të cilat akuzohet, e shoqëruar me një faturë financiare prej 800 mijë dollarësh, që iu desh qeverisë federale të SHBA të shpenzonte për të mbyllur vrimën e sistemit dhe zëvendësimin e serverëve dhe kompjuterëve.

Në kohën e vet, McKinnon ishte ylli i të gjithë piratëve të rrjetit anembanë globit, ashtu siç ishte edhe një simbol për antiglobalistët, anarkistët dhe adoleshentët që të kufizuar nga oraret e vendosura nga prindërit, të mbyllur në dhomat e tyre, tentojnë të bëhen të famshëm, ose të gjejnë idealet e tyre në imputet e rrjetit. Ndërsa vetë McKinnon, pas famës së momentit, aktualisht përpiqet t’i shpëtojë ekstradimit.

Një ish-pirat i dikurshëm i rrjetit gjeti një rrugë më të bujshme për t’u bërë ylli i ditës: Krijoi një sit online, të cilin për ta bërë sa më popullor dhe të kapshëm për veshin e masës së lundërtarëve të rrjetit, emrin e parë të togfjalëshit e quajti Wiki, që në gjuhën havaiane do të thotë “shumë i shpejtë”. Ka me mijëra site që kanë këtë emër, siç është Wikipedia-enciklopedia online; por më i famshmi për momentin është “WikiLeaks” dhe themeluesi i saj Julian Assange, ylli i çastit.

Sot që të gjithë flasin për të. Disa, dhe në këtë rast ata më të prekurit, që janë Departamenti i Shtetit i SHBA, e trajtojnë me mospërfillje; disa regjimeve autoritare iu erdhi zogu në dorë për të vënë në pah edhe një herë dobësinë e sistemit amerikan dhe këtu nuk mungoi qershia mbi tortë e Putin-it, i cili i dha Perëndimit leksionin e disatë mbi demokracinë; të tjerë e quajnë hero të shtypit të lirë; disa të tjerë, ku përfshihet edhe ish-presidenti i Brazilit, Lula, kërkojnë lirimin e tij; ndërsa piratët e rrjetit e kanë tashmë mitin e tyre dhe janë lëshuar në një luftë të paprecedentë për të dëmtuar institucionet, rrjetet informatike ose faqet online të institucioneve dhe organizmave që mendojnë se kanë gisht në ndalimin e Assange: Kartat e kreditit, që janë simbol i rrjeteve bankare, por edhe dëshmi e kapitalizmit, janë bërë pre e goditjes pirateske, ndërsa rrjeti “Amazon” i shitjeve online, i cili kishte bllokuar lëvrimin e dosjeve të australianit më të famshëm të ditës, për të mos qenë në vazhdimësi pre e sulmeve, u detyrua të rifillojë shitjen e dosjeve me çmimin prej 5 eurosh për 5.000 faqe dokumente.

Vështirë të gjesh temë të re për t’u trajtuar në këtë ngjarje të ditës, pasi çdo organ shtypi serioz ose skandalistik; gazeta online ose blog thashethemesh nuk ka mbetur pa u marrë me autorin, ngjarjen dhe pasojat e saj. Dikush e quajti një 11 shtator të diplomacisë amerikane, megjithëse në të kishte vetëm korrespondencë të thjeshtë, rutinë e çdo përfaqësie, të ambasadave ose konsullatave me qendrën dhe të cilat në shumicën e rasteve, transkriptonin thashethemet e vendit ku ishin akredituar, për t’ia bërë të ditura Departamentit të Shtetit. Fakti që Sarkozi është autoritar, Berluskoni qejfli, apo Erdogani i babëzitur nuk është gjë e re për francezët, italianët dhe turqit dhe janë thashetheme që qarkullojnë hapur ose nën zë në shoqëritë respektive, por jo domosdoshmërisht këto i di specialisti që mbulon vendin respektiv në Departamentin e Shtetit dhe me këto materiale ky specialist plotëson dosjen e vendit që mbulon. Dikush priste të gjente fakte për ndërhyrjen e SHBA në punët e brendshme të vendit, ku ambasada ishte e akredituar; të dokumentonte fantazitë shpesh të ndezura po nga filmat e Hollywood-it mbi grushtet e shtetit apo teoritë komplotiste; për të dokumentuar atë që spektri i rrymave antiamerikane që fillojnë nga islami, siç e kupton Bin Ladeni, deri te lëvizjet guerile alla maoiste të Nepalit i quajnë si ndërhyrje dhe komplote të satanait të madh, për të vendosur pushtetin e tij mbarëbotëror. Fatkeqësisht edhe këta do mbeten të zhgënjyer, pasi nëse SHBA ka operacione sekrete, ashtu si çdo vend serioz ka shërbimet e tij inteligjente për të mbrojtur qytetarët e tij dhe interesat e veta, këto nuk janë në Departamentin e Shtetit, por duhet të presin që të lajthisë ndonjë oficer në radhët e CIA-s ose në radhët e 16 agjencive inteligjente që ka SHBA dhe t’ia kalojë këto të dhëna piratit-yll të radhës.

Fakti që Departamenti i Shtetit mbajti një qëndrim indiferent, ka lidhje jo me dëmtimin e punës dhe synimet e Amerikës, por me nxjerrjen në dritë të emrave të diplomatëve që kanë përpiluar relacionet dhe kjo shkakton rënie besimi të tyre në vendet ku janë akredituar.

Zbulimet e Assange do prishin karrierën e dikujt, por ky profesion prapë kështu do vazhdojë të operojë, pasi qysh kur shoqëria njerëzore është kjo që njohim dhe lajmësit e parë të grekëve të pajisur me një “diplomë” që vërtetonte përkatësinë e tyre, shkonin te fqinjët për t’iu çuar lajme nga vendi i tyre dhe për të parë se çfarë bëhej në vendet që i prisnin për t’i çuar në vendet e tyre, thelbi i diplomacisë ka qenë ky dhe ky do vazhdojë të mbetet.

Rasti i Assange, McKinnon dhe shumë të tjerëve që kanë qenë në të shkuarën apo do të nxjerrë e ardhmja, janë shembulli i emancipimit të shteteve dhe njerëzve; dëshmi e rrugës që bëjnë njerëzit dhe shoqëritë për t’u përsosur dhe për t’i dhënë shtetit fytyrë më njerëzore; ndoshta një rast që mezi do kujtohet të nesërmen, por edhe një ndihmesë për t’u ndier më të lirë dhe pa frikë nga mekanizmi që e quajmë shtet dhe e kemi pranuar si pakt social për rregullimin e shoqërisë, por që shpesh na merr liritë, për mos folur për rastet kur është armë kundër njerëzve të lirë.

A do jetë në të ardhmen Assange një pikë referimi i gazetarisë; një dishepull i lirisë së informacionit, apo thjesht një pirat inteligjent që arriti të godiste aty ku shumë të sojit të tij ëndërrojnë, është shpejt për t’u thënë dhe aksioni i tij e kualitetet pak bëjnë të shpresosh se është një personazh që do t’i takojë historisë së mendimit, por ajo që ia arriti është se mundi të thithte mbi vete dritat e skenës botërore dhe do kujtohet për pak kohë shumë dhe për shumë kohë pak. Po a nuk është kjo që me miliona njerëz do jepnin njërën dorë t’iu ndodhte.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›