E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët rrëfejnë hilenë e kopjeve me kufje

Rrëfimi Shtohet kuota e specializimeve, do të përfitojnë mbi 400 mjekë të rinj

Kufje mbi 10 mijë lekë të reja, teknologji e avancuar janë pjesë e “armaturës” së studentëve të vitit 2010. Mund të duket e çuditshme, por pa to nuk bëhet dot. Një kopje të tillë aksesorësh i ka marrë me vete në mbledhjen e këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, studenti Taulant Muka. Si pjesë përfaqësuese e studentëve ai ka nxjerrë në pah edhe të metat e brezit të studentëve të sotëm, të cilët ende nuk e kanë kuptuar që në operacion apo në konsultë pas përfundimit të shkollës nuk do të ketë më asnjë kufje që të marrë përsipër të shpëtojë jetën e pacientëve, t’i trajtojë e t’i diagnostikojë ata. Të tilla kufje më të vogla edhe sa një vath, pothuajse të padukshme nga syri i lirë, i kanë të gjithë studentët, me financa të shëndosha, por edhe me një gjendje mesatare ekonomike. Nuk pritej që këto kufje të përdoreshin si mjet për të marrë provimet studentët e Mjekësisë, të cilët studiojnë disiplina aq të rëndësishme sa shëndeti i njeriut. Këto metoda, këshilli studentor i fakultetit i ka denigruar, duke e quajtur të turpshme dhe të pafalshme një mënyrë të tillë përgatitje në testime e provime. Nga ana tjetër, një tjetër “bonbone” për studentët ka qenë edhe vendimi për miratimin e më shumë se 400 kuotave për specializime nga mbi 300 që ishin. Për sa u takon detajeve të mëtejshme të bashkëpunimit student-pedagog, dekanat-profesorat, sot studentët e Fakultetit të Mjekësisë do të zhvillojnë një konferencë dhe do të dalin në një njoftim zyrtar. Pas mbledhjes, të lodhur, por jo tepër të gëzuar, studentët me skepticizëm presin zbatimin e të gjitha kritereve të vendosura nga rektorati i Universitetit të Tiranës, ndërsa do të kërkojnë në mënyrë të menjëhershme realizimin e premtimeve dhe përmirësimit të gjendjes, referuar nga profesorë e dekani i fakultetit.

Për dy javë me radhë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë janë ankuar dhe kanë publikuar në një listë të gjatë të të gjitha problematikave, shqetësimet lidhur me profesionin që kanë zgjedhur për të ardhmen. Mbetet ende në projekt dëshira e tyre për të binjakëzuar fakultetin e qendrën universitare “Nënë Tereza” me homologë europianë e perëndimorë, për të parë sadopak grimca të vogla, nga “magjia” e tyre e madhe...

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›