E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kryqëzatë” në Fakultetin e Mjekësisë

Mblidhen profesorët, fitojnë kërkesat e studentëve, por nuk miratohet largimi i dekanit

Një mbledhje që do të mbahet mend është ajo e djeshmja pranë rektoratit të Universitetit të Tiranës. Për më shumë se 3 orë këshilli i profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë kanë debatuar dhe diskutuar me studentët, dekanin e rektorin e UT-së. Lajmi i mirë është që asnjë nga studentët nuk do ta nisë grevën e urisë. Konsensusi dhe marrëveshja e xhentëlmenëve bërë dje mes strukturave ka rrëzuar rrugën e zgjidhjeve të problemeve nëpërmjet protestave dhe grevës së urisë. Studentët kanë fituar të drejtën e tyre dhe është rënë dakord që në Fakultetin e Mjekësisë do të bëhet një reformim. Deri në muajin prill departamentet kanë për detyrë të përkthejnë të gjithë literaturën e nevojshme për zhvillimin normal të mësimit. Ndërkohë që rektorati do të vendosë një shumë prej 50 milionë lekësh për përkthimet e literaturës.

Një pjesë e botimeve do të merren nga Maqedonia, që ka lëvruar në fushën e përkthimeve, ndërkohë që tekstet para viteve 2000 nuk do të jenë më në përdorim. “Kemi rënë dakord që do përmbushen disa nga kërkesat tona. Një pjesë e mirë e pedagogëve janë dakord me kërkesat tona. Një pikë për të cilën diskutuam në mbledhje është edhe zgjedhjet e këshillave të pedagogëve, që deri më sot ishin emëruar nga dekani”, sqaroi përfaqësia e këshillit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, pjesëmarrës në mbledhjen e djeshme.

Sipas studentëve, profesorët kanë rënë dakord që të ketë një reformim në fakultet, të dëgjohen kërkesat e studentëve dhe sidomos të merren në konsideratë të gjitha pretendimet e tyre

lidhur me literaturën, internetin apo zhvillimin e orëve të mësimit, të praktikës e gjithçka që nevojitet për t’u përgatitur si mjekë të ardhshëm. Po ashtu, sipas studentëve, dy ditë më parë ka nisur edhe informatizimi i sekretarisë mësimore. Kjo do të thotë që studentët tashmë do të informohen përmes një procesi të standardizuar dhe në kohë.

Mbledhja

Të pranishëm në mbledhje, studentët kërkuan edhe një herë disiplinë dhe cilësi në procesin mësimor. Profesorët e Fakultetit të Mjekësisë mbështetën studentët në kërkesat e tyre, si dhe deklaruan se stafi pedagogjik i fakultetit nuk është paguar për muajin dhjetor. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, paralajmëroi se do të ndërpritet kontrata e punës me të gjithë ata pedagogë që nuk zhvillojnë mësim. Ndërsa caktoi muajin prill si afatin e fundit për përkthimin e teksteve bashkëkohore për Fakultetin e Mjekësisë.

Për sa i takon largimit të dekanit të Mjekësisë, ashtu siç kishin kërkuar studentët, me këtë pjesë nuk është marrë askush. Dekani i Mjekësisë ka qenë i disponueshëm për të folur e për të rakorduar lidhur me procesin e përmirësimit të punës në fakultet. Ndërsa askush nuk është marrë me kërkesën për largimin e tij, për të diskutuar postin e tij në krye të fakultetit. Diskutimi për largimin e dekanit mbeti një diskutim i panisur e i papërfolur nga asnjë prej palëve të pranishme.

Shqetësimet

Me tone të buta, dekani i Mjekësisë ka referuar se pavarësisht problematikave e kërkesave, një grup studentësh nuk mund të hedhë baltë mbi Fakultetin e Mjekësisë. Sipas Alfred Priftanjit, në këtë institucion të arsimit të lartë, duhet vlerësuar kontributi i gjithsecilit dhe puna e bërë. Megjithatë, studentët gjatë këtyre dy javëve kanë deklaruar se vlerësojnë një pjesë të pedagogëve që janë të përkushtuar dhe nuk mund të pranojnë nga ana tjetër, një pjesë të mirë të krerëve të këtij fakulteti të mos jenë seriozë në mësim. Sipas studentëve, një pjesë e pedagogëve japin mësim dhe në universitete të tjera, janë të punësuar në klinika publike e private, ata nuk kanë kohë fizike për t’u përkushtuar ashtu siç kërkojnë studentët.

Orët e praktikës lënë ende për të dëshiruar, shumë prej mjekëve të rinj në vit të katërt ose të pestë nuk dinë të bëjnë një vizitë të thjeshtë, nuk u jepet mundësia e praktikës e për më shumë janë të paditur në gjëra elementare. Mbetën të padiskutuar në mbledhje problemet e binjakëzimit të qendrave shëndetësore, problemi i zhvillimit të konkursit të specializimeve në detaje, si dhe zgjedhjet e reja të këshillave të profesorëve në këtë fakultet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›