E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora vështirëson qarkullimin edhe në Jug

Gjirokastër

Bora e parë ka “pushtuar” pothuajse të gjithë territorin e Qarkut të Gjirokastrës. Dje, në orët e para të ditës, disa komuna të rretheve Tepelenë, Përmet dhe Gjirokastër janë gdhirë të bllokuara nga dëbora, ndërkohë që ka pasur probleme edhe në qarkullimin e automjeteve në pjesët malore të rrugëve kombëtare. Kështu, në vendin e quajtur Qafa e Muzinës, trashësia e borës ka arritur rreth 5 centimetra në rrugë, megjithatë nuk ka pasur ndërprerje të qarkullimit. Ndërkaq, autoritetet lokale njoftojnë se aksi rrugor Gjirokastër-Tepelenë është plotësisht i kalueshëm pa asnjë problem. Në Komunën Pogon, lëvizja drejt Gjirokastrës bëhet me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës varion nga 8 deri në 12 centimetra në rrugë. Në Komunën e Picarit, lëvizja nga fshati Golem për në drejtim të Gjirokastrës bëhet me zinxhirë, pasi edhe në këtë fshat, trashësia e dëborës arrin deri në 15 centimetra. Ndërsa komunat e tjera të Rrethit të Gjirokastrës, lëvizja bëhet pa zinxhirë, pasi trashësia e dëborës është 3 deri në 5 centimetra. Ndërkaq aksi nacional Tepelenë-Ballsh është plotësisht i kalueshëm pa asnjë problem. Në rrethin e Tepelenës raportohet për probleme në Komunën e Kurveleshit, nga ku lëvizja në drejtim të Tepelenës bëhet me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës varion nga 12 deri në 15 centimetra. Gjithashtu në Komunën e Lopësit, lëvizja për në drejtim të Tepelenës është bërë me zinxhirë, pasi trashësia e dëborës varion nga 10 deri në 12 centimetra. Ndërsa në komunat e tjera, lëvizja bëhet pa zinxhirë pasi trashësia e dëborës arrin deri në 5 centimetra. Ndërkaq në Rrethin e Përmetit, në Komunën Frashër, trashësia e dëborës ka arritur deri në 20 centimetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›