Ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk i përgjigjen EULEX-it

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së, kanë vendosur që të mos i përgjigjen ftesës së prokurorisë së EULEX-it, e cila ka lëshuar fletarrest për shtatë anëtarë të këtij këshilli.
Anëtarët e Këshillit bënë thirrje që të miratohet sa më shpejt ligji për kategoritë e dala nga lufta. Ata gjithashtu paralajmëruan edhe protesta. Anëtari i këtij këshilli, Ylber Selmani, ka thënë se urdhërarresti për shtatë anëtarë të këtij këshilli, duke përfshirë edhe kryetarin, është lëshuar për shkak të një proteste në korrik të viti 2009. Ai ka thënë se nuk pajtohen në asnjë mënyrë me veprimet e misionit evropian në Kosovë, që ka për qëllim, siç tha, njollosjen e vlerave të luftës. Sipas tij, Prokuroria e EULEX-it duhet të merret edhe hetimin e masakrave të kryera në Kosovë.
Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së, i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës, që sa më shpejt të miratojnë ligjin për kategoritë e dala nga lufta, në mënyrë që të drejtat e tyre dhe vlerat e luftës të mbrohen me ligj. Anëtarët e Këshillit thanë se do të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre në çdo formë, duke paralajmëruar edhe demonstrata të dhunshme.