E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-polici i zhdukur, familjarët: Duam trupin

FUSHE-KRUJE- Familjarët e ish-policit të zhdukur prej më shumë se dy javësh, Anton Preni, bëjnë apel së paku për gjetjen e trupit të tij. Ata pohojnë se kanë humbur shpresat për ta gjetur gjallë, pasi familjari i tij po bën 15 ditë i zhdukur dhe nuk kanë marrë asnjë sinjal prej tij. 45-vjeçari rezulton i zhdukur që prej datës 3 gusht. Me gjithë kërkimet intensive, të kryera kryesisht nga familjarët dhe të afërmit e tij, nuk ka asnjë rezultat. Familjarë të ish-policit, i cili së fundmi punonte si tullëpjekës në fabrikën e tullave në Fushë-Krujë, u shprehën se nuk shpresojnë ta shohin më të gjallë 45-vjeçarin, ndërsa i bëjnë apel kujtdo që ka dijeni në lidhje me vendndodhjen e tij, ti lajmërojë. Ata dyshojnë se babai i tre fëmijëve, Anton Preni, është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur me qëllim humbjen e gjurmëve. Dyshimi i tyre lidhet me një hakmarrje të mundshme, pasi vëllai i Prenit rezulton të jetë i dënuar me 13 vjet burg për një vrasje të kryer disa vite më parë. Burime nga Policia e Durrësit, e cila është duke kryer hetimet në lidhje me zhdukjen misterioze të ish-kolegut të tyre Antoni Preni, bënë të ditur se nuk kanë diçka konkrete që mund të hidhte dritë mbi zhdukjen misterioze të 45-vjeçarit, por hetimet vijojnë. l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›