Xherrard: Një Lirepul i fortë e kalon ManJu
Kapiteni i Liverpulit, Stivën Xherrard shpreson se përforcimet që do t’i sjellë klubi këtë verë mund ta krijojnë një balancë në luftën e tyre me Manccester Junajtid. Ekipi i Sër Aleks Ferguson i kaloi rivalët historikë, duke e siguruar titullin e 19-të në Premierligë muajin që shkoi. Në anën tjetër, Liverpuli nuk e ka fituar ligën që nga viti 1990. Trofeu i fundit i këtij ekipi daton në vitin 2006 në FA Cup. Pronarët e ‘Fenëay Sports Group’ po planifikojnë të bëjnë përforcime afatgjata. Ata së fundmi transferuan përfaqësuesin U-21 të Anglisë, mesfushorin Xhordan Henderson për 20 milionë stërlina. Xherrard është optimist se ‘Reds’ mund ta ndalin Junajtid dhe se do të fitojë më shumë trofe para se ta përfundojë karrierën në “Anfield Road”. “Si fans dhe lojtar i Liverpulit, është zhgënjyese t’i shohësh rivalët e përjetshëm duke ngritur lart trofe. Por, ata i fituan titujt dhe na kaluan. Tani sfide jonë është që të kthehemi. Ne duhet ta kemi të qartë se duhet ta kemi një skuadër me kapacitet që sezonin e ardhshëm të luftojë me Manccester Junajtid”, deklaroi 31 vjeçari për Liverpulfc.tv. Ai e konsideron të rëndësishëm transferimin e yjeve në skuadër. Përfaqësuesi anglez është lodhur pa fituar trofe në vitet e fundit. “Dëshiroj të luaj mirë, të shënoj gola. Por, më e rëndësishme është që skuadra të luajë mirë dhe të gjithë ta mbyllim sezonin të lumtur”, shtoi ai. Xherrard është duke e ndjekur një program rehabilitimi, pas lëndimit në brinjë që e kishte pësuar në muajin mars. Ai do të jetë i gatshëm për fazën përgatitore, ndërsa thotë se pret një sezon të madh individual dhe ekipor. “Kam luajtur futboll pa ndalim që kur fillova të merrem me këtë sport, në moshën 17 vjeçare. Kurrë nuk e kam pasur një periudhë prej më shumë se 4-5 javësh pa luajtur, kështu që kjo periudhë më shërbeu për të pushuar. Do të rikthehem i uritur dhe shpresoj në një sezon produktiv për mua. Mezi pres të fillojë sezoni i ri”, përfundoi Xherrard.