Tenton të rrëmbejë shitësen, prangoset

Autori iu dorëzua policisë pas negociatave të RENEA-s. Për ngjarjen policia heton edhe ish- të fejuarin e vajzës
TIRANË- I riu nga Shkodra tenton të rrëmbejë dhe të mbajë peng me një armë lodër pranë stacionit të trenit shitësen e një dyqani të një kompanie të telefonisë celulare.
Efektivët e policisë mbërrijnë në pak sekonda në vendin e ngjarjes, ndërsa për neutralizimin e tij është kërkuar ndihma e RENEA-s, pasi dyshohej se autori ishte i armatosur me një pistoletë të vërtetë.
Pas më pak se 30 minuta situata u zgjidh me vetëdorëzimin e të dyshuarit Elton Sutermani, 28 vjeç, nga lagjia "Partizani" e Shkodrës. Ai hyri në dyqan rreth orës 11:30, si klient, ndërsa më pas ai kërcënoi shitësen me një armë lodër, Arjola L, dhe sipas policisë, tentoi ta mbante peng atë.
E frikësuar, shitësja doli me shpejtësi nga dyqani, duke e mbyllur derën e tij, ndërkohë që rrëmbyesi mbeti brenda duke dështuar në veprimin e tij pa e nisur atë. Menjëherë vajza njoftoi policinë dhe patrullat e komisariatit nr.3, në pak sekonda mbërritën në vendin e ngjarjes.
Autori i rrëmbimit të dështuar, vazhdoi të qëndronte brenda ambienteve të dyqanit, pasi ishte i bllokuar dhe blutë po negocionin për dorëzimin e tij. Në këtë situatë u përfshinë edhe forcat e RENEA-s që mbërritën aty.
Pas më tepër se 30 minutash Sutermani 28 vjeçar, u vetëdorëzua. Menjëherë ai u dërgua në ambientet e policisë, ku dha deklarimin e tij mbi ngjarjen. Nga verifikimi, policia ka ngritur dyshimin se situata është organizuar nga ish- i fejuari i shitëses për shkak se ata ishin ndarë prej kohësh. Ky i fundit u shoqërua në polici dhe është marrë në pyetje nga hetuesit mbi ngjarjen.
"Nga verifikimet e bëra në vendngjarje rezultoi se autori ka përdorur një armë pistoletë lodër, ku ka tentuar të mbajë peng shitësen e këtij dyqani"- thuhet në reagimin zyrtar të policisë, duke e konsideruar ngjarjen e djeshme si një tentativë pengmarrjeje.
Policia ka marrë edhe dëshminë e vajzës që punonte në dyqan dhe që u kërcënua nga 28- vjeçari nga Shkodra, ndërkohë që nga hetimet paraprake dyshohet se personi që ka hyrë në dyqan e njihte më parë personin që punonte aty. Ngjarja e djeshme është mbyllur pa pasur persona të plagosur apo të lënduar, ndërkohë që përhapi vetëm panik mes kalimtarëve të rastit dhe banorëve të zonës, ku ndodhej dyqani.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë nisur hetimet për të zbardhur skemën e ngjarjes, si dhe për motivet që e kanë shtyre autorin e ngjarjes që të kërcënojë punonjëse e dyqanit të kompanisë celulare.