Ish-presidenti i Liberisë nis mbrojtjen në Hagë
Ish-presidenti i Liberisë, Çarls Tejlor, në gjyq për krime lufte, ka nisur dje mbrojtjen në gjyqin e tij. Avokati u kërkoi gjykatësve që të dëgjonin dëshmitë në mënyrë të paanshme dhe të mos ndikoheshin nga ngjarjet e dhimbshme të masakrës së Sierra Leones. Procesi i dyshimit të argumenteve të mbrojtjes do të zgjasë disa javë. Tejlor, 61 vjeç, është lideri i parë afrikan që po gjykohet nga një gjykatë ndërkombëtare krimesh lufte dhe mbi të bien akuza si ajo për vrasje, përdhunime, skllavëri seksuale, përdorje e të miturve si ushtarë dhe përdorim të dhunës e terrorizim të popullsisë. Gjyqi i tij është përshëndetur ndërkombëtarisht si një shembull i parë i gjykimit të një lideri kriminel afrikan, kontinent që është i mbushur me liderë diktatorë e gjakatarë që mbajnë pushtetin me dhunë e luftëra. Rëndësia e çështjes bëhet më e madhe edhe për shkak të akuzave të ngritura ndaj Presidentit të Sudanit, Omar al-Bashir, i cili akuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime kundër njerëzimit. Sipas prokurorëve të çështjes, Tejlor mbështeti rebelët në Sierra Leone për të fituar kontroll në vendin fqinj dhe për ta zhvatur nga të mirat materiale të nëntokës.