CIA "luan" trilogjinë Bourne
CIA hartoi plane për krijimin e një skuadre sekrete që do të eliminonte fizikisht figurat kyçe të Al-Kaedës nëpër botë. Thuhet se agjencia kishte kohë që planifikonte dhe ka shumë mundësi që kishte filluar edhe trajnimin e operativëve për misionet sekrete, menjëherë pas 11 shtatorit. Një njësi e vogël merrej me anëtarët e mundshëm të Al-Kaedës që duheshin eliminuar dhe kjo, pavarësisht faktit se Gerald Ford i kishte ndaluar vrasjet, pas abuzimeve të shumta të CIA-s në vendet e Amerikës Latine në vitet ‘70. Mbështetësit e këtij plani donin të krijonin skuadra të koordinuara agjentësh dhe të forcave speciale për të eliminuar liderët e terroristëve. Detaje të skemës nuk i janë paraqitur Kongresit me urdhër të ish-presidentit Çeni. "Gjithçka ishte si nëpër filma", rrëfen për gazetën "Wall Street Journal" një ish-oficer. Gazeta e sipërpërmendur, që ka bërë të ditur lajmin, u është referuar ish-zyrtarëve të administratës së kaluar që janë anonimë. Sipas tyre, plani i konsideruar si tepër i fshehtë ishte operacional në momentin kur Leon Paneta, shefi i ri i CIA-s, mori detyrën. Për sa i përket agjencisë, ajo nuk ka bërë ende asnjë koment. Thuhet se CIA vepronte edhe nën një autorizim presidencial të vitit 2001. Ndërkohë, Presidenti amerikan ka urdhëruar stafin e tij të sigurisë kombëtare që të hetojë menjëherë lajmet që bëjnë amerikanët përgjegjës për vrasjen e 2000 të burgosurve të luftës talebanë, në ditët e para të luftës në Afganistan. Presidenti deklaroi se nuk e dinte si ishin sjellë
ushtarët në vitin 2001, por kishte kërkuar një llogaridhënie të plotë nga organet kompetente për çdo ngjarje të asaj periudhe. Së fundi doli se administrata e Presidentit Bush i kishte ndaluar hetimet për këtë çështje.
ushtarët në vitin 2001, por kishte kërkuar një llogaridhënie të plotë nga organet kompetente për çdo ngjarje të asaj periudhe. Së fundi doli se administrata e Presidentit Bush i kishte ndaluar hetimet për këtë çështje.