Lideri i Koresë së Veriut, me kancer në pankreas
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Il, vuan nga një kancer në pankreas. Ky lajm është bërë i ditur nga një televizion i Koresë së Jugut, që citonte informacione të marra nga burimet e shërbimeve sekrete kineze dhe vendase. Lajmi nxiti spekulimet mbi të ardhmen e vendit aziatik dhe ngriti shumë pyetje për ardhmërinë edhe të dinastisë së vetme komuniste në botë dhe vendimmarrjen për çështjet bërthamore. Pamjet e fundit nga Kim janë ato të disa ditëve më parë të marra në një ceremoni përkujtimore për nder të të atit. Aty ai duket i zbehtë e i mpakur, shumë më i moshuar se një person në moshën e tij 67-vjeçare. Shëndeti i liderit komunist është një nga sekretet më të ruajtura në të gjithë vendin dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë lloj konfirmimi për problemet e tij shëndetësore. Të gjitha lajmet kanë qenë bazuar në burimet e shërbimeve sekrete të vendeve fqinje. Vendi komunist ka rritur tensionin në botë pas provës së fundit bërthamore, e cila u pasua nga një sërë sanksionesh. Në vazhdimin e spekulimeve të ndërthurura me informacionet e shërbimeve sekrete, thuhet se djali i vogël i Kim do të jetë pasuesi i tij. Kim Jong Il është në pushtet që nga viti 1994, kur i ati ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare.