Ish-presidenti i parë “konsensual”, ndërmjet misticizmit dhe enverizmit
Kur opinioni shqiptar po shikonte dhe dëgjonte pritjen madhështore që qeveria dhe populli i Kosovës i bënë Kryeministrit Berisha, media sakate e dirigjuar nga skizofreni Edi Rama, u përpoq pa sukses ta mbulonte me natë këtë aktivitet të rëndësishëm. Asnjë fjalë, asnjë rresht të vetëm për vizitën e Kryeministrit në Kosovë. Sigurisht thartuan buzët enveristët kur Berisha u shpall “lideri i kombit”. Shumë e vështirë me këta enveristët. Sikur Kryeministri të ishte pritur në mënyrë më modeste, ata do të çirreshin se “Kosova nuk e priti”. Dhe tani, të ndodhur në siklet, kanë zgjedhur heshtjen. Shikoni krahasimin se si e pritën Edi Ramën në Prizren paradokohësh; erdhi, iku dhe nuk e pa kush. Prandaj edhe gazeta “Shekulli” e Kokëdhimës, bëri se nuk dëgjoi dhe nuk pa gjë. Dhe jo pa qëllim zgjodhi Alfred Moisiun dhe në faqen e parë me shkronja kapitale botoi deklaratën e tij megalomane: “Berisha si Enveri” (shih Gazeta Shekulli dt.8.Tetor.2009). Pa dashur m’u kujtua një tregim religjioz, kur Profeti Muhamet së bashku me një mikun e tij ishin duke ecur në një rrugë dhe papritmas i thotë njeriut që e shoqëronte: “Jo, duhet të ndryshojmë rrugën se atje është një njeri që i kam ba nder. Nuk është i zoti të ma kthejë nderën me nder e po na bën ndonjë sherr”. Në këtë kontekst, edhe Alfred Moisiu është nga ajo kategori njerëzore që nderën e kthen me pandershmëri. Ka qenë duke luajtur bilardo në një lokal të rëndomtë të Tiranës, thotë media (majtiste, për hir të së vërtetës) kur Alfredit i polli mushka dhe gjeli i bëri vezën e kuqe. E njoftuan se e kishin thirrur njerëz të rëndësishëm. Nuk e kishte parë kurrë as në ëndërr që një ditë të bëhej President. Por ja që u ul në karriken e Presidentit duke shënuar presidentin më mediokër që ka parë historia e Shqipërisë. Me librin e tij, ai po përpiqet të bëjë shoun e radhës në rrethet enveriste të Tiranës. Përmes titullit “Midis Nanos dhe Berishës”, Moisiu me misticizmin e tij po përpiqet gjoja të mbështetet në praktikën dhe përvojën personale, pa qenë i aftë për një filozofi që mbështetet në diturinë personale subjektive. Ngjarjet e pasqyruara në atë libër më shumë ngjajnë si të trilluara se të ndodhura. Dikund Moisiu ka bërë çudinë e madhe se si ishte e mundur që Kryeministri të zinte karrigen në radhën e parë në një pritje, ndërkohë vajza e tij do të ulej në radhën e dytë... dhe plot broçkulla të tjera. Libri është kaq i mërzitshëm saqë në përurimin që u përpoq t’i bënte në Tiranë, nuk i shkoi njeri. Duke u paraqitur në këtë mënyrë, Moisiu në të njëjtën kohë shkon me këmbët e veta në stanin enverist, aty ku edhe e ka origjinën. Dy vjet pas largimit nga karrikja e Presidentit, Alfred Moisiu mendoi se kishte ardhur koha të publikonte kujtimet dhe “përvojën e vet personale” në krye të shtetit. Duke shpërfillur punën e Kryeministrave me të cilët ai kishte të bënte gjatë kohës në Presidencë, ai bën një orvatje shterpë që duke injoruar të tjerët, ai gjoja paska qenë shpëtimtari i kombit, në përpjekje si të “strucit” për t’i hedhur hi syve opinionit, krejt si një delirant i paskrupullt, meqë “të tjerët nuk e paskan kuptuar në veprimet e tij në shërbim të kombit”. Duke shquar faktin se në të vertetë ai ishte një kukull si Pinoku në politikën shqiptare gjatë presidencës, Moisiu demonstroi një paaftësi të theksuar personalitetit në njohjen e detyrës.Pa asnjë hezitim iu kundërvu shumë reformave të qeverisë “Berisha” duke i vonuar proceset demokratike. Me një kokëfortësi të pashoqe, shumë ligje që kërkonin nxitimin e reformave, duke demonstruar se “ishte i paanshëm” u bë në të gjitha rastet interpret i të majtës ish-komuniste. Me një seri dekorimesh - se nuk kishte çfarë të bënte tjetër - Moisiu u kujdes të nderonte bashkëpunëtorët e ish-sigurimit dhe kriminelët e diktaturës komuniste. Ai do të dekoronte Fehmi Abdiun me dekoratën e lartë “Naim Frashëri të klasit të parë” për meritat e tij në organet e drejtësisë. Me këtë akt të paprecedent në të njejtën kohë Moisiu injoroi institucionin e presidencës. Ishte pikërisht ky Fehmi Abdiu një kriminel i diktaturës komuniste që me 10 Gusht të vitit 1988, në pragun e lirisë së ëndërruar nga shqiptarët, me firmën e tij do të dërgonte në litar disidentin antikomunist, poetin e vargjeve të lirisë, mikun tim të paharruar Havzi Nelën. Duke dënuar këtë akt të shëmtuar të diktaturës komuniste, Presidenti Berisha më parë kishte dekoruar Havzi Nelën pas vdekjes me dekoratën “martir i demokracisë”. Emrin e Havzi Nelës mban edhe Gjimnazi i qytetit të Kukësit. Duke fyer institucionin e Presidencës, Moisiu në të njejtën kohë ka fyer edhe qytetin e Kukësit, se nuk është e mundur të dekorohen nga ky institucion në të njejtën kohë, edhe xhelati, edhe viktima. Për Alfred Moisiun jo se ka qenë i panjohur ky fak, por njeriu me një të kaluar puniste, me një karrierë deri zv/ministër mbrojtjeje në regjimin komunist, i cili zbatoi me përpikmëri bunkerizimin e Shqipërisë në përgatitje për të luftuar kundër NATO-s, shumë shpejt pas rënies së komunizmit do të shndërrohej në një kameleon-model. Ai do të formonte në mënyrë surprizë shoqatën e “Atlantikut të veriut (NATO)” dhe do të bëhej kryetari i saj. Vetëm se Enver Hoxha e shkarkoi nga detyra e zv/ministrit dhe e dërgoi me shërbim në Burrel, A.Moisiu si njeri me karakter të dobët dhe me ndërgjegje të vrarë, ka rrëfyer vetë se ka menduar të vriste veten. Duke bërë një paralelizëm me ata që kundërshtuan regjimin komunist, dhanë jetën dhe derdhën gjakun për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, Moisiu është një liliput. Për të gjithë këtë të kaluar enveriste, ky njeri në asnjë rast nuk mundet të jetë një dashamir i demokracisë. Zgjedhja aksidentale si President i Republikës, nuk mundi ta çlirojë nga realiteti i një enverizmi që shfaqet me një hipokrizi të avancuar duke sulmuar pikërisht Sali Berishën, njeriun që u vu në krye të kombit shqiptar në përmbysjen e komunizmit dhe vendosjen e demokracisë. Krahasimi i çmendur i Moisiut, duke përqasur Berishën me Enver Hoxhën flet për një njeri që i ka marrë “koka erë” dhe një mendje të sëmurë që mundet të prodhojë shpifjet më të paskrupullta. Padroni i tij shpirtëror Enver Hoxha e masakroi popullin e tij në dekada. Sipas një raporti të OKB-së, të bërë publik, vetëm nga viti 1945 deri në vitin 1956 në Shqipëri, regjimi komunist i E.Hoxhës ka pushkatuar me ose pa gjyq 10 mijë njerëz, ndërkohë që kanë kaluar nëpër burgje e kampe internimi 80 mijë shqiptarë, pa llogaritur 16 mijë vetat që vdiqën nga vuajtjet dhe uria. Një terror i përmasave, i pandodhur ndonjëher në historinë tone kombëtare e që mundet të krahasohet vetëm me regjimin e Pol Potit në Kamboxhia, u ushtrua kundër një populli krejt të pambrojtur. Diktatura komuniste e Enver Hoxhës e izoloi Shqipërinë nga bota perëndimore, duke e transferuar tragjikisht në skajin e lindjes sllavo-bolshevike. Ndërkohë në kohën e Sali Berishës, Shqipëria u rreshtua në NATO përkrah 27 vendeve më të fuqishme demokratike të botës dhe shum shpejt shqiptarët do të lëvizin si qytetarë të barabartë të Europës pa viza në hapsirën e SHENGEN. Në këtë pikëpamje Moisiu do të mbetet në kujtesën e historisë një kavie që ka eksperimentuar diktatura komuniste dhe libri i tij me kujtimet e një plaku në pension politik, që u përngjajnë kujtimeve të trukuara të diktatorit, nuk shërben as për atje ku thonë se Mbreti shkon në këmbë.
...