Letër nga ferri për kryetarin e Opozitës në protestë
I dashur Edi Rama!
Ne shokët që po ju shkruajmë nga këndej Poshtë - në ferr - jemi të mahnitur në progresin e Juaj për të regresuar Shqipërinë me të gjitha mundësitë demokratike. Ne i shkruanim edhe Nanos, por Ai nuk kishte adresë... Letrën e fundit e dërguam në qenefet e Vjenës, por na u kthye mbrapsht. Ju sot keni mundësitë - edhe pse demokracia nuk bën si regjim politik - për ta përdorur sa të mundemi që të shembim shtetin e së Drejtës, për të kthyer shtetin e së drejtës së Proletariatit. Siç thoshte shoku Gramshi, tashmë në purgator, duhet të marrim “qendrat e pushtetit” pastaj të vendosim të drejtën e partisë. Bijtë e mi mos u tutni përpara asgjëje, ne kemi gjithmonë të drejtë, pavarësisht ç’thonë të tjerët. Ne të Internacionales së ferrit komunist e nazist mbështesim iniciativën e opozitës totalitariste dhe atyre që kanë një tik totalitarist për bojkot dhe protestat e sotme, bashkë me rikrijimin e një fronti të ri demokratik si me Takun, Dashin apo Nardin.
Ju lumtë, vazhdoni ashtu në linjën atërore, gjithmonë drejt Lindjes. Evropa imperialiste globaliste nuk bën për Shqipërinë. Ne duhet të jemi autarkikë, si në kohën time. Më pëlqen ideja e bojkotit, se i ngjan parullës sime “edhe bar do hamë, por dorën nuk e shtrijmë”. Nuk e mbaj mend, diçka e tillë ka qenë më duket, por ju vazhdoni. Kushtet i keni të përkryera, edhe Belzebuja u ka pëlqyer. Nuk realizohen ndonjëherë, pra do ta fundosni pushtetin me qëndrimin tonë. A kupton? Ne do të marshojmë edhe nën tokë, nën himnin e Internacionales Socialiste, drejt sheshit Skëndërbej: Ju sipër - Ne poshtë! Na njoftoni - meqë kemi kohë të ndryshme - kur do të niset kortezhi funebër me arkivolin e opozitës nga bulevardi i dëshmorëve të gjallë, të cilët më shumë se dëshmorë kanë qenë dashnorë të vijës së glorifikuar të partisë. Ju jeni në të drejtën e Zotit, sepse kutitë nuk kanë vetëm letra, por edhe ajër... Këtë s’kuptojnë ata të armikut... demokratët.
Mirëpo ti e di mirë, se ne kemi komunikuar disa herë bashkë, se ato “zërat nga lart” që thonë ata të 55-s, e kanë gabim, sepse ata ti i dëgjon veç kur fle me kokëposhtë. Jemi dakord si nomenklaturë e vjetër që Ju të gjithë bashkë; bijtë, nipat dhe mbesat e komunistëve, të dilni në shesh e të protestoni. Ne krenohemi, si i vetmi Komitet Qendror i botës, që kemi edhe në një regjim demokratik, pinjollët tanë. Ju na nderoni jo vetëm me protesta.
Nomenklatura e re, si ajo e vjetra, është në parim dakord se komunizmi mendor duhet të vazhdojë me çdo kusht. Nëse doni këshilla, mos u kurseni. Nga ferri keni aleatë të pashterrshëm; edhe shokët nazistë janë gati të japin një dorë.
Nuk jemi edhe aq keq sa thuhet, këtu në ferr. Krejt afër i kam, si shokët Mao, Stalin, Lenin e Honecker, ashtu edhe Marx e Engels... Nëse s’e kupton nga shkrimi, dije se unë që po të shkruaj me aq mall jam paraardhësi yt në atë parti, emrin e kam Enver Hoxha ose shkurt komandanti. Personalisht e kam ndjekur udhë-shkrimin tënd apolitik këto vitet e fundit. Zemra mal m’u bë kur e fitove prapë kongresin. Shokun Maqo e kishim parapërgatitur si njëherë e një kohë. Në ferr banorët nuk kanë zemër, por ne prapëseprapë mallëngjehemi kur ju shikojmë në ato fotografitë me ylbera që nxjerr “55”-a.
Shpresoj që ju t’i ngjani babait tuaj Kristaqi, që shërbente me zell komunist në Komitetin Qendror. Ç’brez që kemi rritur, i thashë një ditë Kristaqit. Ne nuk kemi televizor por gazeta “Zëri i Popullit” dhe gazetat shqiptare na vijnë me një ditë vonesë, sepse rruga mbetet ende shumë e gjatë deri këtu. Edhe ne këtu poshtë kemi bërë kryengritje dhe kemi vendosur partinë komuniste dhe naziste në qeverinë e demonëve. President si gjithmonë është Luçiferi, por kryeministër unanimisht është Hitleri, Ministër i drejtësisë Stalini, dhe unë si gjithmonë jashtë politikës si sekretar i partisë. Për marrëdhëniet me jashtë është caktuar Mao, por ka pasur punë në revolucionin kriminal.