E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neritan Ceka: Ja formula më e mirë e negocimit

Aleancisti Neritan Ceka, dikur pjesë e negociatave dhe në momente kur politika konfliktuale kishte humbur gjuhën e komunikimit, ka një ide të qartë për formulën më të mirë të zgjidhjes së krizës aktuale. Ai shpreh keqardhjen që politika shqiptare ka krijuar një ndjenjë inferioriteti nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, jo gjithnjë duhen. Sipas tij, përpjekja për të ftuar ndërkombëtarët është gjithmonë një kompleks inferioriteti që kanë shqiptarët, që sa herë nuk i zgjidhin punët e tyre, mundohen ta ndërkombëtarizojnë çështjen dhe rezultatet kanë qenë gjithmonë negative për Shqipërinë. Ai kujton se kanë qenë tri tryezat e rezultateve të kryesuara nga presidentët për zgjidhjen e ngërçeve. E para në '97-n, kur Franc Vranicki vendosi të negocionte me të gjitha palët, duke u përpjekur të bindte Presidentin e atëhershëm, Berisha, për nevojën e një qeverie teknike dhe e ftoi opozitën t’i bënte thirrje popullit të mos rrëmbente armët. "Më kujtohet që erdhi Vranicki dhe nuk i uli dot shqiptarët për të gjetur një zgjidhje, ishin vetë shqiptarët që në një moment të caktuar vendosën ta bënin tryezën e partive politike me Presidentin e atëhershëm Berisha dhe gjetën zgjidhjen te zgjedhjet e parakohshme", - vijon Ceka. Një tjetër tryezë ishte ajo e 2007-s, e thirrur nga Presidenti Moisiu. "Ishin zgjedhjet që u diskutua çështja e kohës, pastërtisë së zgjedhjeve dhe përsëri u bë me iniciativën e Presidentit Moisiu sepse nuk pati një zgjidhje në Parlament", - rrëfen ai. Po ashtu, në 2008-n, në pritje të zgjedhjeve të 2009-s, Presidenti Topi organizoi tryezën e tretë të partive. Por një tjetër sfidë e vështirë për politikën shqiptare pas viteve 2000, ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës në vitin 2002. Pas ndërhyrjes së kryetares se delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, Nano dhe Berisha ranë dakord për Alfred Moisiun si President.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›