QSUT, mjekët pedagogë prej dy muajsh pa paga

Mjekët që punojnë pedagogë në Fakultetin e Mjekësisë ankohen për vonesat e pagës. Drejtoria: Thesari nuk ka lëvruar fondet
Profesorët e Fakulteti të Mjekësisë të cilët punojnë edhe si mjekë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nuk kanë marrë pagat prej dy muajsh. Mjekët ankohen për gazetën se nuk kanë marrë asnjë shpjegim për vonesat e gjata për marrjen e pagave. Ndërsa Drejtoria Spitalore e QSUT-së pohon se për shqetësimin e mjekëve pedagogë është përgjegjës Thesari i Shtetit i cili nuk ka lëvruar fondet për pagesat e tyre.
Pedagogët
Janë të veshur me petkun e pedagogut dhe të mjekut në shërbim të pacientëve por kjo e dyta duket se nuk u është marrë aspak në konsideratë sa i takon pagesës. Mjekët të cilët janë pedagogë në Fakultetin e Mjekësisë theksojnë se nuk kanë marrë ende rrogën e muajt Dhjetor dhe muajin Janar për punën që bëjnë në spital me pacientët.
"Nuk mund t'i kuptojmë këto pakorrektësi që po bëjnë strukturat përgjegjëse ndaj stafit akademik që shërben në spitale. Është skandaloze të mendosh se rrogat na janë vonuar prej dy muajsh dhe as nuk dimë se kur do t'i marrim",- pohojnë mjekët duke shpjeguar se pagesa që duhet të marrin prej fakultetit u është likuiduar ndërsa pagesa që duhet të marrin nga spitali i QSUT-së nuk u është dhënë.
Ndërkohë mjekët pohojnë se kjo nuk është hera e parë që iu vonohen pagat pasi problemi i tyre është përsëritur shpesh. Të ndodhur përballë këtij shqetësimi mjekët pedagogë bëjnë apel për të marrë masa që pagat e tyre të shpërndahen sa më shpejt dhe të mos përsëriten më probleme të tilla.
Drejtoria
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" e mbështet shqetësimin e mjekëve pedagogë por nga ana tjetër ata heqin çdo përgjegjësi pasi sipas tyre fajtor për këtë situatë është institucioni i Thesarit të Shtetit pasi janë ata që duhet të japin lekët për mjekët pedagogë. "Është e vërtetë që pedagogët nuk kanë marrë ende rrogat nga QSUT por kjo sepse veprimet e thesarit janë mbyllur në datën 20- të dhjetorit dhe ende nuk është lëvruar fondi i këtij viti. Me tu lëvruar buxheti pedagogët do të marrin të dy pagat e mbartura",- bëjnë të ditur burime zyrtare të QSUT-së.
Pedagogët
"Nuk mund t'i kuptojmë këto pa korrektësi që po bëjnë strukturat përgjegjëse ndaj stafit akademik që shërbejnë në spitale. Është skandaloze të mendosh se rrogat na janë vonuar prej dy muajsh dhe as nuk dimë se kur do t'i marrim. Duhet të merren masa që të na jepen rrogat sa më shpejt"
Drejtoria
"Është e vërtetë që mjekët pedagogë nuk kanë marrë ende rrogat nga QSUT por kjo sepse veprimet e thesarit janë mbyllur në datën 20- të dhjetorit dhe ende nuk është lëvruar fondi i këtij viti. Me tu lëvruar buxheti shqetësimi i pedagogëve do marrë fund pasi do të marrin të dy pagat e mbartura.