Fule nesër në Tiranë, takon krerët e shtetit

Pak ditë përpara se në Bruksel të analizohet ecuria e Shqipërisë vjen në Tiranë Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule. Në axhendën e komisionerit Fule janë parashikuar takimet me krerët më të lartë të shtetit si presidentin Topi, kryeministrin Berisha, Zv. Kryeministrin Haxhinasto, kryeparlamentaren Topalli si dhe me kreun e opozitës Edi Rama.
Kështu nesër në orën 09:30 Fule do të pritet në takim nga kryeministri Sali Berisha ndërsa më pas në orën 10:00 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ndërsa në orën 10:45 Fule do të pritet nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndërsa më pas ai do të mbajë edhe një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë.
Më pas axhenda e takimeve do të vijojë me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto në orën 11:40 dhe më pas në orën 12:40 Fule pritet të zhvillojë takim me kreun e shtetit, Bamir Topi. Gjithashtu komisioneri për zgjerimin në BE, Fule do të zhvillojë edhe një takim me kreun e opozitës Edi Rama.
Komisioneri Fule do ta vizitojë nesër Tiranën për të vlerësuar hapat e bëra deri më tani me realizimin e reformave. Bashkimi Europian ka kërkuar nga Shqipëria të mos humbasë më kohë por të përdorë kapacitetet e saj të plota për të dhënë rezultate të rëndësishme në procesin e integrimit.