E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish të përndjekurit: Berisha po u ikën përgjegjësive, miratoni propozimin e PS-së

Komisioni i Ligjeve

Ish të përndjekurit politikë u kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit Sali Berisha lidhur me miratimin e ligjit për dëmshpërblimin e tyre. Ata shprehur pakënaqësi lidhur me zmbrapsjen e qeverisë për të ulur moshën e të dëmshpërblyerve. Në variantin e propozuar nga Partia Socialiste sugjerohej ulja e moshës në 75 vjeç për burrat dhe 70 për gratë.

Kishim shpresuar edhe pse me rezervë në një angazhim serioz nga ana e qeverisë suaj për ti dhënë fund zvarritjeve në këtë drejtim, thuhet në letër. Vendimi juaj për të dëmshpërblyer menjëherë vetëm ata të përndjekur që kanë mbushur tanimë 85 vjeç, është një përpjekje krejt e lexueshme për ti ikur përgjegjësisë që keni ndaj shtresës sonë.

Ish të përndjekurit shprehen se mosha 85 vjeçare është shumë e lartë pasi jetëgjatësia mesatare arrin 72 vjeç dhe kur bëhet fjalë për të përndjekur 85 është një shifër shumë e ekzagjeruar.

Zoti Kryeministër, qëllimi i dëmshpërblimit nuk mund të barazohet me qëllimin politik për të përfituar pushtet prej viteve të vuajtjeve e torturave të kësaj shtrese, duke thënë tjetër gjë e bërë një gjë krejt tjetër për të. Plot 45 vjet burgosje, internime e pushkatime nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës dhe 22 vjet të tjera braktisje e nëpërkëmbje nën qeveri që me ne janë sjellë si të ishin regjime shurdhërie, përbëjnë bilancin dëshpërues të shtresës sonë sot, shprehen ish të përndjekurit.

Duke theksuar se deri tani asnjë forcë qeverisëse nuk ka arritur ta shohë problemin tonë si një çështje drejtësie sociale, i ka bërë thirrje qeverisë Berisha që të rishikohet propozimi i PS-së.

Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë. Por në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do tju lehtësonte sadopak edhe juve vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona, mbyllet letra e ish të përndjekurve. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›