E Diel, 1 Nëntor 2026

LGBT, SHBA dënon retorikën që nxit dhunën

TIRANE- Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës ka dënuar sot retorikën që nxit trajtimin diskriminues apo dhunën kundrejt individëve lesbikë, gay, biseksualë dhe transgjinorë. Nëpërmjet një deklaratë për shtyp, ambasada e SHBA-së në Tiranë tha se mirëpret deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, Avokatit të Popullit Igli Totozani, dhe Komisioneres Kundër Diskriminimit Irma Baraku që përkrahin të drejtat e individëve LGBT si të drejta të njeriut dhe mbështesin historinë e Shqipërisë me tolerancën.

Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton ka theksuar se përbën shkelje të të drejtave të njeriut kur njerëzit rrihen apo vriten për shkak të orientimit të tyre seksual, apo sepse nuk janë konform normave kulturore se si duhet të duken apo të sillen burrat dhe gratë. Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të drejtat e bashkësisë LGBT si të drejta themelore të njeriut. - thuhet më tej në deklaratë.

Ambasada e SHBA-së shprehet se, mbështet përpjekjet e shoqërisë civile, bashkësisë ndërkombëtare, organizatave LGBT, si dhe të qeverisë për ta zhvilluar një diskutim të hapur lidhur me të drejtat universale të njeriut dhe sfidat me të cilat përballet bashkësia LGBT në Shqipëri.

Ambasadori Arvizu është takuar sot me aktivistë LGBT, Avokatin e Popullit, e anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, për të ritheksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›