E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit: Duam dëmshpërblimin dhe eshtrat e të vrarëve



Shoqata e ish-të përndjekurve politikë kërkon nga qeveria e re që të mbarojë procesin e dëmshpërblimit financiar të shtresës së tyre si dhe të gjejë eshtrat e më se 4 mijë të zhdukurve gjatë kohës së diktaturës komuniste. Kryesia e kësaj shoqate hartoi një listë prej më se 7 kërkesash që i drejtohet qeverisë së re, duke i kërkuar më tej më shumë mbështetje për këtë shtresë si dhe hapjen e arkivave të diktaturës me qëllim zbardhjen e së vërtetës

Ish-të përndjekurit politikë kërkojnë që qeveria e re t’i shkojë deri në fund misionit për integrimin e kësaj shtrese të vuajtur nga diktatura komuniste. Kryesia e kësaj shoqate i ka dërguar Këshillit të Ministrave një listë me 7 kërkesa, ku mbi të gjitha, kjo shtresë kërkon vëmendje ndaj tyre. “I bëjmë me dije Kryeministrit të Shqipërisë zotit Sali Berisha si dhe opinionit publik në tërësi se integrimi i të përndjekurve politike është detyrim moral ligjor dhe kombëtare”, - thuhet në deklaratën e kësaj shoqate, duke vlerësuar më tej se zgjedhjet e 28 qershorit si zgjedhje te lira dhe demokratike. Në të njëjtën deklaratë thuhet: “Ne besojmë se pjesëmarrja në koalicionin qeverisës së PD-së me LSI-në nuk ka lëkundur politikën e Partisë Demokratike ndaj të përndjekurve politikë”.

Kërkesat

Në listën e kërkesave kjo shoqatë kërkon që shtresa e ish-të përndjekurve të vijojë të përkrahet. Ata kërkojnë “ndarje nga e shkuara komuniste dhe dënimin e krimeve të diktaturës, sepse vetëm kështu i japim vendit një të ardhme të siguritë demokratike evropiane”. Një kërkesë e veçantë e kësaj shoqate është “gjendja e eshtrave të të vrarëve pa gjyqe dhe në vendet ku janë ekzekutuar të vendosen pllaka përkujtimore dhe të varrosen si dëshmorë të kombit që u vranë që Shqipëria të ishte e lirë dhe demokratike”. Ende sot mendohet se janë mbi 4 mijë të humbur gjatë kohës së diktaturës, të cilëve ende nuk u janë gjetur eshtrat. Shoqata kërkon “dënimin e diktatorit Hoxha dhe heqjen e të gjitha titujve, si diktatori më i egër dhe më kriminal në të gjithë Evropën. Në vendin ku ishte busti i tij të vendoset memoriali i krimeve të komunizmit. Për këtë memorial ne i kemi bërë ftesë për ndihmë dhe Këshillit të Evropës ku kemi konfirmime pozitive”. Në fund të listës, kjo shoqatë konsideron si shumë të rëndësishme “hapjen e arkivave sekrete të komunizmit dhe krijimi i Komisionit të së vërtetës si kusht themelor për arritjen e një pajtimi kombëtar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›