Ish-të përndjekurit, ndryshohet ligji për dëmshpërblimet
Ndryshon përsëri skema për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist. Pas kërkesës së bërë pak kohë më parë nga vetë përfaqësuesit e kësaj kategorie, për rishikimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Institutin e Ish-të Përndjekurve ka hartuar së fundi një projektligj të ri, që synon shkurtimin e kohës së dhënies së dëmshpërblimeve, si dhe përfshirjen e kategorive që nuk kanë përfituar më parë në skemë. Kreu i Institutit të Ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, shpjegon për gazetën ndryshimet që parashikohen të bëhen në ligjin e ri, që shumë shpejt pritet të kalojë për miratim dhe në qeveri. Një nga ndryshimet më të rëndësishme të këtij projektligji është se, brenda vitit 2012, ish-të përndjekurit që janë gjallë do të përfitojnë të gjithë shumën e mbetur nga këstet që ishin parashikuar të shpërndaheshin në një afat kohor prej 8 vitesh. Sipas kreut të ish-të përndjekurve politikë, Simon Miraka, me ndryshimet më të fundit në ligj, kjo kategori do të përfitojë totalin e shumës së mbetur brenda një kësti. “Për të burgosurit mbi moshën 85 vjeç, më 2012-ën, nuk do të marrin me këste, por e gjithë shuma që ka mbetur do të merret me një këst, duke i zbritur shumën që ka marrë. Sipas informacioneve që kam, deri nga fundi i muajit mund të dalë numri i saktë i të burgosurve që janë gjallë, nga Sektori i Dëmshpërblimit pranë Ministrisë së Financës”, - shprehet Miraka. Sipas kreut të ish-të përndjekurve, edhe për kategorinë tjetër është kërkuar një afat më i shkurtër për dëmshpërblimet. “Në ligj e ka të përcaktuar që do të mbyllet për 8 vjet, por të gjitha përpjekjet tona, sigurisht edhe me dëshirën e mirë të qeverisë, besoj se ky cikël do të mbyllet në një afat kohor më të shkurtër, sepse, siç thashë, është marrë një vendim që do të bëhet ligj, që më 2012-ën, të gjithë ata që janë mbi 85-vjeç të marrin shumën totale. Shpresoj që përsëri do të ketë ndryshime në ligj, sepse gjatë gjithë kohës së daljes së ligjit ka pasur përmirësime dhe do të ketë, në mënyrë që koha e dëmshpërblimit të mbyllet në një kohë sa më të shkurtër”, - shprehet Simon Miraka. Po ashtu, në projektligjin e ri janë përfshirë edhe disa raste që kanë qenë të patrajtuara më parë, siç janë: të pushkatuarit pa gjyq apo dhe të pushkatuarit para vitit 1944, rastet ku dokumentacioni mungon, apo disa vepra të cilat nuk janë përfshirë në ligj. Më konkretisht, kreu i ish-të përndjekurve sqaron se në projektligjin e ri për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist është përfshirë edhe njohja e vendimit të Komisionit Trepalësh, për të dënuarit nga 1945-1954. “Për internimet e periudhës 1945-1954, ligji për dëmshpërblimin e parashikon që kjo periudhë të dëmshpërblehet me 1 mijë lekë të reja për ditë. Por, nga ana tjetër, ka një problem, sepse njerëzit që kanë qenë të internuar në këtë periudhë nuk gjejnë dot edhe vërtetimin se kanë vuajtur internimin në këtë segment kohor. Në arkivin e Ministrisë së Brendshme shkojnë dhe nuk marrin dot vërtetimin e kësaj periudhe. Këtu ligji ka një defekt, sepse parashikon që të njihen dokumentet e arkivuara nga viti 1945 deri më 1990. Ndërsa shumica e vërtetimeve të internimit të kësaj periudhe janë edhe vërtetime të cilat janë arkivuar pranë Ministrisë së Brendshme pas vitit 1990. Kjo sepse, duke mos pasur dokumente, atëherë në fillimin të viteve ‘90 u krijua edhe një Komision Trepalësh. Në këtë komision merrnin pjesë një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, një i Ministrisë së Brendshme dhe një përfaqësues i komitetit tonë të të përndjekurve. Ky komision kishte të drejtën e dhënies së vërtetimit për këtë periudhë dhe nëpërmjet deklaratave të njerëzve që paraqiteshin te ky komision, jepeshin edhe verifikimet përkatëse”, - shpjegon Miraka. Por, sipas projektligjit të ri, deklaratat e paraqitura nga ish-të përndjekurit përpara komisionit trepalësh tashmë do të njihen, çka do të bëjë që të dënuarit e kësaj kategorie të nisin plotësimin e formularëve për këtë periudhë, pasi ky dokumentacion nuk është i arkivuar para 1990-ës. Madje, edhe në rastet kur këto dokumentet gjenden, ato janë me defekte dhe për pasojë nuk vlejnë sipas ligjit për përmbushjen e formularëve që nevojiten për dëmshpërblim. Dhe në këtë mënyrë janë penalizuar nga dëmshpërblimi rreth 2000 të persekutuar, që do të përfitojnë nga projektligji i ri. Sakaq, një tjetër kategori ish-të dënuarish që do të përfitojnë nga ligji i ri janë edhe të pushkatuarit pa gjyq para nëntorit të vitit 1944 deri në vitin 1990, pasi, sipas Mirakës, ka disa ish-të përndjekur që janë pushkatuar para nëntorit, për shembull në datën 25 tetor të vitit 1944. Ai shpjegon se, sipas ligjit të ri, këto pushkatime do të njihen për t’u futur në skemën e dëmshpërblimit, ndërkohë që ky i fundit për raste të tilla merret nga familjarët e viktimës. Po ashtu, nga projektligji i ri pritet të përfitojnë dëmshpërblim edhe rreth 600 ish-të përndjekur që kanë aplikuar jashtë afatit. Simon Miraka bën të ditur se janë rreth 600 dosje të tilla, që gjenden në Ministrinë e Drejtësisë, që kanë aplikuar pas afatit, që ishte 1 korrik 2009, që do të njihen për dëmshpërblim. Tashmë kur nuk kanë mbetur dhe shumë nga lista e personave, të cilët kanë marrë dëmshpërblim, afati i shpërndarjes së këstit të dytë do të fillojë pas përfundimit të miratimit të plotë të dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit politikë. Gjithsej janë rreth 20 mijë dosje që janë dorëzuar dhe pritet që të shqyrtohen, në mënyrë që më pas të shpallen edhe personat që përfitojnë dëmshpërblime si të përndjekur politik.
Projektligji i ri
Dëmshpërblim brenda vitit 2012 për personat mbi moshën 85 vjeç
Njohja e vendimit të Komisionit Trepalësh, për të dënuarit nga 1945-1954
Njohja e pushkatimeve pa gjyq për të dënuarit para vitit 1944 deri më ‘90
Njohja për dëmshpërblim e 600 dosjeve që kanë aplikuar pas afatit
2000
Ish-të internuar gjatë periudhës 1945-1954 nuk kanë arritur ende të plotësojnë formularët për dëmshpërblim, pasi në arkivat e Ministrisë së Brendshme nuk gjendet dokumentacioni për ta.
Të dhëna mbi dosjet
Në total, të regjistruara në librat e hyrjes pranë Ministrinë e Drejtësisë, gjatë periudhës 30.01.2008 - 17.05.2011, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar janë afërsisht 20 584 dosje, që përfshijnë të gjitha kategoritë e ish-të përndjekurve politikë.
Konkretisht:
1. Lloji dënimit burg/kapital të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 12 200 dosje.
2. Lloji dënimit vrasje pa gjyq të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 2 000 dosje.
3. Lloji internim/në tela me gjemba/dëbim të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 6 300 dosje (nga të cilat, rreth 2 243 ish-të dënuar që kanë vuajtur internim tela me gjemba, rreth 4 057 ish-të dënuar kanë vuajtur internim/dëbim, kategori kjo e cila do të rregullohet me skemë pensioni nga Ministria e Financave).
Për sa u përket dosjeve të kategorisë burg/kapital
4. Të miratuara me 20 vendime të Këshillit të Ministrave janë 10 768 dosje.
5. Dosje që janë me problematikë ligjore janë rreth 370.
6. Dosje që u mungon vërtetimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë 180.
7. Dosje që janë në proces shqyrtimi administrativ në 5 dhe 8 drejtime janë rreth 522, (nga të cilat, rreth 50 dosje janë gati për miratim me VKM, rreth 470 dosje janë në pritje të plotësimit dhe të dërgimit të formularëve të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve të tjera plotësuese nga ana e subjekteve aplikuese).
8. Dosje që kanë marrë njoftim negativ janë rreth 180.
9. Dosje të paaktivizuara, për arsye të mungesës së dokumentacionit plotësues të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë janë rreth 180.