E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa e makinave, çmimi i naftës ende i pandryshuar

Në ditën e dytë të hyrjes në fuqi të ligjit për taksimin e automjeteve, ende nuk ka pasur një ndryshim të çmimit të karburantit në vend. Nga një inspektim i bërë në disa pika karburanti, vihej re se çmimi ishte ende i njëjtë me dy ditë më parë. Sipas tregtarëve të karburanteve, mosndryshimi i çmimit ka ardhur si rezultat i pasjes së rezervave të naftës dhe benzinës dhe pritet që aplikimi i çmimit të ri të vendoset brenda pak ditësh.

Sipas ligjit të ri të taksimit të automjeteve, tashmë të gjithë ata persona që zotërojnë automjete nuk do të paguajnë më taksë regjistrimi dhe qarkullimi një herë në vit, por do ta paguajnë atë në çmimin e karburantit. Në këtë mënyrë, çdo person në momentin që do të shkojë të furnizohet me karburant, do të blejë atë me 5 lekë më tepër por duke llogaritur edhe TVSH-në rritja e çmimit të naftës dhe e benzinës do të jetë me 6 lekë për litër. “Taksa e re e qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 6 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 8 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin”, citohet në ndryshimet e bëra në ligjin për Taksat Kombëtare.

Në këto kushte, nafta apo benzina do t`i vijë qytetarit nëpër pikat e karburanteve e taksuar dhe sigurisht me çmim më të shtrenjtë nga sa ishte deri më tani. Taksa e re mbi karburantet, cilësohet si: Taksa e qarkullimit dhe do të jetë e barabartë si për naftën ashtu edhe për benzinën.Kështu cmimi naftës nga 175 lekë që është aktualisht pritet të shkojë në 180 lekë vetëm pas pak ditësh. Aktualisht, taksa e qarkullimit është 7500 lekë për një makinë me benzinë dhe 10 mijë lekë për një makinë me naftë.

Ndërsa taksa e regjistrimit është 2400 lekë për të gjitha llojet e veturave. Me anë të skemës së re të taksimit të gjithë pronarët e automjeteve janë të detyruar që të paguajnë më tepër seç paguanin me mënyrën e vjetër të taksimit. Sipas ekspertëve te kjo mënyrë taksimi u vendos për të balancuar pagesën, kështu kush qarkullon më shumë, do të detyrohet që të paguajë më shumë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›