E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, Shqipëria e katërta në Rajon

SHKRUAN: Blerina Hoxha 26-08-2011 10:45

Shqipëria ka zbritur nga vendi i parë përsa i përket ritmeve të rritjes ekonomike në vend. Sipas statistikave të FMN-së, të marra në konsideratë nga Banka e Shqipërisë, mësohet se ritmet më të larta të rritjes për tremujorin e parë të këtij viti i ka patur Turqia me mbi 11 për qind. Më pas vjen Maqedonia me 5.5 për qind. Në vend të tretë vjen Kosova me 5.1 për qind. Dhe në vend të katërt renditen Shqipëria dhe Serbia, të cilat kanë patur ritme të njëjta rritjeje me 3.4%. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria vjetore e aktivitetit ekonomik të vendeve të rajonit paraqet ritme rritëse jo të njëtrajtshme për tremujorin e parë të vitit 2011, të ndara kryesisht midis grupit të shteteve më të industrializuara dhe atyre në zhvillim. Gjatë tremujorit të parë të vitit, ekonomia greke u zvogëlua me 5.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010. Ndërkohë, prodhimi industrial për muajt prill e maj është reduktuar me mesatarisht 11% në nivel vjetor, duke paraqitur një vijimësi të prirjes kontraktuese të PBB-së edhe për tremujorin e dytë të vitit. Në anën tjetër, ekonomia italiane u rrit lehtësisht me përafërsisht 1.0% në nivel vjetor, e ndikuar nga shpenzimet e ulëta për konsum dhe nga rritja me ritme të ulëta e investimeve të sektorit privat. Në funksion të arritjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit të vendit, qeveria italiane prezantoi një paketë fiskale, e cila pritet të zvogëlojë deficitin fiskal me rreth 48 miliardë euro deri në vitin 2014. Në të kundërt, Turqia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë regjistruar ritme të përshpejtuara rritëse të ekonomive përkatëse, gjatë tremujorit të parë të vitit. Në Turqi, rritja e përshpejtuar e prodhimit industrial ndihmoi në zgjerimin e PBB-së me 11% në nivel vjetor. Në Maqedoni rritja e përshpejtuar e shpenzimeve për konsum dhe e investimeve agregate mundësuan rritjen ekonomike në nivelin vjetor 5.1%.

Norma e papunësisë ishte në rritje në Greqi e në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në rënie në Itali e në Turqi. Inflacioni vjetor ishte në rritje në Greqi dhe

në rënie në Turqi e në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa në Itali ai mbeti i pandryshuar në muajin qershor, krahasuar me vlerën e regjistruar në muajin maj. Shqipëria për tre vite me radhë në kulmin e krizës ekonomike ka kryesuar rajonin, madje ka qenë në krye të listës së vendeve europiane përsa i takon nivelit të rritjes ekonomike. Ndërsa ekonomia e Eurozonës ka vijuar të ruajë norma pozitive rritjeje vjetore, ndonëse qëndrueshmëria afatgjatë ekonomike e shteteve periferike të saj vijon të rrezikohet prej borxhit të lartë publik të akumuluar. Kështu, sipas të dhënave më të fundit, aktiviteti ekonomik në Eurozonë regjistroi një zgjerim me rreth 2.5% gjatë tremujorit të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kontributin kryesor në këtë ecuri e dhanë rritja e shpenzimeve për konsum dhe e investimeve me përkatësisht 1.1% dhe 4.2% në nivel vjetor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›