Ceka: Topalli Presidente? Do të ishte një surprizë e këndshme
Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i kryeministrit Sali Berisha, mbështet kandidaturën e Jozefina Topallit në krye të shtetit
TIRANË “Do të ishte një surprizë e këndshme zgjedhja e Jozefina Topallit në krye të shtetit”. Kështu e sheh mundësinë e kandidimit e pse jo edhe të zgjedhjes vitin që vjen të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në krye të Presidencës, kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i kryeministrit Sali Berisha. Në një intervistë televizive, Ceka e cilëson lëvizjen e PS-së për ndryshimet kushtetuese, si hileqare dhe pa vlerë. “Unë mendoj që është një propozim hileqar për ta faktorizuar prapë PS-në, pasi dështoi në hilen e vitit 2008 me ndryshimet kushtetuese, sepse mendonte se do të merrte pushtetin”,- tha ai. Duke mbetur te kjo çështje, teksa është pyetur pikërisht për debatin që ka hapur zgjedhja e Presidentit dhe po aq edhe kandidaturat për zëvendësimin e Bamir Topit, Ceka ka dhënë një përgjigje edhe për kandidaturën e Jozefina Topallit, e cila është mbështetur deri më tash nga partitë aleate të së djathtës. “Unë e vlerësoj maksimalisht kandidaturën. Do të ishte një surprizë e këndshme...”, - tha Ceka. Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike ka theksuar se Presidenti i ardhshëm nuk i takon askujt tjetër përveçse PD-së. Pak ditë më parë, kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, deklaroi se shanset për një presidente femër ishin po aq të favorshme sa një president mashkull. Ndërsa kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane, Zef Bushati, ka shkuar edhe më tej në deklaratën e tij, duke u shprehur publikisht se do të lobonte brenda së djathtës për të zgjedhur Jozefina Topallin në krye të Presidencës. Deklarata e Bushatit u nxit nga një tjetër qëndrim i një tjetër demokristiani, drejtues i një partie tjetër. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, propozoi publikisht kandidaturën e Bamir Topit për një mandat të dytë presidencial. Ndoka u shpreh se do t’i kërkonte Partisë Socialiste që të mbështeste këtë kandidat në votimin për kreun e ri të shtetit korrikun e vitit 2012. Nga Partia Socialiste ende nuk ka patur reagim në lidhje me emrin e kandidatit për President, apo rreth faktit nëse do të mbështetet rikandidimi i Topit apo jo për një mandat të dytë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për emrin e Jozefina Topallit nga ana e PD-së. I pyetur për mundësinë e kandidimit të saj, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi në një intervistë për një të përditshme se ai i qëndron pikëpamjes se si mazhorancë ka shumë punë për të bërë deri në korrikun e ardhshëm dhe se është tmerrësisht shpejt për të folur për emrin që do të ketë Presidenti i ardhshëm. Ndryshe e ka menduar aleati tjetër i PD-së, Fatmir Mediu. Ky i fundit u shpreh dy ditë më parë se ka ardhur koha që të flitet për kandidaturat për president. Sipas tij, Presidenti i ardhshëm nuk duhet të zgjidhet brenda 10-ditëshit të fundit.