E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça përgatit kontratë të re për Messin

BARCELONË - Barcelona ka bërë të ditur se është duke planifikuar që t'i ofrojë kontratë të re Lionel Messit, duke synuar në këtë mënyrë të shpërblejë yllin argjentinas për paraqitje e tij të fundit. Messi, 25-vjeçar, ka ende katër vjet kontratë me klubin, por presidenti i Barçës, Sandro Rosell është duke shpresuar që futbollisti më i mirë në botë të pranojë një kontratë të re më të volitshme dhe që do të jetë më afatgjatë shkruan Goal.com.

Bisedimet me argjentinasin nuk kanë nisur ende, mirëpo Rosell ka thënë se shpreson që marrëveshja të arrihet shpejt.

"Kontrata aktuale e Messit skadon në vitin 2016, por do të ishte e papërgjegjshme nëse nuk e përmirësojmë kontratën e tij. Duhet të mendohen gjëra të tilla. Tani për tani nuk është asgjë në plan, mirëpo gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Stafi i trajnerëve e ka përqendrimin për sfidën e së dielës, mirëpo ne shikojmë më larg në të ardhmen. Duhet të niset tash puna për kontratë", ka thënë Rosell për "Radio Catalunya".

Messi tre vitet e fundit është shpallur lojtari më i mirë në botë nga FIFA.

Rosell ka folur edhe për dëshirën që të mbajë kapitenin Carles Puyol edhe më tutje në skuadër. Puyol ende nuk ka firmosur kontratë të re, ndërsa kontrata e tij aktuale skadon në fund të këtij sezoni.

"Puyol është ikonë, legjendë, është kapiteni ynë. Do të ishim shumë të lumtur nëse ai do ta përfundonte karrierën te ne", ka thënë Rosell.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›