E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të persekutuarit: Berisha mashtroi për dëmshpërblimin

Nga Gilmana Bushati
Ne pervjetor te shpalljes se ligjit te demshperblimit, te persekutuarit i dërguan një memorie me plot 10 pika Presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe kryetares së Parlamentit, Topalli 

TIRANE-Të persekutuarit në këtë njëvjetor të shpalljes së ligjit të dëmshpërblimit, ndjehen të mashtruar nga qeveria shqiptare, që i ka lënë në heshtje sipas tyre, të gjitha kërkesat e kësaj shtrese. Pikërisht për të mos pranuar këtë heshtje ata i dërguan një memorie me plot 10 pika Presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe kryetares së Parlamentit, Topalli, dhe i vetmi që ka kthyer përgjigje ishte vetëm Topi. Detajet e kësaj memorieje, sqarohen në një prononcim ekskluziv për GSH nga sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni. "S'kemi marrë asnjë përgjigje nga Berisha dhe Topalli, përgjigje na ka kthyer vetëm presidenti Topi. Ai i është përgjigjur menjëherë memories sonë dhe ka vënë në dukje se në bazë të nenit 44 dhe 45 të Kushtetutës së Shqipërisë, çdo qytetar i dëmtuar nga shteti duhet të marrë menjëherë dëmshpërblimin sipas ligjit. Pavarësisht kësaj vëmendjeje të tij, drejtuesit e tjerë të shtetit heshtin dhe heshtin keqas ndaj kërkesave tona të drejta, një ndër këto kërkesa është dhënia e dëmshpërblimit, hapja e dosjeve dhe dënimi i figurave të regjimit komunist", - shprehet Ndregjoni. Sipas tij, në Shqipërinë "demokratike" ka ndodhur absurdi i madh, që Aranit Çela, ish-prokurori i përgjithshëm në kohën e Hoxhës, ka marrë dëmshpërblim për vitet e burgut, "ndërsa qeveria shqiptare nuk jep dëmshpërblim për ata qytetarë që Çela vrau dhe preu me dhe pa gjyq". Ndregjoni shton se qeveria u kërkon të persekutuarve plotësimin e disa dokumenteve, të cilat mund të mos gjenden as në zyra dhe as në arkiva "sepse ai regjim përdorte çobanët, të cilët të vinin të merrnin atje ku punoje dhe jetoje dhe pa asnjë letër apo shkresë të hipnin ndër makina për të internuar apo pushkatuar pa asnjë urdhër". Ai e vë me faj qeverinë që nuk mund të dëmshpërblejnë një numër të madh shqiptarësh që u pushkatuan pa gjyqe, sepse ministria e Drejtësisë një nga kërkesat për plotësimin e formularit për dëmshpërblim ka dhe "vendimin zyrtar të gjykatës për llojin e dënimit". Ndregjoni bën të ditur se janë këto burokraci që tregojnë se qeveria nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht këtë shtresë, por vetëm e ka shfrytëzuar për qëllime elektorale. "Ka që tetëmbëdhjetë vjet kjo situatë, shteti vetëm na përdor dhe nuk bën asgjë për integrimin tonë, që është dhe një kërkesë themeltare e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së, që u miratua nga Parlamenti shqiptar", - shprehet ai. Sipas tij, ka ardhur koha që figurat e regjimit të dënohen me vendim të veçantë të parlamentit, si figurat ashtu dhe regjimi në tërësi. Ndregjoni e quan të pashpjegueshme që figura si Enver Hoxha apo Aranit Çela dhe shumë të tjerë si ai, nuk kanë marrë ende dënimin e merituar. "Ne nuk kërkojmë hakmarrje, kërkojmë një dënim moral të tyrin me vendim të veçantë, pasi vetëm kështu mund të gjendet paqja sociale në Shqipëri", - përfundon deklaratën e tij Ndregjoni, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›