E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët "harrojnë" të ulin çmimet e karburantit

Nga Genc Kondi
Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet vazhduan të mbeten në të njëjtat nivele. Në përqindje, rezulton se ulja në shkallë botërore është pasqyruar në masën vetëm 20%. 

TIRANE-Para pak muajsh, në tregjet botërore një fuçi naftë shitej me 147 dollarë. Aktualisht, në fund të javë së kaluar, kjo sasi u shit me më pak se 40 dollarë amerikanë. Ulje e konsiderueshme, e detyruar edhe nga rënia e ofertës industriale në shkallë botërore, që shkaktoi rënie në masën 73% të çmimit të "arit të zi". Megjithatë, në tregun shqiptar situata paraqitet e deformuar. Nga një çmim maksimal prej 162 lekësh për litër, për eurodieselin më të shtrenjtë në tregun e pakicës në kohën e rritjes maksimale, aktualisht e njëjta cilësi karburanti shitet me 128 lekë të reja për litër. Në përqindje, rezulton se ulja në shkallë botërore është pasqyruar në masën vetëm 20%.
Situata
Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet vazhduan të mbeten në të njëjtat nivele, pasi javën e kaluar pësuan ulje me 5 lekë/litër, duke pasuar zhvlerësimin e dy javëve më parë me të njëjtën vlerë prej 5 lekësh/litër. Në shumicën e pikave të tregtimit të karburanteve në Tiranë, çmimet gjatë javës së fundit ruajtën të njëjtin nivel: 1 litër naftë 120 lekë, 1 litër benzinë 125 lekë dhe 1 litër eurodiesel 125 lekë. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet që ka bërë ekonomia shqiptare për blerje të karburanteve nga jashtë gjatë nëntë muajve të këtij viti regjistrojnë vlerën e rreth 210 milionë eurove, nga 140 milionë euro në nëntëmujorin e parë të vitit 2007.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›