E Diel, 1 Nëntor 2026

Masa antikrizë, BERZH-i zbraz qesen për kredi

Banka për Rindërtim dhe Zhvillim rrit 64 për qind fondin e financimeve. Investimet arrijnë mbi 1.1 miliardë euro në tre muajt e parë të këtij viti

Albert Gjoka

Kur të gjitha bankat kanë shtrënguar dorën për të dhënë kredi për klientët, krejt ndryshe po vepron Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Pikërisht në pikën e krizës ajo ka rritur në masën 64 për qind investimet e saj. Burimet zyrtaret të kësaj banke bëjnë të ditur se “totali i financimeve të Bankës për tre muajt e parë të vitit 2009 ka arritur në një shifër rekord, 1,1 miliardë euro, duke shënuar një rritje me 64 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, ku u investuan vetëm 678 milionë euro”. Përmes një deklarate për shtyp të tri ditëve më parë jepet e gjithë skema e reagimit ndaj krizës ekonomike në vendet e Europës Lindore. Si pjesë të paketës së masave për lehtësimin e efekteve të krizës, BERZH-i tashmë ka thënë se ka në plan që të investojë 7 miliardë këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, ku investoi 5.1 miliardë euro. Ndërsa amerikanët kanë zgjedhur si mënyrë të përballimit të krizës “paketat” stimuluese, europianët dhe kryesisht Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duket se janë të prira për të mos frenuar procesin e kreditit të ekonomisë.
Deklarata e kreut të Bankës
“BERZH është e armatosur mirë, e gatshme dhe e gjindshme që të mbështesë Europën Lindore gjatë kësaj krize, tani dhe në të ardhmen. Investimet tona të deritanishme në këtë vit nënvizojnë atë për të cilin jemi zotuar”, - tha presidenti i BERZH-it, Tomas Mirou (Thomas Miroë). Sipas tij, “tremujori i parë është një rezultat i fuqishëm që na vendos në një rrugë në drejtim të arritjes së objektivave tona ambicioze”.
Rritja e gjithanshme në investime nga ana e BERZH-it ka synim nxitjen e aftësive financiare për të ndihmuar me fonde objektivat e transformimit ekonomik dhe tranzicionin në kohën kur burimet e tjera kapitale janë tharë. Banka ka vendosur një prioritet specifik në mbështetjen e sektorit financiar, me qëllimin ruajtjen në mënyrë të rrjedhshme të kreditimit të ekonomisë reale, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Kreditë e fundit të BERZH-it
Në muajin shkurt ajo iu bashkua Bankës Botërore dhe Bankës Europiane të Investimeve, duke lajmëruar programin e investimeve prej 24.5 miliardë eurosh për sektorin e financimit të SME-ve përgjatë dy viteve të ardhshme.
Sidomos kohët e fundit, BERZH ka garantuar një linjë kredie në 100 milionë eurove për Bankën rumune BCR për të dhënë kredi për ndërmarrjet e vogla edhe të mesme dhe 150 milionë të tjera për bankën ruse VTB 24 që të stimulojë me kredi bizneset e vogla.
Jashtë sektorit financiar, në mars, BERZH ofroi 150 milionë euro në një kredi me shumë 300 milionë euro për kompaninë rumune të naftës “Petrom sa”, që ta ndihmojë në ngritjen e një mjedisi, kushte dhe standarde të reja për industrinë.
Banka vazhdon investimet e saj në rritjen e eficiencës së energjisë me një kredi prej 120 milionë eurosh për kompaninë ruse të prodhimit të energjisë elektrike “OGK-5”, duke financuar ndërtimin e një njësie të re në TEC-in që ndodhet në Rusinë jugore.
Veç kësaj, BERZH ka ngritur një fond të ri prej 250 milionë eurosh për të ndihmuar klientët e bankave ekzistuese që në kohët e ndikimit të krizës ekonomike, grupi ukrainas i sheqerit “Astarta” ishte kompania e parë së cilës iu dhanë financime të reja përmes një kredie në shumën 20 milionë euro. Duke rritur mbështetjen për tregtinë e rëndësishme ndërkufitare, gjithashtu, BERZH ka dyfishuar garancinë e saj përmes Programit të Lehtësimit të Tregtisë në vlerë 1.5 miliardë euro.
Ashtu si dhe BERZH-i, Banka Botërore, BEI, apo edhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, po mobilizojnë forcat për të kredituar ekonomitë e vendeve të varfra, por edhe sektorin privat që të kapërcejë këtë periudhë të vështirë financiare për gjithë botën.

BERZH-i rrit kreditë edhe në Shqipëri në masën 37%

Edhe në Shqipëri, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka reaguar në të njëjtën mënyrë ndaj krizës, duke rritur në mënyrë të ndjeshme investimet e saj. Burimet zyrtare të kësaj banke bëjnë të ditur se ato janë rritur në masën 37 për qind krahasuar me një vit më parë. Por, drejtuesit e BERZH-it në Tiranë pohojnë se vendi ynë është më pak i prekur sesa shtetet e tjera të rajonit apo Europës Lindore nga pasojat e krizës ekonomike botërore. Drejtori i zyrës së BERZH-it në vendin tonë, z. Daniel Berg, pohoi disa ditë më parë për një revistë ekonomike javore se “Shqipëria do të përfitojë nga një rritje e përgjithshme e buxhetit për vitin 2009, megjithëse mungesa e fondeve të disponueshme nuk ka qenë asnjëherë problem për Shqipërinë. “Banka do të vazhdojë të financoje projekte, zbatimi i të cilave do të ketë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik të vendit”.
Ai ka sqaruar planet e Bankës në vendin tonë. “Ne do të vazhdojmë të përmbushim objektivat tona operacionale që kemi përcaktuar në vitet e shkuara. Në kushtet ekzistuese të ekonomisë globale, ne do të vazhdojmë të financojmë sektorin e korporatave si dhe do të mbështesim financiarisht projekte të rëndësishme në energji dhe infrastrukturë, të cilat nuk mund të sigurojnë financime nga burime tregtare”, - thotë Berg. Ndër sektorët që do të mbështeten janë bankat me linjat e tyre të kreditimit. “Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me partnerët tanë në të gjithë sektorët – si në sektorin publik dhe në atë privat; – për të punuar së bashku për të rritur financimet e BERZH-it në Shqipëri në krahasim me vitet e shkuara”, - thotë përfaqësuesi i bankës në vendin tonë.
Berg flet edhe për pasojat e krizës në vendin tonë. Ai shprehet se ajo do të ketë ndikim në mënyrë të pashmangshëm mbi ekonominë shqiptare. “Ne presim një rritje më të vogël në vitin 2009, për shkak të rënies së eksporteve si rezultat i tkurrjes së tregjeve ndërkombëtare si dhe si pasojë e rënies së remitancave. Megjithatë, rritja e parashikuar e PBB-së prej 4% është një shifër pozitive, duke marrë parasysh mjedisin ekonomik përreth”, - thotë Berg.

BERZH-i në Shqipëri mbështet projekte në vlerë 1.2 miliardë euro

BERZH-i është investitori më i madh institucional në Shqipëri. Banka është e përqendruar në zhvillimin e sektorit privat, duke vënë theksin në zhvillimin e infrastrukturës, si pjesë integrale e rritjes të biznesit. Fokusi i tanishëm për aktivitetin e infrastrukturës është ristrukturimi dhe rehabilitimi i sektorit të energjisë dhe zhvillimi i rrjeteve të transportit dhe telekomunikacioneve. Aktualisht BERZH financon 40 projekte me një vlerë totale neto prej 373 milionë euro. Ndërsa shuma financiare e projekteve që ka ofruar mbështetje banka, arrijnë në 1.2 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë disbursuar nga sektori publik dhe privat në vendin tonë 201.2 milionë euro. Rreth 43 për qind e shumës i përket sektorit privat, ndërsa pjesa tjetër sektorit publik. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim financon projekte të rëndësishme në infrastrukturë, energji, sistemin bankar etj. Vitet e fundit ka filluar të rritet në mënyrë të ndjeshme disbursimi i fondeve të dhëna nga BERZH-i.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›