E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-uzina e instrumenteve, debat në bashki për truallin

 

KORÇE - Kthimi i ish-uzinës së Instrumenteve në shoqëri aksionere shkaktoi debate dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Korçës. Kjo për shkak se tentativa për një veprim të tillë prek interesat e pronarëve të truallit, të cilëve me vendim të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave, iu është njohur pronësia. Prej vitesh godina e uzinës është në pronësi të bashkisë. Por për të mos u amortizuar më shumë është menduar kthimi i saj në një shoqëri aksionere. Ky vendim është quajtur i padrejtë nga pronarët e truallit. "Askush nuk ka marrë mundimin të marrë mendimin tonë për këtë veprim. Ne pronat na i ka njohur Komisioni përkatës për Kthimin e Kompensimin e Pronave", u shprehën dje pronarët e truallit. Qëndrimi i pronarëve u mbështet edhe nga këshilltarët e djathtë. Ata nënvizuan se nuk janë informuar nga ekzekutivi se ky objekt ka pronarë të truallit. Pas debatesh u ra dakord që të fillojnë negociatat me pronarët, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të dyja palët, mbështetur në ligj.    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›