E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-zv/shefi i Shtabit: SHQUP-i nuk mund të tjetërsohet, shkelje ligji

TIRANE- Ish-zëvendës/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Sandër Lleshi, e ka konsideruar dje si “shkelje të legjislacionit”, vendimin e firmosur pak ditë më parë nga qeveria “Berisha” për ta transformuar Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë, nga një institucion ushtarak në seli të Partisë Demokratike. Sipas tij përveçse shkelje e një sërë procedurash, shkelja më e madhe është ajo e simbolikës, që përfaqëson SHQUP-i. “Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë, Shtëpia e Oficerëve, Qendra Kulturore e Ushtrisë, ka patur emra të ndryshëm për të, por ajo përbën një objekt shumë të rëndësishëm të Forcave të Armatosura dhe nuk kemi të bëjmë thjesht me një pronë, apo me një çështje imobiliare. Këtu bëhet fjalë për një instalim të rëndësishëm të Forcave të Armatosura, i cili nuk mund të tjetërsohet, pa një procedurë shumë të komplikuar, e cila nuk është e njëjta me tjetërsimin e një objekti apo prone publike. Kemi dy gjëra, e para një instalim ushtarak, e më pas kemi të bëjmë me një objekt ose pronë publike. Mund të shkoni ku të doni, në çdo kryeqytet të botës, dhe do të gjeni që një ndër objektet e bukura të tyre është një Shtëpi Oficerësh diku në qendër të tij. Kjo është pjesë e Forcave të Armatosura. Tjetërsimi i saj është diçka që nuk të shkon ndërmend, nuk mund të ndodhë, aq më tepër që të tjetërsohet pa një proces diskutimi publik”, - tha Lleshi në një intervistë të dhënë për “Top Channel”. 
SHKELJET 
I pyetur se cilat janë shkeljet e konstatuara prej tij, ish-zv/ shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura sqaroi se “si instalim ushtarak, duhet që, nëse FA konstatojnë mungesën e nevojës për të për një arsye të ndryshme, gjë që do të ishte një absurditet shekullor që FA të mos ketë nevojë për një objekt në zemër të kryeqytetit. Por, supozojmë se për një moment FA nuk do të kishin nevojë për të. Do të duhej që FA, përmes një procesi qartësisht të përcaktuar, do të duhej t’i propozonin ministrit, e pastaj ky i fundit Presidentit të Republikës, largimin ose nxjerrjen e këtij objekti apo instalimi jashtë planit të përhapjes së FA”, - argumentoi Lleshi. Në funksion të këtij qëndrimi ai shtoi se “është një proces i gjatë, i përcaktuar në ligj. Presidenti i Republikës është instanca e fundit, që e ka tagrin ligjor për të nxjerrë jashtë planit të përhapjes së FA objekte të tyre. Pasi Presidenti dekreton nxjerrjen e tij jashtë planit, atëherë ky objekt shndërrohet në pronë publike e si i tillë trajtohet si gjithë pronat e tjera publike. Objekti për të cilin flasim, ka dy cilësi: është pronë publike, por veç saj është edhe instalim ushtarak”, theksoi më tej Lleshi. Për ish-zëvendës/ shefin e Shtabit të Përgjithshëm, kjo nuk është hera e parë, që me objektet ushtarake abuzohet, pasi sipas gjeneralit e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Spitalin Ushtarak në Tiranë. 
ISH-PRONARËT 
Pronarët kundërshtojnë shitjen e pronave të ushtrisë ose ndryshimin e destinacionit të tyre, si në rastin e SHQUPit. Shoqata “Pronësi dhe Drejtësi”, shprehet se mbi 1000 hektarë tokë truall të nxjerra në ankand nga Ministria e Mbrojtjes 2 muajt e fundit, mund të shkonin fare mirë për kompensimin fizik të tyre.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›