E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishpronarët, kompensim me aksione në kompani strategjike

Qeveria do t’u japë pronarëve të tokës, në këmbim të parave, aksione tek AMC-ja, ARMO-ja, Albletecom-i dhe OSSH-ja

TIRANË- Një pjesë e ish-pronarëve do të bëhen aksionerë në veprat më të rëndësishme në Shqipëri. Kjo është mënyra që ka zgjedhur qeveria për të kompensuar ish-pronarët, duke u dhënë pjesë në kompanitë strategjike. Këshilli i Ministrave vendosi që, pas privatizimit të kompanive AMC, Albtelecom, ARMO, OSSH, një pjesë të aksioneve të zotëruara nga shteti t’i përdorë në formë kompensimi për pronarët e truallit ku janë ndërtuar godinat e shoqërive në fjalë. Po ashtu, pritet që një pjesë e tortës së aksioneve shtetërore, t’i ofrohen edhe punonjësve të këtyre kompanive. Sipas ligjit për privatizimin e shoqërive strategjike, 85 % e aksioneve të shoqërisë AMC, u janë shitur investitorëve strategjikë, 2.4 % do t’u jepen pronarëve të truallit dhe punonjësve, ndërsa 12.5 % parashikohet të shiten nëpërmjet ankandit.

Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, ende nuk është bërë e qartë se në ç’raport do të ndahen aksionet midis pronarëve të truallit dhe punonjësve. Kjo do të përcaktohet mbi bazën e një përllogaritjeje që pritet të bëhet nga Ministria e Financave. Përsa i përket “Albtelekomit”, 76 % u janë shitur investitorëve strategjikë, 3 % do t’i jepen Postës Shqiptare, të cilat mbeten përsëri aksione shtetërore dhe 3.12 % parashikohet t’i jepen punonjësve. Nuk bëhet e ditur pjesa që i përket pronarëve të truallit, pasi është në procedurë përllogaritjeje. Sipas Ligjit nr. 8810, datë 17.05.2001 "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Albtelekom", aksionet që mbeten pas transferimit të paketave të mësipërme, do të transferohen nëpërmjet ofertës publike ose ankandit, sipas akteve ligjore në fuqi. Për shoqëritë ARMO dhe OSSH, deri tani bëhet e ditur vetëm përqindja e blerë nga kompanitë privatizuese, pasi pjesa që do t’i ofrohet pronarëve të truallit dhe punonjësve, është në përllogaritje e sipër. Konkretisht, kompania Çeke “CEZ” ka blerë 76 % të aksioneve të OSSH-së kundrejt një vlerë prej 102 milionë eurove. Ndërsa 85 % e aksioneve të ARMO-s i janë shitur konsorciumit AMRA OIL, me një vlerë 130 milionë euro. Për sa i përket privatizimit të INSIG-ut, procedurat për të janë duke u përgatitur nga Ministria e Financave.

Bëhet e ditur se, pas shpërndarjes së aksioneve të përcaktuara për pronarët e truallit dhe punonjësve të kompanive, investitorëve strategjikë u lind e drejta të blejnë aksionet e mbetura. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, si fillim do të bëhet një përllogaritje e saktë e pjesës që u takon ish-pronarëve dhe punonjësve, pastaj pjesa e aksioneve të pashpërndara do të shitet nëpërmjet ankandit, ku do të mund të marrin pjesë edhe investitorët që kanë blerë aksionet e paketës kryesore. E drejta e investitorëve në fjalë, për të blerë aksionet e mbetura nga shoqëritë e privatizuara, shuhet një vit pas përfundimit të procedurës së transferimit të aksioneve ndaj ish-pronarëve apo punonjësve të kompanive. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në zbatim të ligjeve të privatizimit për secilën shoqëri, punonjësve mund t’u ofrohen edhe bono privatizimi, në shkëmbim të aksioneve që atyre u përkasin. Emirjon Senja

AMC sh.a

-85 % Investitorët strategjikë. (Cosmote group)

-2,4 % Punonjësit dhe ish-pronarët e truallit

-12,6 % Do të shiten me ankand.

Albtelecom sh.a

-76 % Investitorët strategjikë. (Çalik Energy)

-3 % Posta Shqiptare.

-3,12 % Punonjësit.

-? % Ish-pronarët e truallit.( Kjo paketë ështe në procedurë llogaritjeje)

ARMO sh.a

-85 % Investitorët strategjikë. (AMRA OIL)

-? % punonjësit dhe ish-pronarët e truallit.(Përcaktohet pas llogaritjes nga Ministria e Financave)

OSSH sh.a

-76 % Investitorët strategjikë. (CEZ)

-? % Ish-pronarët dhe punonjësit. (Përcaktohet pas llogaritjes nga Ministria e Financave)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›