Musaraj: Përralla e SHIK-ut për kërcënimin, përralla
Agron Musaraj “akuzohet” nga prokurori se kishte penguar për 5 muaj hetimet. Mohon të jetë kërcënuar
TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm, Agron Musaraj, ka penguar për pesë muaj e gjysmë hetimet për zbardhjen dhe identifikimin e rrëmbyesve të biznesmenit kosovar, Remzi Hoxha. Kjo ishte deklarata e prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, i cili në fund të pyetjeve, drejtuar ish-ministrit Musaraj bëri këtë koment, duke lënë të nënkuptohet se në atë kohë, institucionet shtetërore nuk donin të zbardhnin dhe zbulonin autorët e rrëmbimit dhe më pas torturimit që i shkaktoi vdekjen Remzi Hoxhës. “Keni qenë ju, me detyrën e ministrit të Brendshëm që keni penguar për pesë muaj e gjysmë zbardhjen dhe verifikimin e targës së makinës “TR 2449 C” që rrëmbeu mesditën e 21 tetorit të vitit 1995 në Tiranë shtetasin Remzi Hoxha. Gjithashtu, keni refuzuar t’i përgjigjeni për sa kohë që ju keni qenë në detyrë edhe shkresës së kabinetit të Presidentit të asaj kohe, në lidhje me informacionin mbi rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha, duke mos i kthyer përgjigje. Nuk mund të thoni që nuk kam qenë në dijeni për faktin e rrëmbimit, pasi me datë 23 tetor 1995, vetëm dy ditë pas rrëmbimit të Hoxhës familjarët ju kanë dërguar ju personalisht një telegram, duke ju kërkuar informacion për zbulimin e rrëmbyesve të njeriut të tyre nga persona të prezantuar si punonjës policie”,-tha prokurori Hana, pas deklarimeve të Musarajt gjatë seancës së djeshme gjyqësore.
Vetë ish-ministri Musaraj, gjatë dëshmisë së tij dhënë me kërkesë të prokurorisë sqaroi se: “nuk mbaj mend të kem pasur ndonjë shkresë të tillë unë si ministër, por me këto çështje merrej një sektor më vete dhe unë nuk isha polic që të kryeja verifikimet që m’i kërkonte organi i akuzës, atë e bënin sektorët që ishin në varësinë time. Ndërsa sa i përket informacionit të kërkuar nga kabineti i Presidencës, unë nuk kam pasur në zyrën time ndonjë kërkesë të tillë. Ndoshta është marrë nga vartësit e mi dhe ata nuk janë përgjigjur, po unë personalisht nuk kam marrë një shkresë të tillë”,-iu përgjigj komenteve të prokurorit ish-ministri Musaraj. Ndërkaq, në pyetjet konkrete për rrëmbimin e kosovarit Remzi Hoxha, ish-ministri i Brendshëm, Agron Musaraj, sqaroi se: “nuk kam pasur dijeni për personat që kanë rrëmbyer shtetasin Remzi Hoxha. E kam mësuar si fakt nga takimi i gjatë që kam bërë në zyrën time me vëllezërit e shtetasit Remzi Hoxha në atë kohë, ku nga zyra ime i kam kërkuar të gjitha komisariateve në vend, verifikimin nëpër regjistra nëse ishte ndaluar ndonjë person me atë emër. Më kanë kthyer përgjigje se ky shtetas nuk ka qenë dhe nuk ndodhet në ambientet e komisariateve që unë kisha në vartësi”,- nënvizoi Musaraj në fjalën e tij.
Ish-ministri Musaraj iu përgjigj edhe pyetjes së prokurorit:“keni qenë ndonjëherë i kërcënuar nga shtetasit Remzi Hoxha, Ziso Kristopuli dhe Avdyl Loshaj?’. Ish-ministri iu përgjigj se nuk i besonte përrallat, duke shtuar se nuk kishte pasur ndonjë kërcënim direkt, indirekt apo informacion të tillë nga vartësit apo institucionet shtetërore. Më pas, seanca vazhdoi me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë në këtë proces, të cilët kanë marrë pjesë direkt në rrëmbimin e biznesmenit Remzi Hoxha apo kanë dijeni për rrëmbimin dhe zhdukjen e tij dhe shtetasve Ziso Kristopuli e Avdyl Loshaj.