Komisioni, përbërja e KQZ-së mbetet pezull
TIRANË- Komisioni i posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor ka shtyrë për sot miratimin e formulës së re të formatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shkak është bërë pikërisht kërkesa e përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Spartak Braho, për ti dhënë kohën e duhur për tu njohur më në hollësi mbi propozimet e grupit të ekspertëve, por edhe për të përgatitur propozimet konkrete për një sërë pikash tepër të debatueshme që kanë të bëjnë kryesisht me kompozimin e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet, që nga KQZ dhe për të përfunduar tek KQV-të. Shtyrjen e kanë konfirmuar dhe dy bashkëkryetarët Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj, të cilët kanë deklaruar pas mbledhjes se kanë mbetur për tu miratuar edhe 7 nene nga tre kapitujt e rinj të kodit që janë marrë dje në shqyrtim. “Janë lënë rreth 7-8 nene për të cilat kanë kërkuar propozime alternative. Janë çështjet që kanë të bëjnë me kompozimin e komisioneve, dmth tre nenet që kanë të bëjnë me kompozimin e komisioneve. Janë dy nene që lidhen me formimin e grupeve të numërimit dhe dy nene që lidhen me formulën e ndarjes së mandateve brenda koalicionit”, - tha bashkëkryetari socialistë Fatmir Xhafaj. Ndërkohë gjatë mbledhjes Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor, ka mundur të miratojë me konsensusin e të gjitha partive politike pjesët e tjera të draftit të paraqitur dje. Nenet e miratuara kanë të bëjnë me kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisionet e nivelit të dytë dhe komisionet e qendrave të votimit. Miratimi i përbërjes së këtyre komisioneve u shty për votim në mbledhjen e ditës së nesërme. U miratuan gjithashtu me konsensusin e të gjitha partive politike në Komision edhe procedurat që do të ndiqen nga grupet e numërimit të votave, si dhe procedurat e plotësimit të tabelave përkatëse dhe shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Komisioni diskutoi dhe miratoi edhe dispozitat ligjore në lidhje me ndarjen e mandateve të Kuvendit dhe procedurën për ndarjen e mandateve brenda një koalicioni zgjedhor që merr pjesë në zgjedhjet vendore apo të përgjithshme, ku numri i mandateve për 12 zonat zgjedhore do të përcaktohet në bazëtë numrit të shtetasve shqiptarë pjesëtuar me numrin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Për të diskutuar dhe vendosur Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Kodin Zgjedhor i ka mbetur vetëm pjesa përfundimtare që përbën ankimin administrativ dhe gjyqësor, pjesë e cila do të shqyrtohet në ditët në vijim. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit kanë marrë pjesë dhe deputetët e grupit parlamentar të LSI-së, të cilët kanë paraqitur pretendimet e tyre, kryesisht për përbërjen e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve me nga 9 anëtarë.