Ishte akt terrorist

Javëve të fundit zyrtarët amerikanë jepnin deklarata kontradiktore lidhur me sulmin e armatosur, si pasojë e të cilit në Benghazi mbeti i vrarë ambasadori amerikan në Libi, Christopher Stevens, dhe tre agjentë amerikanë.
Por, Matthew Oslen tani pohon se, amerikanët “u vranë gjatë një sulmi terrorist kundër Konsullatës”.
Ndërkohë, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, të enjten i është drejtuar Kongresit lidhur me këtë ngjarje. Adresimi i saj është bërë me dyer të mbyllura. Pak para kësaj mbledhjeje, Olsen ka përmendur kujdesshëm lidhjet e mundshme të sulmuesve me rrjetin Al-Qaeda.
"Kemi dëshmi, sipas të cilave personat që ishin pjesë e sulmit mund të kenë pasur lidhje me Al-Qaeda’n, gjegjësisht me Al-Qaeda’n e Magrebit Islamik”, tha ai.
Sipas rrjetit televiziv Fox News, që thirret në burime brenda shërbimeve informative, një ish i burgosur në Guantanamo, i cili në vitin 2007 fillimisht ishte transferuar në Libi, e pastaj ishte liruar, mund të ketë qenë i përfshirë në këtë sulm.
Ndryshe, pak ditë më herët Departamenti i Shtetit refuzoi të fliste për një sulm të mundshëm terrorist, me arsyetimin se ende po priteshin rezultatet e plota të hetimeve të FBI.