Heronjtë kroatë "rrëzohen" në Durrës
"Të zinjtë" ("The Blacks"), filmi kroat që merr pjesë si konkurrues në edicionin e dytë të Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës pritet të shkaktojë reagime në vendin e tij. Prodhim i këtij viti, filmi nuk është shfaqur ende në kinematë e Kroacisë, ndërsa sjell një histori që i zhvesh heronjtë e luftës kroate nga aureola. I lë të zbuluar ashtu siç janë, duke u shfaqur jo vetëm si heronj, po dhe si qenie humane që në kushtet e një presioni të fortë psikologjik, nga ato që vetëm lufta di të krijojë, shfaqin anët e errëta. Të mbijetuarit e togës së quajtur "Blacks" nisen për në aksion dhe kuptojnë se armiku i tyre është gjetkë. Ata janë vetë armiku për njëri-tjetrin. Skena me të cilën mbyllet filmi është e rëndë dhe e frikshme. Një ushtar që tërheq nga pylli shokët e vrarë nga armiku dhe ata të vrarë në mes vetes. Një nga aktorët më të mëdhenj kroatë, Ivo Gregurević, i cili mbërriti dje në Durrës për të qenë pjesë e FestFilmit Veror dhe atmosferës së tij, tregon mbi filmin, duke shmangur qëndrimin personal mbi këtë prodhim. Lidhur me rolin e tij të fundit, atë në filmin "The Blacks", ai thotë se dy regjisorët Zvonimir Juric dhe Goran Devic i patën thënë se personazhi që ai do të interpretonte ishte një sajesë artistike, një fiction, por ndërsa në fund të korrikut të këtij viti filmi është prezantuar për herë të parë në Pula Film Festival 2009, ai është befasuar. Nga përfaqësuesit e medias ka mësuar se personazhi i tij nuk ishte një sajim, po një personazh real. Ai luan një oficer tipik kroat profesionist, që e udhëheq togën e mbetur nga lufta në një periudhë armëpushimi mes serbo-kroatëve drejt një aksioni që synon ta thyejë armëpushimin, ndërsa do të tërhiqnin edhe tre prej trupave të ushtarëve të tyre nga pylli. Diçka nuk shkon siç duhet dhe hedhja e pusetës në erë për të dëmtuar armikun dështon. Atëherë nisin vrasjet mes njëri-tjetrit. Në Osiek, andej nga është dhe personazhi i interpretuar nga Ivo Gregurevic, filmi mendohet se do të kalojë jo pa zhurmë. Pritshmëria atje duket negative, megjithatë ende nuk është thënë fjala e fundit nga përballja reale me audiencën kroate. "Nuk jam ithtar i realizimit të këtij filmi, por jam aktor dhe e realizoj sa më mirë të mundem rolin tim. Në këtë rol nuk kam dhënë asgjë përtej asaj që duhet të japë një aktor profesionist në realizimin e një personazhi", - tha dje aktori që luan rolin e shefit të togës, atij që vret dhe vritet nga një ushtar i tij në film. Ka qenë i kujdesshëm në deklarimet që shprehin qëndrimin e tij ndaj rolit, ndonëse nuk mundet të përjashtojë mes roleve të tij më të mirët dhe jo. "Janë të gjithë njësoj. Është si ajo pyetja që i bëhet prindërve për fëmijët e që nuk mund t‘i dallojnë". Sa i përket reagimeve mbi filmin dhe atë anë të medaljes që shfaq ai për luftëtarët, aktori pohon se me aq sa është në dijeni, filmi nuk ka ngjallur zemëratë apo qoftë dhe reagime te shoqatat e veteranëve të luftës në Kroaci. Arsyeja duket e njëjtë. "The Blacks" është një prodhim i ri kroat i këtij viti dhe pas Festivalit të Pulës dhe atij të Sarajevës të organizuara në korrik e gusht, vjen në Festivalin e Durrësit, duke bërë më parë shëtitjen prezantuese në festivalet rajonale të filmit. Në Pula ai mori tre vlerësime, mes të cilëve çmimin për regjinë më të mirë. Ivo Gregurevic është një nga aktorët më të njohur kroatë dhe tepër i realizuar për sa i përket karaktereve. Ka lindur më 7 tetor të vitit 1952 në Orasje të Bosnjë Hercegovinës nga prindër kroatë. Është diplomuar në Akademinë e Dramës në Zagreb. Që në fund të viteve ‘70 ka luajtur në më shumë se 90 filma dhe programe televizive. Në pak më shumë se çerekshekulli ai ka interpretuar kryesisht në rolin e terroristëve fshatarë dhe të pasurve të rinj. Pas fitimit të pavarësisë ai ka luajtur pothuajse në të gjitha prodhimet kinematografike kroate. Në vitin 1991 ai luan në rolin kryesor të filmit "Charuga", banditit legjendar që pasurohet gjatë kohës së komunizmit jugosllav. Ky ishte i fundmi film që mblodhi aktorë të ndryshëm të ish-republikave jugosllave dhe ndonëse serbët e kroatët ishin në luftë gjatë realizimit të tij, në përfundim filmi u prit shumë mirë. Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe është vlerësuar si aktori i dytë në listën e yjeve më të mira të të gjitha kohërave.