E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishulli i nudistëve, mollë sherri mes gjermanëve dhe polakëve

Kostumi i banjës ka dalë jashtë mode. Gëtes i pëlqente të lahej nudo në det. Edhe mjeku i mbretërisë prusiane, Riçard Kind, në vitin 1828, këshillonte të mos hyje në ujë me pantallonat veshur, sepse kjo largonte efektet e valëve në lëkurë. Në ato vite, Swinoujscie nisi të ndryshonte. Nga një qendër e vogël u shndërrua në zonën më të madhe gjermane të plazhit. Kind kishte arritur të merrte nga mbreti një shumë të konsiderueshme parash për ndërtimin e një stabilimenti dhe një parku, i projektuar nga artisti i famshëm, Peter Lene. Brenda një kohe të shkurtër, në ishullin Usedom, u ndërtuan vila të reja përballë plazhit dhe një banjë termale. Por mjeku trembej se, bashkë me shoqërinë e përparuar berlineze në Swinoujscie, do të vinte edhe moralizimi. Fotografitë e fillimit të viteve 1900 tregonin zonja që bënin banjo dielli me pantallona deri te gjuri. Lufta mbi modën e kostumeve të banjës është e vjetër, sa edhe zakoni për të shkuar në plazh. Si për ironi të historisë, tani Swinoujscie ka fituar famën e borgjezëve moralistë. Që nga viti 1945, qyteti është pjesë e Polonisë dhe vendi gjerman më i afërt me kufirin, Ahlbeck, ka një plazh për nudistë, që i ka bërë polakët të reagojnë shumë ashpër. Që nga viti 2007, falë marrëveshjeve për "Shengen", kur u hap kufiri mes Gjermanisë dhe Polonisë, natyralistët nisën të shëtisin në plazhin që bashkon dy qytetet e ishullit Usedom. Gazetat e kanë cilësuar si "lufta e nudistëve" mes Gjermanisë dhe Polonisë, të ndarë jo vetëm në kuptimin gjeografik, por edhe stilit të jetesës. Nga njëra anë, ata që pëlqejnë natyrën dhe mezi presin sezonin nxehtë për të hequr rrobat dhe për të shijuar diellin dhe detin, ashtu siç i ka bërë nëna. Në anën tjetër, ata që veshin kostumet e banjës dhe që duan t‘i kalojnë ditët në ajër të pastër, pa qenë nevoja të shohin spektakle të tilla nudistësh. Në fakt, në plazhin e Ahlbeck, në territorin gjerman, nudistët teutonikë kanë vite që takohen këtu, por pak hapa që aty, gjenden polakët katolikë. Hyrja e Varshavës në zonën "Shengen" e ka bërë Ahlbeck-un lehtësisht të arritshëm nga plazhi fqinj i Swienoujscie, në pjesën polake të kufirit. Kjo i vështirëson paksa gjërat. Prej kohësh, situata është bërë e padurueshme. Shumë polakë shkojnë deri në Ahlbeck vetëm për të ofenduar nudistët, ndërsa të tjerë, përfitojnë nga mundësia për të vëzhguar nga afër burrat dhe gratë, ashtu siç i ka bërë natyra.

Gazetat gjermane shkruajnë se nudistët e parrezikshëm janë ofenduar dhe se një deputet i Partisë Konservatore, që drejtohet nga vëllezërit Kazincki, i ka cilësuar si "perversë". I indinjuar, deputeti polak i Swienoujscie, Edwar Zajac, e ka cilësuar plazhin e nudistëve si "turp dhe ofendim për katolicizmin e vendit të tij". Por ata që ankohen, nuk janë vetëm nudistët gjermanë, të shqetësuar nga polakët që nuk ngurojnë t‘i përgjojnë apo t‘i ofendojnë.

Torta dhe kafe

Teksa ecën drejt plazhit, shikon se që të gjithë mbajnë veshur kostume banje. Mos ndoshta gjermanët kanë vendosur të heqin dorë nga zakoni i tyre? Një grua ndërrohet, ndërkohë që një tjetër i mban peshqirin, metoda këto më të përshtatshme për Spanjën katolike se sa për ish-Gjermanisë Lindore. Në vitet ‘60 pati një protestë të natyralistëve që sfiduan nudo kundër ministrit të Punëve të Brendshme, Willi Stoph, që donte të ndalonte nudizmin. Nga këto anë, njerëzit i kanë rezistuar diktaturës, përse nuk luftojnë për të mbrojtur të drejtat e nudistëve. "Sot, në Ahlbeck, është rikthyer qetësia, por në vitet ‘90 ka pasur një lloj lufte civile mes gjermanëve modestë dhe atyre që donin të zhvisheshin", tregon një zotëri që jep me qira çadra në plazh. Në fund, autoritetet parashikuan plazhe për ata që duan të veshin kostume dhe për të tjerët që duan të lahen nudo. Tabela të caktuara tregojnë për vendet që u rezervohen nudistëve, që fshihen pas dunave të rërës, apo kaktuseve të mëdhenj. Një prej plazheve të rezervuar për ta është gjysmë bosh, sepse që aty plazhi është rreth 70 metra larg. Një zonjë nga Lajpcigu, e ulur pranë shokut të saj, thotë: "Liria e dikujt është gjithnjë skllavëria e tjetrit". Prej vitesh, ky çift vjen me pushime në Swinoujscie. "Askush nuk na bezdis", tregon ajo. Të gjithë nudistët e konfirmojnë këtë. Turistët preferojnë të mos qëndrojnë në Swinoujscie sepse një filxhan kafe kushton rreth 2.5 euro ndërsa në Ahlbeck, 3 euro, shoqëruar me një fetë torte. Të bësh pazar këtu, të kushton më pak. Për këtë arsye, polakët kalojnë kufirin për të blerë në supermarketet e Ahlbeck, dhe shumë gjermanë vijnë këtu sepse çmimet janë më të lira se në çdo zonë tjetër të vendit. Nga plazhi nudist (në territorin gjerman) në qendrën e Swinoujscie (në territorin polak) duhen rreth 20 minuta. Kufiri mes Gjermanisë dhe Polonisë është thuajse i padukshëm, nëse nuk do të ishte një shteg që duket nga pylli, disa shtylla të vetmuara dhe një rrugë me dy korsi. Aty ku më parë qëndronin ushtarët, tani ka turistë me biçikleta që bëjnë pushim në këtë territor me një histori për t‘u kujtuar. Ishulli Usedom, në mijëvjeçarin e fundit, ka qenë shpesh territor pushtimi për sllavët, danezët, suedezët dhe prusianët. Më parë, rruga e kufirit quhej "Wehrmacht", si emri i një ushtrie naziste, ndërsa sot është "Ushtria Polake". Kështu tregon Jozef Pulcinski, themeluesi i Muzeut të Swinoujscie. Një zotëri shumë i sjellshëm, i datëlindjes 1940. Pulcinski kërkon të tregojë se raportet midis gjermanëve dhe polakëve janë të mira. Jo shumë larg prej aty, është një tabelë që kujton viktimat polake të stalinizmit. Nuk është hera e parë që ishulli i Usedomit gjendet në qendër të vëmendjes. Disa muaj më parë, kishte përfunduar në qendër të kronikave për linjat ajrore, të krijuara enkas për nudistët. Ideja shkaktoi shumë polemika dhe udhëtimi i parë u anulua. Më pas, sërish në qendër të vëmendjes, sepse shumë skuadra gjermane të futbollit i bënin grumbullimet në këto zona.

Problem i vështirë për t‘u zgjidhur

Kohët e fundit, "lufta e nudistëve" është shndërruar në një problem të vështirë për t‘u zgjidhur. Të gjesh një kompromis mes kërkesave të të dyja palëve duket e vështirë. Kjo sepse, ashtu siç thekson "Bild", as tabelat që tregojnë për plazhet e nudistëve nuk i pengojnë polakët t‘i ofendojnë gjermanët natyralistë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›