E Diel, 1 Nëntor 2026

Islam Duçkollari: “Saimiri, dhimbja e madhe që qe na beri krenare”



Eneida Jaçaj

7 gushti është një ditë që nuk mund të harrohet lehtë. Si sot një vit më parë, dora vrastare ekzekutoi katër oficerë policie në krye të detyrës. Njëri prej tyre ishte Saimir Duçkollari, një djalë i ri, vetëm 32 vjeç, i shkathët dhe plot energji. I dhënë pas profesionit të tij, Saimiri nuk ngurroi të japë edhe jetën për drejtësi, sepse ky është “ushqimi” që i mungon më shumë këtij vendi. Islam Duçkollari i ka jetuar këta 12 muaj me dhimbjen e madhe të mungesës së të birit dhe nderin që ai i la pas familjes. Në një intervistë për gazetën “Albania” ai ka rrëfyer një copë jetë të munguar, ka shprehur një mall që nuk çmallet dhe rrëfyer një krenari të pakërkuar. Pas gjithë kësaj ngjarjeje, Duçkollari beson se shteti do ta çojë të drejtën në vend për të katër të rënët në krye të detyrës. Ai shprehet se shteti është avokati për djalin dhe për policët e vrarë. “Shteti e vuri në piedestalin e lartë dhe sërish shteti do ta japë të drejtën e tyre deri në fund”, - shprehet Duçkollari. Edhe pas humbjes së birit të tij, Duçkollari thekson se ndjehet krenar pasi Saimiri ra në krye të detyrës për atdheun. Ai shprehet se familjarët e tij, të gjithë bashkëqytetarët, frymëzohen nga akti i Saimirit. “Është si fenomeni i fotosintezës: deri dikur ushqeheshim nga rrënjët, tani po ushqehemi nga gjethet”, - thotë Duçkollari. I ati i të ndjerit thekson se Saimiri e dashuronte profesionin e tij dhe se kurrë nuk ka ndërhyrë që i biri të ndryshonte profesion, edhe pse ishte në dijeni për riskun e punës së Saimirit. Duçkollari mbetet i kënaqur përsa u përket kushteve që shteti ka ofruar për familjen e të ndjerit. Sipas tij, kushtet që shteti ka krijuar për familjen e Saimirit janë maksimale, duke filluar nga trajtimi financiar. Me gjithë dashurinë dhe përkujdesjen, sfida më e vështirë e babait të heroit është t’u shpjegojë fëmijëve të Saimirit se ku ka shkuar i ati i tyre. “Në qiell”, - u përgjigjet gjyshi nipërve që do të rriten pa dorën e babait, por me dhimbjen dhe krenarinë që ai u ka shtruar në jetë.

Si e ndjeni veten një vit pas humbjes së Saimirit?

Si mund ta ndjesh veten kur të ikën nga jeta një pjesë e trupit tënd! Për të gjithë vdekja është natyrale, por jo për moshën 32-vjeçare. Iku dhe na la boshllëk të madh, humbje të madhe që nuk shkëmbehet me gjë tjetër. Por, mbi të gjitha, na ka lënë krenarë. Na la krenarë se ra në krye të detyrës për atdheun. Pavarësisht se ai e dinte se me kë do të përleshej, atij iu dha një detyrë për një vepër jo të ligjshme kundër shtetit. Ai për këtë dha jetën. Nuk dha jetën që t’i jepej ky nder. Duhet theksuar se Saimiri e pa që u vranë shokët e tij dhe u hodh në aksion, nuk u tërhoq. Kjo erdhi si diçka e brendshme nga vetë Saimiri, duke mos e kursyer veten e tij për të realizuar detyrën dhe për të mbrojtur shokët e tij. Kjo ishte e veçanta e Saimirit. Saimiri nuk është më i imi, ishte i imi. Ai është i të gjithëve, është i atdheut. Atdheu ka nevojë për individë të tillë që të qëndrojë në këmbë demokracia, të qëndrojë në këmbë e drejta, të qëndrojë në këmbë ligji. Vendi ka nevojë për të tillë njerëz, por kjo që ndodhi më ra mua për pjesë. Por mund t’i kishte rënë për pjesë dikujt tjetër, megjithëse unë nuk ia uroj askujt këtë që i ndodhi familjes sonë.

Çfarë mbeti pas 7 gushtit në familjen tuaj?

Kur ndodhi ngjarja, Saimiri ishte me leje të zakonshme, por atdheu kur thërret nuk do të dijë për pushime. Saimiri, një javë para se të ndodhte ngjarja ishte në një dasmë në Vorë, te një shoku i tij që e quajnë Klodi. Kur të katër shokët u thirrën për të shkuar në vendngjarje, iu tha që të merrnin dhe Klodin për të kryer detyrën e aksionit. Saimiri iu tha që ta linin Klodin, sepse ai u martua para një jave. Dhe sot mund të ishte Klodi në këtë vend, por unë i uroj Klodit dhe shokëve të tij të kenë jetë të gjatë. Ata janë të tërë bij nënash. Pavarësisht humbjes të pallogaritshme, Saimiri na la kokëlartë. Saimiri, Arturi dhe Armandi, të tre fëmijët e mi, frymëzoheshin nga ne prindërit, kurse tani ka ndodhur e kundërta: ne frymëzohemi nga akti i Saimirit. Është si fenomeni i fotosintezës: Deri dikur ushqeheshim nga rrënjët, tani po ushqehemi nga gjethet. Unë që nga ’92-shi kam punuar me personalitete të larta shtetërore, në Gardën e Republikës, me pesë ministra, që nga Safet Zhulali, Shaqir Vuka, Perikli Teta, Petro Koçi etj. Kujdesesha për atë vend pune për të mos turpëruar fëmijët; tani ka ndodhur e kundërta: të gjithë të afërmit thonë të mos e turpërojmë Saimirin.

Kush ishte Saimiri?

Saimiri e donte krenarinë, e donte punën. Na donte jashtë mase. Bënte shumë për shoqërinë. Saimiri edhe në gjumë qeshte, dhe jo më në punë. Në çdo aksion që merrte pjesë, siç thonë edhe shokët, ua hiqte stresin. Ai ka lënë dy djem, të cilët druhen se mos vonohem dhe u mungoj si babi. Ata nuk dinë gjë se ku është i ati. Thonë që ka ikur në qiell dhe nuk po vjen. Është vështirë të jesh gjysh dhe baba. Ne rrojmë me fotografitë dhe kujtimet e tij. Fëmijët, para se të flenë, puthin fotografitë e tij. Iliri dhe Ardjoni janë 4 vjeç e gjysmë njëri dhe 5 vjeç e gjysmë tjetri. Fëmijët më thonë: “Ti gjyshi, kur do të shkosh në qiell? Se kur të shkojmë ne, do të të marrim edhe ty me vete”. Edhe kur u vijnë dhurata, pyesin nëse ato ua ka dërguar i ati.

A keni dëshiruar më parë që Saimiri të kryente një profesion tjetër, pasi ju e njihnit shumë profesionin që ai ushtroi?
Saimiri e dashuronte profesionin e tij. Unë nuk kam ndërhyrë te asnjë nga fëmijët për profesionet e tyre, megjithëse isha në dijeni për riskun e punës së Saimirit.

Si e kujtoni momentin e fundit me Saimirin?
Saimiri jetonte me gruan dhe fëmijët dy kate sipër nesh, por jemi një familje. Një ditë përpara se të vritej, ka qenë e enjte, dhe nuk më punonte telefoni. E thirra dhe i thashë që ta merrte telefonin, sepse nuk po më punonte. E rregulloi, por prapë nuk po punonte. E thirra prapë dhe më tha: “Mos u mërzit, o babi, se do të të jap një telefon të ri”. Ky ishte takimi i fundit me Saimirin. Ditën e premte që ai u vra, unë kam qenë në Durrës me fëmijët e djalit tjetër. Saimiri ishte tepër i kujdesshëm. Kur kisha 60-vjetorin më bëri dhuratat më të shtrenjta që unë mos të ndihesha kokulur se në atë kohë kisha dalë edhe në reformë, isha pa punë.

Si e vlerësoni procesin gjyqësor ndaj autorit të krimit?
Procesi ende nuk ka përfunduar. Që të dalë diçka më e pjekur kërkon një kohë. Nuk është një gjë që po pret të përfundojë. Shpejtimi i kësaj nuk më kthen djalin. Edhe vonesa prapë nuk është gjë e mirë. Më mirë vonë, se kurrë. I akuzuari qëlloi mbi shtetin. Për mua avokat për djalin dhe për policët e vrarë është shteti. Shteti e vuri në piedestalin e lartë dhe sërish shteti do t’u japë të drejtën e tyre deri në fund.

Cila ka qenë përkujdesja e shtetit ndaj familjes së Saimirit?
Kushtet që shteti ka krijuar për familjen e Saimirit janë maksimale, duke filluar nga trajtimi financiar. Një përkujdesje e veçantë ka qenë edhe në aspektin arsimor për fëmijët. Drejtoria e shkollës “Turgut Ozal” ka përmbushur një amanet të Saimirit për të dy për t’i parashkolluar në këtë kolegj. Ne na kanë pritur me dyer të hapura. Ata na thanë se në Turqi fëmijët e të rënëve e nderojnë shkollën. Atje i kanë akomoduar me të gjitha dhe me transport falas. Kjo ishte një ëndërr e tij që edhe po të ishte vetë nuk do ta realizonte dot. I përshëndes dhe i falënderoj se më kanë lehtësuar dhimbjen.

Miqtë tuaj dhe miqtë e Saimirit, sa ju kanë qëndruar pranë në dhimbjen tuaj?
Me zemër, me shpirt, më kanë qëndruar shumë afër. Nga kjo humbje e madhe druhen të më afrohen se nuk duan të ma kujtojnë dhe të më lëndojnë. Më kanë qëndruat afër secili me mënyrën e vet. Është më i prekur ai që nuk i ka ndodhur sesa unë.

Box 1
Kush ishin katër oficerët e Policisë që kishin 11 vite kundër krimit

“Gjatë viteve të punës si punonjës policie në strukturat operacionale të hetimit të krimit, janë karakterizuar nga disiplina e lartë në përmbushjen e detyrave, kanë marrë pjesë në aktive në vendosjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe janë dalluar për marrëdhënie të mira me komunitetin, me kolegët dhe eprorët”. Me kaq, Policia e Shtetit ka përmbledhur “nekrologjinë” zyrtare për katër policët “Drejtues”, Fatos Xhani dhe kryeinspektorët Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari e Altin Dizdari, të vrarë në krye të detyrës në qytetin e Durrësit gjatë shkëmbimit të zjarrit me të shumëkërkuarin Dritan Dajti. Policia e Shtetit pohoi se dëshmori Fatos Haqir Xhani mbante gradën “Drejtues”. Ai ka lindur më 7 maj 1978, i martuar me dy fëmijë, me arsim të lartë policor, titulluar punonjës policie në vitin 2000, në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku ka punuar deri në vitin 2003, derisa u transferua në Durrës, me detyrën e shefit të Antidrogës në këtë qark. Në vitin 2007, deri ditën e djeshme kur u vra në krye të detyrës, mbante postin e kreut të Sektorit të Operacioneve Speciale, në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, në Departamentin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Dëshmori Kastriot Çlirim Feskaj, 41 vjeç, mbante gradën “Kryeinspektor”. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ka lënë pas bashkëshorten dhe një fëmijë, me arsim të mesëm, titulluar punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1998, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Që nga ajo kohë deri ditën kur u vra ishte polic i nivelit zbatues në të njëjtin institucion. Viktima e tretë ishte Saimir Islam Duçkollari, me gradën “Kryeinspektor”, 32 vjeç, i martuar me dy fëmijë, me arsim të mesëm, titulluar punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1998, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Që nga ajo kohe kishte mbetur në të njëjtën strukturë policore. Dëshmori Altin Idriz Dizdari, 32 vjeç, mbante të njëjtën gradë si kolegët Duçkollari dhe Feskaj. I martuar 5 vite më parë ai ka lënë pas bashkëshorten dhe një fëmijë, me arsim të mesëm, ndërsa ishte titulluar punonjës policie i nivelit zbatues në vitin 1999, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku ka mbetur në të njëjtën detyre deri ditën kur u vra në strukturat e hetimit të krimit.

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›