Xhaçka: “Deputetja Albana Vokshi është pronare e një kompanie nafte
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste ka vijuar denoncimet ndaj pasurisë së deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ish-këshilltare e kryeministrit Sali Berisha. Deputetja Olta Xhaçka deklaroi se bashkëshorti i Albana Vokshit, Arian Tartari, është aksioner në një kompani nafte, gjë që nuk është deklaruar në pasurinë e deputetes demokrate.
Dy ditë më parë PS-ja e denoncoi deputeten Albana Vokshi se kompania “Albaenergiaplus” e bashkëshortit të saj ka marrë në mënyrë korruptive dy tenderë për hidrocentrale. Ka qenë deputetja socialiste Mimi Kodheli që ka treguar me dokumente të Këshillit të Ministrave favoret që i janë bërë deputetes Vokshi që në legjislaturën e kaluar, kur ka qenë këshilltare ekonomike e kryeministrit Sali Berisha.
Denoncimi
“Bashkëshorti i zonjës Vokshi, Arian Tartari, babai i fëmijës së saj, është një nga aksionerët kryesorë të një kompanie të regjistruar në ishujt Kajman, e cila aktualisht vepron në fushën e nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror në Shqipëri. Siç thuhet edhe në faqen zyrtare të kësaj kompanie, ‘Stream Oil’ u krijua për të shfrytëzuar rezervat e naftës në Shqipëri. Sot, kjo kompani, megjithëse është regjistruar në bursën e Torontos, e zhvillon aktivitetin e saj vetëm në Shqipëri”, - u shpreh Xhaçka. Deputetja socialiste shpjegon se
bashkëshorti i zonjës Vokshi është një nga dy aksionerët e vetëm me të drejta vendimmarrjeje në këtë kompani, ku zotëron 12% të aksioneve apo në vlerë monetare, rreth 3 milionë e gjysmë dollarë amerikanë. Xhaçka u shpreh se Tartari është regjistruar si përfaqësuesi ligjor i kompanisë në Shqipëri që nga 2 prilli 2008. Më tej Xhaçka deklaroi se vetëm katër muaj më vonë, me anë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, kompanisë së zotit Tartari i janë dhënë në kontratë koncesionare tri fusha prodhimi nafte dhe një gazi natyror, me një kontratë që nuk merr parasysh interesat e qytetarëve shqiptarë, pronarët e vërtetë të naftës në Shqipëri.
Taksimi
Sipas deputetes Xhaçka, taksa mbi fitimin që paguan kjo kompani është tepët qesharake. Kështu, kryeministri Berisha ka lejuar të pasurohet deputetja Vokshi duke shfrytëzuar pasuritë e shqiptarëve. Xhaçka deklaroi se sipas kontratës koncesionare, kompania e deputetes Vokshi kishte të drejta financiare mbi 30% të prodhimit ekzistues në 2008-n dhe 100% të drejta mbi rritjen e prodhimit që atëherë, duke i paguar shtetit shqiptar vetëm 2-6% taksë mbi këtë fitim. Kompanisë së zonjës Vokshi i janë dhënë dhjetëra milionë dollarë naftë shqiptare me të drejta pronësie për 25 vjet, me taksa qesharake e praktika korruptive. Pasuria publike e shqiptarëve i është falur burrit të këshilltares së Berishës nga vetë Berisha, dhjetëra miliona dollarë, pa procedura transparente, një kompanie e cila është krijuar vetëm për të pasuruar zonjën Vokshi në kohën kur ajo ishte shtatzënë me atë që thotë se nuk e ka burrë”, - u shpreh deputetja Xhaçka.
Paditë
Partia Socialiste ka depozituar pranë prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmban akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti. Përsa u përket akuzave ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, PS-ja ka kërkuar që prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. PS-ja i ka kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
7 Gusht 2010