Islami: E gabuar, nëse PS do rinisë bojkotin
Deputeti socialist Kastriot Islami, gjatë një interviste dhënë në “Tv Klan” tha dje se PS nuk duhet t’i rikthehet rrugës së bojkotit. Sipas tij, ky qëndrim do të injoronte deklaratën e fundit të bërë në Tiranë nga komisioneri evropian për Zgjerimin, Fule, dy ditë më parë në Tiranë, sipas të cilit, opozita duhet të qëndrojë në Parlament. Islami propozon dhe rrugët për daljen nga ky ngërç politik.
Zoti Islami, si e gjykoni vendimin e kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, për tërheqjen e dy nismave të propozuara nga deputetët socialistë për hetimin e zgjedhjeve?
Partia Socialiste duhet të kishte zhvilluar një mbledhje të grupit të saj parlamentar, ku të shpjegohej qëndrimi i saj për tërheqjen e dy drafteve, gjë që nuk ndodhi dhe askush në grup nuk e dinte se kjo gjë do të ndodhte, pasi nuk ishte bërë një mbledhje e tillë që do të përcaktonte këtë qëndrim. Askush në grup nuk kishte shpjeguar një gjë të tillë. Në këtë mbledhje do të bëhej dhe vendosja e firmave e të gjithë atyre deputetëve që kishin firmosur më parë për të kërkuar tërheqjen e nismave nga grupit parlamentar dhe në bazë të rregullores i paraqitej kryetares së Parlamentit, sipas së cilës, drafti tërhiqet duke respektuar në mënyrë strikte rregulloren e Parlamentit. Kjo gjë u bë në Parlament, zonja Topalli shfrytëzoi këtë mungesë të respektimit strikt të rregullores së Parlamentit, por dhe pala tjetër me mungesën e theksuar të një vullneti për të diskutuar gjetjen e një zgjidhje që do të ishte më shumë politike sesa në respektin strikt të rregullores.
A ka një skenar se si do të veprojë PS këtej e tutje, do të vazhdojë të qëndrojë në Parlament apo do t’i rikthehet sërish bojkotit?
Nëse do lexohej deklarata e komisionerit për zgjerim të KE, Fule, ajo është e qartë, “PS duhet të rrijë në Parlament”, pavarësisht se mund ose jo të zhvillojë njëkohësisht protesta. Kam përshtypjen se ende nuk është marrë një vendim i qartë nga ana e PS. Do ta konsideroja krejtësisht të gabuar nëse PS do të largohej nga Parlamenti për t’iu kthyer vetëm protestave, jo vetëm për faktin se kjo do të thoshte vazhdim i bojkotit, por do të thoshte se nuk respektohet një pjesë e mesazhit që dha Komisioneri për Zgjerim i KE dhe kjo do ta bënte dhe më të vështirë marrjen e përkrahjes nga komuniteti ndërkombëtar dhe për arritjen e atij objektivi që ka PS për bërjen maksimale të transparencës së zgjedhjeve.
Cilat mund të jenë rrugët për gjetjen e zgjedhjes së këtij ngërçi që ka prekur Parlamentin?
E para ka të bëjë me vënien në lëvizje të Komisionit të Venecias,
referimi te komisioni i Venecias, pra kur dy palët nuk bien dakord i referohen një gjykatësi më profesional, dhe ndërkombëtar siç është Komisioni i Venecias, për të thënë mendimin e tij për këtë çështje, ose të paktën vendoset në shtratin ligjor zgjidhja, dhe ka hapësirë ligjore për të hapur dhe për të parë materialet zgjedhore që janë një pjesë e rëndësishme ku mund të evidentohen një sërë shkeljesh procedurale apo parregullsitë që lidhen me zgjedhjet e 28 qershorit.