Sa mund të durojë Shqipëria?
Edmond Arizaj
Kjo mund të jetë pyetja më shqetësuese që sot duhet të preokupojë të gjithë ata që mbajnë mbi supe peshën e mirëqenies së shqiptarëve Në fakt në këto muaj, pak mund të flitet për mirëqenie, pak më shumë për jetesë dhe shumë më tepër për mbijetesë. Specialistët e financave dhe të ekonomisë mund të japin shifra, përqindje e krahasime, por gjithsesi buxheti i çdo shqiptari, i çdo familjeje, i çdo biznesi të vogël, mund të jetë treguesi më i qartë, se Shqipëria dhe shqiptarët po përballen çdo orë me të hershmen dilemë: si do t’ia dal? Në një përditshmëri që shtrenjtohet me shpejtësi marramendëse, me një biznes që hollohet dhe tkurret, me emigrantët që justifikohen ndershmërisht, me investimet që projektohen, por që duan kohë të zbatohen, me të huajt që frenohen të zbresin me milionat e tyre, me taksat që dy pushtetet kundërshtare rivalizojnë me njëri-tjetrin në formën e ankandit, shqiptarëve u ka mbetur sot të shpresojnë në diçka të harruar prej vitesh; të mësuarit me të keqen, të jetuarit me kursim, të mbijetuarit me borxhe, të ushqyerit me shpresën për të nesërmen. Ndoshta ne nuk rrezikojmë falimentim si Greqia, por nuk janë të pakta familjet që falimentojnë çdo ditë, mbytur në borxhe, në lista dhe në ëndrra. Nuk janë të pakta bizneset që rrudhen çdo ditë, e ku pronarët e tyre kanë nisur rëndom të shërbejnë vetë. Madje nuk janë të paktë edhe emigrantët që kthehen në vendin e tyre, me shpresën se mund t’ia dalin disi aty ku flitet gjuha e vet.
Apatia ka pushtuar këtë vend. Shqiptarët duken si të lidhur në pamundësinë e sotme për të bërë, qoftë edhe gjysmë hapi përpara. Ka hapje qendrash të mëdha tregtare, por mushkëria e vërtetë, biznesi i vogël e i mesëm, duket i sëmurë. Heqja e vizave është vënë në qendër të vëmendjes. Një arritje për Shqipërinë. Por nuk është shpëtim për shqiptarët. Liberalizimi nuk sjell punësim në perëndim, pavarësisht se priten efekte të mira. Shqipëria është e rrethuar nga kriza; Italia duket në krizë, Greqia më keq, Kosova prej kohësh. Nuk është e lehtë. Mund të justifikohemi se edhe shtete të mëdhenj vuajtën dhe po vuajnë nga kriza, shtete të Bashkimit Evropian u dorëzuan përballë krizës dhe shtete të tjerë i kanë ngritur duart lartë e presin me gojën hapur ndihmat që mund t’u jepen. Por në shumicën e tyre, këto shtete i kanë bërë përpjekjet për të shpëtuar, janë përballur me qytetarët e tyre, e më pas janë dorëzuar.
Po ndodh e veçanta në Shqipëri (si gjithmonë). Prej kaq muajsh vendi është i përfshirë nga një tjetër debat. Madje në këtë debat është përfshirë edhe komuniteti ndërkombëtar, që ndoshta të gjitha energjitë dhe preferencat mund t’i shpenzonte për të siguruar investime për një vend, i cili gjithsesi nuk është dhe shumë kërkues (krahasuar me të tjerët). është e çuditshme dhe madje e trishtë se si politika shqiptare e ka harruar, për të mos thënë braktisur, detyrën e parë pse zgjidhen, të punojnë për të siguruar jetesë të mirë për qytetarët e tyre. Zakonisht dhe detyrimisht sytë drejtohen nga Qeveria, ashtu si në fakt sot po bëjnë shqiptarët e dorëzuar. Por përveç disa deklaratave entuziaste, disa deklaratave shpresëdhënëse, nuk ka ende një strategji të qartë për të ndalur keqësimin e përditshëm të portofolit familjar dhe biznesit të vogël e të mesëm. Nuk ka kontrolle shtrënguese për sektorë të ndryshëm, të cilët abuzojnë me krizën, duke abuzuar keq me çmimet, e duke shtuar kështu rëndesën mbi familjet. Ka reforma, por të dukshme dhe të pranuara, janë vetëm në sistemin e shëndetësisë, të cilat gjithsesi nuk mund të kenë efekt thelbësor në ekonominë familjare. Qeveria është e ngërthyer në rrjetën e kutive dhe shumicën e energjisë po e harxhon pikërisht për këtë çështje. Shtuar këtu edhe situatën që mund të pritet, me rikthimin në rrugë të opozitës dhe tendencën e saj për të acaruar situatën, atëherë bathët sërish nuk duken të mira edhe për shumë kohë. Opozita nga ana e saj është duke luajtur keq dhe herë-herë shumë keq. Asnjë përpjekje për të detyruar Qeverinë të japë sqarime mbi ekonominë, që duhet të jetë edhe një nga detyrat primare të saj. Asnjë projekt-propozim mbi daljen nga kriza. Asnjë sugjerim për kanale të reja ushqyese për ekonominë e vendit. Vetëm kuti. A thua prej atyre kutive do të vijë rigjenerimi. Të mos harrojmë se opozita qeveris shumicën e qyteteve të mëdha, të cilat ku më shumë e ku më pak janë në gjumë, për të mos thënë në koma. Ndoshta strategjia e opozitës është shumë e thjeshtë; ndikim sa më të madh në thellimin e krizës, përpjekjet maksimale për të shtyrë të paktën disa muaj liberalizimin e vizave, pritjen pa qetësi të një kolapsi të rëndë ekonomik (i cili për fat të mirë nuk ka gjasa të ndodhë) dhe në fund, vjeljen e fruteve. Klasa politike, pa përjashtime, ka dorën e saj të rëndë, për situatën e sotme. Por teksa, kryeministri (ndoshta e çuditshme) i ftoi deputetët e opozitës në pjesën e parë të seancës maratonë, të diskutojnë për zgjidhjen e krizës ekonomike, reagimi i këtyre të fundit vazhdoi të ishte “kutitë, kutitë”. Natyrshëm që pjesën e luanit në çdo krizë e merr Qeveria, por nuk duhet harruar që një tufë me hiena mundin edhe një luan. Do të ishte koha, në prag të liberalizimit të vizave, në prag të sezonit turistik (i cili, zakonisht sjell rritje në portofolet e shqiptarëve), në prag të hapave të rinj për integrimin në BE të Shqipërisë, politika jonë të mos vazhdojë të çudisë. Vullneti i mirë i të gjitha palëve, për të ndikuar në minimizimin e krizës, do të ishte edhe një mbjellje e mirë, për të korrat në zgjedhjet e ardhshme. Problemi i sotëm shqiptar nuk është te kutia në bodrumet e KQZ, por te kutia e xhepit të tij, i cili hapet, numërohet dhe pakësohet çdo ditë.