“Protesta për largimin e Qeverisë”
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi dje nisjen e protestave për lar-gimin e Qeverisë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryetari socialist e cilësoi vendimin e marrë dy ditë më parë nga Kuvendi për hetimin e zgjedhjeve si vjedhje të firmave të deputetëve të opozitës për të votuar një nisëm të opozitës, të cilën ata e kishin tërhequr më parë. “Do organizojmë një valë protestash, që nuk do të ndalen deri në zbardhjen e së vërtetës për zgjedhjet, dhe në këto valë protestash do kërkojmë largimin pa ekuivok të Qeverisë”. Sipas tij, protestat tani do të kenë si qëllim jo vetëm kërkesën për hapjen e kutive, por edhe shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme. Duke i mëshuar idesë së PS ia dha shansin Parlamentit që t’i kishte deputetët e saj në sallë, Rama theksoi se “Parlamenti dje u shndërrua në komisionin e Ruzhdijes. U hodh në humnerë një gur themeli. Dje ndodhi ajo që ndodhi në KQZ, ku me dhunën e personave u mohua një e drejtë e ligjshme, për transparencë. U asgjësua një e drejtë procedurale. Mbrëmë Parlamenti shqiptar u bë Parlamenti i Ruzhdijes”.
Parlamenti
Kryetari i PS-së tha dje se ky është një Parlament që është fare e qartë nuk mund të bëjë dot ligje për qytetarët e Shqipërisë. Dhe kjo është një arsye më shumë që ne të protestojmë për largimin e Qeverisë, shpërndarjen e Parlamentit dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të rizgjedhin. Kreu socialist tha se maxhoranca hodhi poshtë të vetmin propozim që u dha për zgjidhjen e krizës. “Ne zgjidhjen e kërkuam me këmbëngulje, ndaluam protesta dhe i dhamë Parlamentit një shans. Paraqitëm listat për ngritjen e një komisioni parlamentar që nuk do ndryshonte fitoren e zgjedhjeve, por do bënte autopsinë e tyre… Kishim një nismë të opozitës, por në fakt u ngrit një komision hetimor që rezulton i pa kërkuar nga ata që e ngritën”. Sipas Ramës, kriza sot është më e thellë nga dje, pasi u rrëzuan siç tha ai, projektet e PS dhe se Qeveria u përgjigj me diktat. Por, siç shtoi Rama “fakti është shumë i thjeshtë, nuk mund të ketë transparencë pa hapjen e kutive, por maxhoranca i trembet çeljes së kutive”. Në këto kushte, sipas Ramës, PS e mbështetur nga aleatët e saj, nga shqiptarët dhe shqiptaret do të nisë një valë protestash dhe do të mbështesë çdo formë proteste në vend që ka si qëllim vetëm një, largimin e Qeverisë. “Sot është një ditë e re, dhe unë sot PS dhe gjithë anëtarëve, aleatëve të saj dhe gjithë shqiptarëve dhe shqiptarëve nuk u ofroj asgjë më shumë se vullnet e guxim. Vullnet për të punuar së bashku, derisa e drejta të vihet në vend, të largohet e keqja që u merr shqiptarëve të drejtën e lirive… Ne do kërkojmë largimin e qeverisë me protesta, pas asnjë lëkundje, asnjë dyshim për kërkesën tonë për transparencë në zgjedhje dhe hapjen e kutive”, u shpreh Rama. Kreu socialist theksoi veçanërisht se protestat për largimin e qeverisë nuk duhen marrë si kërcënim, por si një e drejtë e ligjshme e çdo individi. “Kërkesa për largimin e Qeverisë është demokratike dhe është e ligjëruar. Kështu që askush s’ka pse të reagojë sikur është fundi i botës është gjëja më normale që populli të kërkojë largimin e Qeverisë dhe ndryshimin themelor të Qeverisë, në kushtet kur Qeveria nuk pranon të bëjë transparencë për një kauzë, siç është ajo e kutive”, u shpreh Rama. Kryesocialisti nuk dha asnjë qëndrim nëse socialistët do të rinisin bojkotin apo do të qëndrojnë në kuvend. “Kjo është një çështje që do të trajtohet dhe do të vendoset duke diskutuar edhe me të tjerët, deputetët, por është e sigurt që nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Parlamentin”, u shpreh Rama. Kreu i PS komentoi dhe komisionin hetimor që kërkon të ngrejë maxhoranca. “Ai komision nuk ekziston dhe s’ka pse të humbet kohë. Komisioni është një farsë që thjesht thellon qartësinë e krizës, kjo është një farsë që është një argument më shumë për një betejë, të cilën sot jemi akoma më të vendosur ta vazhdojmë”, u shpreh Rama.