E Diel, 1 Nëntor 2026

Seanca e programuar e kutive

Emila Markgjonaj

Të ishte vallë e progra muar? Respekt! Në qoftë kështu Parlamenti ynë ka pasur shpesh seanca të mërzitshme, por kjo e datës 18 e 19 mars rrezikonte të kalonte në histori si seanca më shterpë dhe bajate, deri në atë pikë sa të shkaktonte shqetësime psikologjike të tipit: pse më duket sikur dëgjoj gjithnjë të njëjtin diskutim, njëherë me zë të ashpër dhe autoritar, një herë me zë çjerrës, nga një me ton paqësor.. por gjithmonë ama të njëjtat gjëra.
Qetësohuni njerëz, nuk është një përshtypje, është realitet, për fat të keq.
Konstatimi tjetër, gjithashtu i dhimbsur: për sa mund të sforcohen të dyja palët, për të shprehur dy koncepte më se të lakuara, fjalori ai ngelet, prej rreth 100 fjalësh, jo më tepër: Kushtetuta, transparenca, kutitë, gjykata, krizë. Falë zotit arriti Fule, u shtua një emër – nuk është ekzaktësisht një fjalë e re, nuk i shton gjë diskutimit në koncept, por të paktën ne ngjyrë.
Nëse do të ishte një ushtrim - për klasën e tretë fillore – mbrojtja i një roli të caktuar, pavarësisht nga bindjet personale njëri grup, ta zëmë i djemve çapkënë, do të kishte thënë: a e dëgjuat Fule-n se çfarë tha sot – kriza zgjidhet me Kushtetutë dhe transparencë jo me bojkot. Ju ku po na çoni të nderuar kolegë të opozitës me bojkotin tuaj? Ndërsa grupi i vajzave krenare do të ishte përgjigjur pa një pa dy: transparencë pikërisht, që do të thotë hapni kutitë. Më mire të mos zgjatemi sepse rrezikojmë të bëhemi të mërzitshëm sa parlamentaret tanë – apo kjo është e paarritshme??? Me siguri s’kishte ngelur kalama në klasë.
Pikërisht kur situata po bëhej e paduruar, akoma ndonjë njeri me besim të patundur te qeniet njerëzore në përgjithësi dhe te parlamentarët në veçanti, mund të vazhdonte të shikonte seancat non stop të Parlamentit, me shpresën se aty mund të zgjidhet diçka (budalla i shkretë), pikërisht kur rrezikohej që të gërhiturat të dëgjoheshin më shumë sesa vetë fjalimet, më në fund arriti sherri. (faleminderit 100 herë faleminderit). I vetmi moment i denjë për koment.
Nuk do të parapëlqeja termat e zbutur si “konflikt fizik” duket sikur po flasim për ndonjë fenomen të shkencës. Plasi sherri që dukej do të shkonte deri në grushte, por me sa u pa (nuk e di pse urdhërohet të fiken telekamerat në këto lloj situatash, pastaj presin që njerëzit të tregojnë interes për politikën?) përfundoi me një shkundje të fuqishme të xhaketës, që nuk nxori pikën e pluhurit aq e pastër ishte.
Pa pritur e pa kujtuar fjalori u zgjerua me fjalë si “E kush ta ka frikën ty? Hajde këtu! Mos ik” (për fjalët që nuk kuptoni mund të konsultoni një fjalor çfarëdo shqip - shqip) etj. Niveli i hartimeve të klasës së tetë, që dukej i pakapërcyeshëm, u la ndjeshëm pas dore, ndërsa njeriu me besim te patundur tek raca njerëzore gëzohet i përlotur si fëmijë për zotësinë e tij për të parë aty ku njerëzit normalë nuk mundën të shohin.
Vrapi, vrapi i parlamentarëve tanë! I sheh nëpër intervista, dhe për sa herë dalin ne televizion, edhe pak dhe ke mundësinë t’ju dish përmendësh masat e rrobave, numrin e thinjave, duket të gjithë mbi peshë, po ama në vrap … dukej sikur ishte një regjistrim i përshpejtuar. Kam bindje që vrapojnë më shpejt se futbollistët e Kombëtares - për sa me preçizion kapërcejnë tavolinat – kjo është një tjetër disiplinë sportive në mos u gabofsha. Punojnë, punojnë por e gjejnë edhe kohën të mbajnë veten në formë fizike të përkryer, cilësi e domosdoshme për funksionin që kryejnë.
Mbas gjithë kësaj analize, si të vendosim – sipas jush ishte i rastësishëm apo i programuar. Idea ime është ndonjë telefonatë e tipit:
“ - ça bo mirë? Jam unë
- Mirë o mirë, sapo desha të të merrja unë.
- Po mërziten robtë thu?
- Me siguri, i kisha porositur të mitë të shtonin ndonjë gjë nga vetja në diskutim.
- Qekan lodh fare, po përsëritin të njëjtat fjalë.
- A se të tutë dallojnë nga fantazia, na e mbushe mëndjen.
- Nejse nejse, s’kemi pse zihemi tani.
- Në rregull, do ta plasësh ti apo unë.
- Më mirë unë, kam më shume pretekse, thuaj tatit të mbaj ison, Shnet!
- Shëndet edhe ty”.
Shëndet për ty, shëndet për mua, shëndet do të jetë për të gjithë ne… boll të rrimë në pritje të spektaklit tjetër!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›