E Diel, 1 Nëntor 2026

8 dhjetori caktohet festë kombëtare

Qeveria mori dje vendimin për shpalljen e 8 dhjetorit si festë kombëtare. Kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se Dita e Rinisë dhe Pluralizmit është një ditë e cila përcakton një nga aktet më madhore të kurajës, të guximit, të të rinjve shqiptarë, të cilët 19 vjet më parë gjetën forcën të rrëzonin diktaturën më të egër në vend. "Shpreh kënaqësinë që qeveria vendos sot për ta shpallur festë kombëtare 8 dhjetorin, në nderim të veprës legjendare të studentëve të këtij vendi, por edhe në nderim të lirive dhe të drejtave individuale të çdo qytetari shqiptar", deklaroi Kryeministri Berisha. Pak ditë më parë, mazhoranca, me anë të një mitingu në sheshin "Skënderbej" përkujtoi 19-vjetorin e kësaj date. Në shesh, Kryeministri theksoi se kjo datë duhet të ishte data e një feste zyrtare. Sipas Berishës, kjo është ngjarja më e madhe e ndodhur në vend, pas shpalljes së Pavarësisë dhe çlirimit të vendit. Në festën e 8 dhjetorit, Kryeministri Berisha ftoi edhe opozitën të ishte në shesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›