Islami: Opozita në zgjedhje me koalicion të përbërë
Krahas personaliteteve më të larta botërore drejt Tbilisit të Gjeorgjisë pritet të niset ditën e hënë dhe deputeti socialist, Kastriot Islami, ku në emër të Këshillit të Europës do t’i shprehë autoriteteve gjeorgjiane mbështetjen për sovranitetin e tyre territorial. Në një intervistë për “Shekullin”, Islami tregon axhendën e tij në këtë vizitë, ku janë parashikuar takime me presidentin gjeorgjian Sakashvili, ministrin e Jashtëm, Kryetarin e Parlamentit e tjerë. Gjithashtu Islami, në pozicionin e Sekretarit socialist për Çështjet Elektorale, shpjegon hapat që do të ndjekë opozita për të arritur fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai thekson se zgjedhjet e qershorit të ardhshëm janë një test për kalimin paqësor të pushtetit nga Sali Berisha.
Z.Islami, në shtator, Kuvendi pritet të rinisë diskutimin për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë që PS ka bërë të ditur se ka një platformë konkrete për mënyrën e realizimit të saj. Edhe një herë, cili është projekti që ofron PS për formatin që duhet të ketë KQZ, pra duhet të jetë siç është tani apo të kalojë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, si do të kompozohen komisionet zgjedhore vendore dhe grupet e numërimit, pra, do të jenë teknike apo politike?
Më duhet të risqaroj se përgjegjës në parti për këtë fazë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin, z.Fatmir Xhafaj, i cili është njëkohësisht edhe bashkëkryetar i Komisionit ad-hoc kuvendor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Mbi bazën e ndarjes së detyrave dhe integrimit të funksioneve në Sekretariatin Ekzekutiv të PS-së, është në kompetencën e zotit Xhafaj të artikulojë në publik gjatë kësaj faze gjithçka që lidhet me funksionimin e komisionit kuvendor dhe aktivitetin e PS-së për çështjet që lidhen më ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht se PS ka një mekanizëm të brendshëm të debatit politik dhe të konsultimit profesionalo-politik. Nisur nga fakti që unë mbuloj çështjet zgjedhore, por edhe pavarësisht nga ky fakt mund vetëm t’ju pohoj, thjesht për të hequr çdo keqkuptim, se nuk do të ketë KQZ të varur, as nga Ministria e Brendshme dhe as nga Ministria e Drejtësisë. Gjithçka tjetër mbetet e hapur sepse një nga parametrat themelorë që karakterizon Platformën është fleksibiliteti dhe kjo vjen nga fakti se realizimi i ndryshimeve kalon përmes një procesi kompleks negocimi.
Një çështje ende e pasqaruar mbetet mënyra se si opozita do të dalë në zgjedhjet e ardhshme. Kur mazhoranca është shprehur se do të dalë në koalicion, si mendoni se do të ishte më mirë të dilte dhe opozita, dhe pse?
Parimisht, çdo sistem zgjedhor le të hapur çështjen e koalicioneve zgjedhore, natyrisht në rast se kjo nuk përjashtohet në Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër dihet po ashtu se përgjithësisht sistemet mazhoritarë e të përzierë nxisin koalicionet zgjedhore kurse sistemet e pastra proporcionalë shoqërohen kryesisht nga koalicionet pas zgjedhore për formimin e maxhorancës qeverisëse. Edhe në rastin e përkufizimeve të reja kushtetuese, bazuar edhe në karakteristikat e sistemit të ri zgjedhor, koalicionet zgjedhore parashikohen juridikisht, por ato as nuk detyrohen dhe as nuk përjashtohen sepse në themel të çdo koalicioni qëndron vullneti dhe analiza politike nga çdo parti/subjekt elektoral. Po ashtu, para se të shkohet në analizën politike, konkretisht për rastin e zgjedhjeve të vitit 2009 në vendin tonë, duhet pritur të konfigurohen në Kodin Zgjedhor të gjithë karakteristikat se si do të realizohet koalicioni zgjedhor. Pavarësisht zhurmës aktualisht e paraprakisht që bëhet, jam plotësisht i bindur se do të ketë, pas përfundimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një analizë shumë të thellë, racionale dhe largpamëse edhe për këtë çështje. Të gjithë aktorët dhe faktorët analitikë e vendimmarrës në PS janë të ndërgjegjshëm dhe tërësisht të angazhuar për maksimalizimin e suksesit elektoral. Nuk ka as panik dhe as eufori, gjithçka bëhet e programuar, racionale dhe e kalkuluar, në përmbajtje e në kohë.
Si mund të realizohet koalicioni, a mund të na shpjegoni me terma konkretë si mund të arrihet të realizohet një koalicion parazgjedhor me këtë lloj sistemi, ku secila forcë të masë forcën e vet?
Dy janë tipet e koalicioneve: 1) koalicioni me listë të përbashkët kandidatësh dhe; 2) koalicioni i përbërë ku çdo parti ruan listën e saj të kandidatëve. Në zgjedhjet e vitit 2005 Kodi Zgjedhor i parashikonte të dy tipet e koalicioneve, dhe kjo ishte logjike po të kemi parasysh faktin që sistemi i mëparshëm ishte sistem i përzier. Një sistem zgjedhor proporcional do të përshtatej për kushtet e vendit tonë, më mirë me një koalicion të përbërë, por natyrisht pa përjashtuar edhe koalicionin me listë të përbashkët. Në rastin e koalicionit të përbërë votuesit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë në momentin e votimit. Në këtë rast, llogaritjet e vendeve në Kuvend, kryhen në dy faza: a) fillimisht, llogariten vendet e fituara nga koalicioni mbi bazën e votave të fituara nga i gjithë koalicioni dhe; b) më tej vendet e fituara nga koalicioni i shpërndahen çdo partie në përbërje të tij, sipas votave të fituara nga secila parti. Natyrisht që për të dy nivelet e llogaritjes ka formula të ndryshme llogaritjeje.
Ndërkohë kryeministri Berisha ka deklaruar, më së fundi, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në Qershor të vitit të ardhshëm. Nga ritmi që ka ecur reforma deri tani, por edhe nga ritmi që ka ecur realizimi i infrastrukturës zgjedhore si kartat, listat etj., mendoni se mund të arrihen të realizohen kushtet për zgjedhje brenda qershorit?
Sipas interpretimit të artikujve të ndryshuar të Kushtetutës, zgjedhjet normale të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë duhet të zhvillohen në Qershor të vitit 2009. Natyrisht që këto zgjedhje duhet të jenë jo vetëm të lira e të ndershme por mbi të gjitha, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Dhe që të arrihet kjo duhet minimalisht të kryhen në kohë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të pajisen të gjithë zgjedhësit pa përjashtim me kartat e identitetit dhe të hartohen listat e zgjedhësve mbi bazën e Regjistrit Themeltar të Shtetasve, të kompjuterizur dhe të centralizuar. Publiku shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë presin që këto kushte të realizohen për të zhvilluar zgjedhjet e standardeve demokratike në Shqipëri. Do të ishte e papranueshme dhe maksimalisht e kritikueshme (e ndoshta kjo kritikë do të shoqërohej me “pezullimin” e anëtarësimit në NATO) që një vend kaq pranë anëtarësimit në NATO dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE, të zhvillonte zgjedhje jo në përputhje të plotë me standardet demokratike ndërkombëtare. Duhet patur parasysh që ky nuk është thjesht një mesazh politik për Shqipërinë, por edhe një mesazh direkt për Berishën, perceptimi i fundit për të cilin lidhet me manipulimit masive të zgjedhjeve në vitin 1996, ngjarjet e vitit 1997 dhe faktin që asnjëherë në historinë e këtyre 17 viteve, Berisha nuk ka organizuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe kështu nuk ka mundur të realizojë kalimin e butë të pushtetit.
Z.Islami, ju jeni një njohës shumë i mirë dhe i situatës në Gjeorgji, duke qenë njëkohësisht dhe i deleguari i Këshillit të Europës në këtë rajon, si do ta vlerësonit situatën më të fundit të krijuar atje pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë?
Situata në të gjitha rajonin e Kaukazit është prej kohësh komplekse dhe tanimë edhe mjaft e komplikuar. Gjeorgjia përbën nja nga rastet tipike të këtij kompleksiteti. Fillimi i procesit të demokratizimit në vendet e këtij rajoni, fuqizimi ekonomik i Rusisë, objektivat e zgjerimit të NATO dhe përkeqësimi i situatës energjetike kanë mprehur interesat gjeopolitike në rajon. Sovraniteti dhe integriteti i Gjeorgjisë janë prekur rëndë me rastin e ndërhyrjes ushtarake ruse. Interesat gjeostrategjike të SHBA po ashtu rezultojnë të prekura. Rusia ndjehet e kërcënuar nga një anëtarësim i Gjeorgjisë në NATO, të cilin e konsideron pjesë të hallkave të një “kordoni rrethues ushtarak” nga Perëndimi e NATO. Dy zonat e konfliktit të “ngrirë” që kanë kaluar gjatë këtyre ditëve në “gjendje të nxehtë”, Abkhazia dhe Osetia e Jugut përbëjnë “pretekstin” apo mekanizmin e konfliktit, që në thelb është shumë më i thellë. Me rastin e këtij konflikti ushtarak, të shoqëruar me viktima dhe disa mijëra persona të zhvendosur, situata duket më e komplikuar dhe ndoshta zgjidhja më e largët, por njëkohësisht çështja është ndërkombëtarizuar. Çështja e këtyre dy krahinave të Gjeorgjisë tanimë është një çështje midis Perëndimit, BE e NATO-s, nga njëra anë, dhe Rusisë, nga ana tjetër. Ndërkohë pozicionet strategjike të SHBA dhe vendeve të ndryshme të BE mund të jenë me dallime nuancore, sidomos po të merren në konsideratë çështjet e sigurisë, që lidhen me energjinë apo me anëtarësimin e shpejtë të Gjeorgjisë në NATO. Për momentin “plani Sarkozi” duket i pranueshëm për Putin, ndërkohë që ky plan i shoqëruar me “shpjegimet amerikane” mund të pranohet nga Sakashvili.
Ju jeni ngarkuar nga Këshilli i Europës që të shkoni përsëri në Gjeorgji. Cili do të jetë misioni juaj atje?
Është e vërtetë që kam ndërprerë pushimet për të kryer një mision dyditor në Tbilisi me kërkesë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KE, zotit Luis Maria de Puig. Situata në Gjeorgji është tensionuar gjatë këtyre tetë ditëve dhe kjo çështje kaq e komplikuar ka tërhequr këtë radhë angazhimin direkt të personaliteteve botërore nga shtetet dhe organizmat më të fuqishëm, Presidentit dhe Ministrave të Jashtëm të SHBA e Francës, si kryesuese e BE, Kancelares Gjermane, të presidentëve të Polonisë, Ukrainës dhe të vendeve Baltike, të Sekretarit të Përgjithshme të OKB, z.Ban Ki Mun, Xavier Solana, etj. Ka qenë gjithashtu në Tbilisi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Terry Devis. Misioni ynë si bashkë-raportues të Këshillit të Europës është, së pari, në linjë me atë të të gjithë personaliteteve botërore, por konkretisht më i thjeshtë e më modest, për të përcjellë mesazhin e Asamblesë Parlamentare në mbështetje të integritetit e sovranitetit të Gjeorgjisë dhe të nënshkrimit të planit për vendosjen e armëpushimit, në funksion të krijimit të kushteve për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë e të qëndrueshme për dy krahinat, e Abkhazisë e të Osetisë së Jugut. Natyrisht, së bashku me mesazhin e Këshillit të Europës, do të grumbullojmë të dhënat e nevojshme për hartimin e një raporti për konfliktin ushtarak sepse me siguri, në sesionin e ardhshëm të Asamblesë Parlamentare të KE, do të ketë një debat e ndoshta rezolutë për këtë çështje. Axhenda e takimeve përfshin takime me presidentin Sakashvili, ministrin e Jashtëm, Kryetarin e Parlamentit etj.
Faktikisht, si mund të zgjidhet ky konflikt?
Kjo është një pyetje e vështirë e tepër e komplikuar që për momentin nuk ka një përgjigje të plotë e përfundimtare. Por fillimisht duhet të nënshkruhet e të vendoset realisht në terren, armëpushimi. Kjo tanimë është çështje që i kalon caqet e Abkhazisë e të Osetisë së Jugut e bile, edhe të vetë Gjeorgjisë.